Ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarve Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj, për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”. Sipas aktakuzës, të pandehurit me dashje kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme
Në mungesë të të akuzuarve Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj, ka dështuar të mërkurën seanca e shqyrtimit fillestar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Të dy akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar” se me dashje kanë shfrytëzuar detyrën sa ishin zyrtarë të Komunës së Mitrovicës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme.
Sipas aktakuzës, të dy akuzohen se më 2021 i kishin shkaktuar dëm prej 125 mijë eurosh Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
“Nuk prezanton i pandehuri Faruk Mujka, për të njëjtin gjykata i ka dorëzuar ftesë për seancën e sotme. Deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë dëshmi, që i njëjti e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt. I pandehuri Hysen Muzliukaj, nuk prezanton në gjykatë, për të njëjtin gjykata i ka dorëzuar ftesë për seancën e sotme, deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë dëshmi, që i njëjti e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt”, ka thënë gjyqtarja Violeta Namani-Hajra.
E përveç të akuzuarve, gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, tha se në seancë nuk ishin të pranishëm as avokatët e të akuzuarve.
“Nuk prezanton mbrojtësi i tij. Avokati Xhafer Tahiri e ka njoftuar gjykatën se për shkaqe familjare shëndetësore të njërit prej familjarëve të tij, sot të njëjtën kohë do të realizojë një vizitë mjekësore jashtë vendit, ku gjykatës ia ka bashkangjitur dokumentin mjekësor. Nuk prezanton avokati Ahmet Tahiri, i njëjti e ka njoftuar gjykatën se të njëjtën kohë, në të njëjtën gjykatë ka seancë, por deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë procesverbal apo ftesë, se ajo seancë është caktuar më herët”, ka thënë gjyqtarja.
Për dallim nga të akuzuarit, prezentë në sallën e gjykimit ishte prokurorja speciale Ilirjana Qollaku dhe përfaqësuesja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dhurata Bytyqi.
Seanca e radhës u caktua për 20 tetor.
Prokuroria Speciale më 9 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të “Ibër-Lepencit” nuk i deklaroi mbi 60 mijë eurot që iu sekuestruan në shtëpi.