LAJMET E MBRËMJES

Dështon përpjekja e LVV-së për votim të fshehtë të kryekuvendarit

Seanca për konstituim të Kuvendit, e nisur më 15 prill, nuk është mbyllur as të enjten. Këtë herë Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk e ka propozuar direkt Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por nëpërmjet kryesuesit të seancës ka tentuar që ky votim të bëhet në mënyrë të fshehtë. Partitë deri tash në opozitë nuk e kanë pranuar këtë opsion dhe në fund edhe votimi i një komisioni për mbikëqyrje të kësaj procedure ka dështuar që t’i marrë votat e nevojshme

Konstituimi i Kuvendit ka dështuar për herën e nëntë, të enjten. Partia që ka marrë më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka bërë përpjekje për ta aplikuar votimin e fshehtë, porse partitë deri tash në opozitë nuk e kanë votuar as themelimin e komisionit zgjedhor, i cili do ta mbikëqyrte këtë procedurë.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, që është deputet i LVV-së, është bazuar në aktgjykimin e vitit 2014 të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit votimi mund të bëhet edhe i fshehtë, e më pas i ka ftuar subjektet politike për t’i nominuar anëtarët e tyre për formimin e një komisioni. 

“Deri sot kemi pasur disa tentime, po pa prodhuar rezultate, në zgjedhjen e kryetarit, kryesisë dhe konstituimit të Kuvendit. Marrë parasysh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 për çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, konkretisht paragrafin 124, ku thuhet se votimi mund të jetë i formës së hapur, i fshehtë apo çfarëdo forme tjetër dhe bazuar edhe në Rregulloren e Punës së Kuvendit, e cila në nenin 61, paragrafi 4, e parasheh edhe votimin e fshehtë, me qëllim të hapjes rrugë për zhbllokim të procesit, konsideroj që forma e duhur që mund të hapë rrugë për konstituimin është votimi në mënyrë të fshehtë me fletëvotime fizike”, ka theksuar Dehari.

Dështimi i votimit

LVV-ja e ka propozuar deputetin Hekuran Muratin, ndërsa partia turke KDTP, Fidan Brina-Jiltën. Por, deputetët e partive deri tash në opozitë e kanë refuzuar këtë mënyrë të votimit, duke mos propozuar anëtarët.

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike (PDK), ka thënë se kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ia ka shpalosur votimin e fshehtë edhe në takimin konsultativ, të cilin ai e ka mbajtur me të mëngjesin e së martës.

“Z. Kurti, thashë edhe në takimin më herët: nuk keni të drejtë në mes të votimit ta ndryshoni formën e votimit. Prej kur ka Kuvend – edhe para shpalljes së Pavarësisë edhe pas shpalljes së Pavarësisë – kjo është e paprecedent, nuk ka ndodhur. Sikur të kishit vendosur në fillim ndoshta edhe do të ishte e pranueshme. Kjo nuk është e pranueshme. Ju ftoj që të mos e thelloni krizën, propozojeni një emër tjetër. Mos e ktheni Kuvendin në cirk. Nuk mund ta impononi në mënyrë arbitrare kryesuesin. Nuk keni të drejtë. As Sekretariati nuk duhet t’ua dëgjojë kërkesat të paligjshme”, ka theksuar Krasniqi.

E deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike (LDK), Hykmete Bajrami, e ka kualifikuar shkelje të rregullores dhe të Kushtetutës veprimin e LVV-së për ndryshimin e formës së votimit.

“Ne nuk do të bëhemi asnjëherë pjesë e shkeljeve tuaja. Është e vërtetë që rregullorja nuk lejon debat në seancë konstituive, por gjithashtu është e vërtetë se në asnjë pikë të rregullores nuk thuhet që mund ta ndryshosh formën e votimit pasi që ke hyrë në proces”, është shprehur ajo. 

Qëndrim të ngjashëm kanë shprehur edhe në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Deputetja e kësaj partie, Time Kadrijaj, ka rikujtuar se AAK-ja ka ofruar si alternativë propozimin e dy emrave nga LVV-ja – Shqipe Mehmeti-Selimi dhe Saranda Bogujevci – për postin e kryetarit të Kuvendit.  

“Kjo që po ndodh këtu është vërtet për keqardhje, Aleanca ka dhënë alternativa dhe ju s’i keni pranuar ato alternativa. Andaj, s’do të bëhemi pjesë e cirkut tuaj. Sa për buzëqeshjet tuaja, vetëm po ua kujtoj: zdravo Mimoza!”, ka theksuar Kadrijaj.  

Kundërshtim për propozimin e LVV-së për votim të fshehtë ka shprehur edhe deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq.

“Lista Serbe nuk do të japë propozim për anëtar për ta formuar atë komision, meqë është në kundërshtim me Rregulloren e Punës”, është shprehur ai.

Për këtë propozim, nga 110 deputetët sa kanë qenë prezentë në sallë të enjten, kanë votuar 56 syresh. Me 55 vota për, një kundër dhe gjysmën e deputetëve prezentë që nuk kanë votuar, përpjekja e LVV-së për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit ka rezultuar me dështim.

LVV: Opozita do t’i kontrollojë deputetët. PDK, LDK e AAK e cilësojnë joligjor votimin e fshehtë

E pas përmbylljes së seancës të së enjtes, propozimi i LVV-së për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë është vlerësuar antikushtetues nga përfaqësues të partive që në legjislaturën e shkuar kanë qenë në opozitë.

Ata, gjatë adresimeve nga holli i Kuvendit, e kanë quajtur arbitrare mënyrën se si kjo parti ka synuar që ta vërë në aplikim këtë formë votimi.

“Me ftu votim të fshehtë në kohën kur ka filluar votimi tashmë dhe ka dështuar sa e sa herë, është absolutisht e paligjshme dhe jokushtetuese”, ka thënë Krasniqi i PDK-së.

E Bajrami e LDK-së ka theksuar të mos ketë ndodhur asnjëherë në historinë e institucioneve të Kosovës “që të ndryshohet procesi dhe është shkelje në qoftë se një proces i tillë, mënyra e votimit ndryshohet pasi që ka filluar procesi”.

Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe Kadrijaj e AAK-së.

“Duke qenë deputete për shumë mandate, asnjëherë gjatë konstituimit të Kuvendit nuk ka ndodhur një formë e tillë e votimit apo një tendencë të bëhet një cirk në Kuvendin e Kosovës. Por, propozimin për votim të fshehtë, përfaqësues të Vetëvendosjes e cilësuan si formë për të dalë nga ngërçi”, ka thënë ajo.

Tek e kanë arsyetuar propozimin, përfaqësues të LVV-së si referencë e kanë përmendur aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit më 2014, në të cilin thuhet se votimi mund të bëhet “me votim të hapur ose me votim të fshehtë; apo në çfarëdo mënyre tjetër”.

Deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, ka thënë se partitë që e kanë kundërshtuar propozimin duan që ta kontrollojnë votën e ligjvënësve.

“Nuk kanë besim në deputetët e vet dhe po duan t’i kontrollojnë, të ushtrojnë presion mbi deputetët e vet për të votuar në mënyrë të caktuar”, ka thënë ai.

Ligjvënës tjerë të partisë që ka dalë fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit kanë insistuar se partitë e tjera janë bërë bllok me Listën Serbe kundër Vetëvendosjes.

“Koalicioni i tyre apo marrëveshja dhe dakordimi i PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe është ende funksional. Në formën e prezantimit të argumenteve se kinse nuk ka të drejtë kryesuesi i seancës të ndërrojë formën e votimit me deklarime se është antikushtetuese, në asnjë argumentim nuk u përmend neni i Kushtetutës apo i Rregullores së Punës së Kuvendit që e parandalon votimin e fshehtë”, është shprehur deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

E deputeti tjetër i LVV-së, Faton Peci, i është referuar me një shkurtesë, bllokut të partive kundër Vetëvendosjes.

“Edhe sot u shpërfaq para qytetarëve, para jush, që ekziston një koalicion që edhe para fushatës zgjedhore e kam parashikuar, i ashtuquajturi koalicioni PLAS – PDK, LDK, AAK dhe Lista Srpska”, ka thënë ai.

Ndonëse seanca është ndërprerë pas kundërshtimit të votimit të fshehtë, përfaqësues të Vetëvendosjes kanë thënë se sikur të organizohej ky proces, për kryeparlamentare do të propozohej sërish kandidatja e njëjtë, Albulena Haxhiu.

“Unë besoj që Glauk Konjufca tashmë është etabluar si propozues stabil dhe nuk e ndryshon propozimin”, ka thënë Murati.

Përfaqësues të kësaj partie, që deputet të sajin e ka kryesuesin e seancës konstituive, nuk kanë treguar nëse edhe në vazhdimin e radhës të seancës do të insistojnë për votim të fshehtë.

Të enjten ka qenë përpjekja e nëntë për konstituim të Kuvendit. Deri tash propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Albulena Haxhiut për kryekuvendare ka dështuar në gjashtë votime.

Zhbllokimit të situatës nuk i ka shërbyer as takimi konsultativ, i cili është mbajtur para seancës mes liderit të LVV-së, Albin Kurti, dhe atij të PDK-së, Memli Krasniqi.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill, ndërkohë vazhdimi i radhës do të mbahet më 3 maj, në orën 10:00.