LAJMET E MBRËMJES

Gjykata urdhëron që Sveçla, Zyba e Pacolli-Dalipi të sillen me detyrim në seancë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për sjelljen me detyrim në gjykatë të Xhelal Sveçlës, Salih Zybës dhe Fitore Pacolli-Dalipit, të cilët janë të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, në mars të 2018-s. Sipas gjykatës, të akuzuarit nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre në seancën e 16 shtatorit

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Salih Zyba e Fitore Pacolli-Dalipi, do të sillen me detyrim për të marrë pjesë në seancën e ardhshme gjyqësore lidhur me rastin, në të cilin ata akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, në marsin e 2018-s.

Vendimin për ta lëshuar urdhëresën për sjelljen e tyre me detyrim në seancë, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka marrë pasi që të tre të akuzuarit kanë munguar në seancën e 16 shtatorit dhe për këtë nuk kanë dhënë arsyetim.

“Në seancën e shqyrtimit gjyqësor të datës 16.9.2025, të pandehurit F.P.D, S.Z., dhe XH.S. edhe pse ishin ftuar me procesverbalin e seancës së shqyrtimit paraprak, ata kanë munguar në seancë, ndërsa mungesën nuk e kanë arsyetuar. Gjyqtari i kësaj çështjeje penale, Sabit Sadikaj, bazuar në një gjendje të tillë të fakteve, jashtë seancës, më datë 18.9.2025, ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim kundër të pandehurve F.P.D, S.Z., dhe XH.S., dhe ka urdhëruar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprimet e duhura, në mënyrë që të mund të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale nga gjykata dhe të vendoset lidhur me këtë çështje penalo-juridike. Urdhëresën do ta ekzekutojë Policia e Kosovës, ashtu që tre të pandehurit duhet të sillen në gjykatë më datë 31.10.2025, në orën 10:00”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, të akuzuar krahas Sveçlës, Zybës dhe Pacolli-Dalipit është edhe ish-deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK), Drita Millaku, e cila ka qenë e pranishme në seancën e 16 shtatorit.

Gjyqtari Sadikaj pati njoftuar më herët se të akuzuarit janë ftuar sipas procesverbalit dhe se në atë kohë nuk ka pasur ndonjë kërkesë për shtyrje të seancës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 qershor të 2024-tës, e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Xhelal Sveçlës, Drita Millakut, Salih Zybës dhe Fitore Pacolli-Dalipit, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend. 

Atë e ka vërtetuar më pas edhe Gjykata e Apelit.

Sipas aktakuzës, Sveçla, Zyba, Pacolli-Dalipi dhe Millaku, më 21 mars të 2018-s, nga ora 12:10 e deri në 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës brenda sallës së Kuvendit, ku po mbahej seancë plenare lidhur me votimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Në aktakuzë thuhet po ashtu se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët janë detyruar që ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës. Gazi lotsjellës është përdorur gjatë seancës së jashtëzakonshme.