LAJMET E MBRËMJES

GLPS: Zvarritja e konstituimit të institucioneve ia rrezikon Kosovës qasjen në 882.6 milionë euro

Vonesat në konstituimin e Kuvendit dhe në formimin e Qeverisë mund të përcillen me pasoja financiare për shtetin, kanë paralajmëruar të premten në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS). Sipas hulumtuesve të kësaj organizate, edhe në rast se subjektet politike merren vesh për zgjedhje të parakohshme, paraprakisht duhet që ta ratifikojnë marrëveshjen me BE-në për qasje në 882.6 milionë euro

Dështimi për t’i konstituuar institucionet e dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit, mund t’ia humbë Kosovës miliona euro, kanë paralajmëruar hulumtues të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Në një konferencë për media të premten, hulumtuesi i GLPS-së Besar Gërgi ka thënë se bllokada e krijuar për konstituimin e Kuvendit mban peng marrëveshje ndërkombëtare në kuadër të Planit të Rritjes të lansuar nga Bashkimi Evropian (BE). Sipas tij, në mungesë të ratifikimit, shtetit i mohohet qasja në 882.6 milionë euro.

“Situata rëndohet edhe më shumë, duke marrë parasysh se, në rast mosratifikimi deri në qershor që përbën afatin e dytë të zbatimit të reformave, ekziston rreziku real i kthimit në pikën zero sa i përket negocimit të marrëveshjes. Kjo mund të përkthehet në vonesa në ekzekutimin e fondeve, si dhe potencialisht në rishpërndarje të fondeve. Plani i Rritjes së BE-së përmban klauzola konkurruese, sipas të cilave vendet që performojnë më mirë në rajon mund t’i përfitojnë fondet e atyre që kanë ngecje, për çfarëdo arsye”, ka theksuar ai.

E hulumtuesja Blerina Istrefi ka shtruar nevojën që edhe në rast se partitë dakordohen për zgjedhje të parakohshme, legjislatura aktuale duhet që ta votojë marrëveshjen në kuadër të Planit të Rritjes.

“Në rastin më të keq, nëse vendoset për zgjedhje të parakohshme, duhet medoemos të konstituohet Kuvendi në mënyrë që të votohet për shpërndarjen e tij. GLPS rekomandon që të shfrytëzohet ky moment për të kaluar këto projektligje sipas nenit 85 të Rregullores së Kuvendit, i cili parasheh procedurën e përshpejtuar në raste të veçanta, ku një nga rastet është interesi financiar, siç është në këtë rast”, ka theksuar Istrefi.

Në tetor të vitit 2024, Qeveria pati miratuar Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Nga Plani i Rritjes, Kosova pritet që të përfitojë mbi 882 milionë euro. Por, për t’u lëshuar këto fonde fillimisht kërkohet ratifikimi në Kuvend i Marrëveshjes për Instrumentin e Planit të Rritjes dhe ajo për hua.