Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Hoti: Unë nuk mund ta rrah Shkëlzen Gashin

hoti

Foto: Driton Paçarada

Në Komisionin parlamentar për Vlerat e Luftës Çlirimtare, ministri Andin Hoti deklaroi se nuk ka pasur kompetenca përtej reagimit lidhur me ekspozitën me të dhëna të pasakta për masakrat në Kosovë. Por deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se angazhimi i ministrit duhej të ishte në drejtim të identifikimit të qëllimit të ekspozitës së bazuar në të dhëna të librit që për autor ka Shkëlzen Gashin

Me përplasje verbale mes deputetëve të pushtetit dhe atyre të opozitës është shoqëruar raportimi i ministrit për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, në Komisionin parlamentar për Vlerat e Luftës.

“Nuk mund ta rrah Shkëlzen Gashin”, tha ministri Hoti kur u pyet për masat që duhet të merren për ekspozitën në sheshin e Prishtinës me të dhëna të pasakta për masakrat në Kosovë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Hoti tha se përmes kësaj teme tentohet të sulmohet kryeministri Albin Kurti, pasi autori i ekspozitës, Gashi, ka qenë këshilltar i tij.

“Shkëlzen Gashi nuk është Albin Kurti. Shkëlzen Gashi nuk është as këshilltar i im. Shumë kanë qenë këshilltarë të PDK-së, zonja deputete, që i njihni goxha mirë edhe unë edhe ju. Jam ndër të parët që kam reaguar kur Shkëlzen Gashi, i cili ka cenuar vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para 5 a 6 vjetësh. Unë nuk mund ta rrah Shkëlzen Gashin”, është kundërpërgjigjur ai ndaj kritikave të deputetëve opozitarë.

Hoti tha se nuk ka pasur përgjegjësi dhe kompetenca lidhur me ekspozitën, përveç reagimit që tha se e ka bërë. Ai shtoi se do ta procedojë në Kuvend Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se mandati i ministrit shkon përtej reagimit në Facebook.

“Për këto çështje këtu jeni ekzekutiv, nuk jeni për të reaguar. Për të reaguar janë qytetarët, mediat, shoqëria civile, deputetët. Ju keni mandat ekzekutiv. Nëse mendoni që ju jeni vetëm për të reaguar, për të mos marrë masa ndaj kujtdo qoftë, nuk thashë masa penale, sepse nuk e ke atë kompetencë, por masa politike, ekzekutive por edhe për të kërkuar financim nga taksat qytetare dhe qëllimin ta evidentoni jeni pikërisht, juve jua kanë deleguar këtë kompetencë”, ka thënë Zemaj.

Atij i reagoi kryetarja e komisionit, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, e cila tha se çështja e ekspozitës po politizohet për shkak të lidhjes së autorit me kryeministrin.

“Për keqardhje je edhe ti që po bënë politikë vazhdimisht me këto tema, po e ndërlidhë me aty ku s’duhet. Këshilltar i kujt ka qenë, më e rëndësishme është kjo”, ka thënë Mulhaxha-Kollçaku.

“I kujt ka qenë, i kujt ka qenë?”, i është kundërpërgjigjur Zemaj, i cili më pas u largua nga mbledhja, me arsyetimin se do të marrë pjesë në intervistimin e kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, proces që po zhvillohej në një sallë tjetër.

Ministri Hoti tha se pasaktësitë në ekspozitë prekin edhe familjarët e tij, përfshirë babanë e tij, Ukshin Hoti.

E deputetja e PDK-së, Arbnorë Salihu, tha se në kabinetin Kurti 3, vetëm për ministrin Hoti beson që e ka të sinqertë angazhimin për vendin. 

Ajo përmendi deklaratat e ministres Donika Gërvalla lidhur me deponimin e dëshmive në Gjykatën Speciale dhe një postim në Facebook të ministrit Hekuran Murati lidhur me veteranët e lutës.

“E di që ministri e ka shumë të vështirë të funksionojë dhe të punojë, sepse është i rrethuar me Mimoza Kusari-Lilën e cila, e kemi të faktuar, janë përgjime, e ka pranuar edhe vetë, për fjalët e saj ku është koordinuar me Milan Radoiçiqin”, ka thënë Saligu

Asaj i është kundërpërgjigjur Mulhaxha-Kollçaku, e cila është kryetare komisioni.

“A flasim për aferën pronto t’i hyjmë gjerë e gjatë kush, çka ka përgjuar”, ka thënë ajo.

Më 24 mars, me përkrahje financiare të Kuvendit, në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë ishte vendosur ekspozita “Masakrat në Kosovë”, e cila përmbante të dhëna të pasakta për numrin e viktimave dhe në disa raste i paraqiste të vrarët si të armatosur. 

Pas valës së reagimeve e kritikave për pasaktësi, në fund të marsit janë larguar nga sheshi kryesor i Prishtinës tabelat e ekspozitës. Autori i ekspozitës, Shkëlzen Gashi, hoqi përgjegjësinë, duke thënë se është shërbyer me të dhëna të disa organizatave, përfshirë ato të Fondit për të Drejtën Humanitare.

Por, e përgënjeshtroi Fondi, duke theksuar se Gashi s’diti t’i lexojë as të dhënat. 

“Është veçanërisht shqetësuese që Shkëlzen Gashi përpiqet të zhvendosë përgjegjësinë për këto gabime te Fondi për të Drejtën Humanitare. Kjo përbën një përpjekje për të diskredituar bazën më të besueshme të të dhënave për viktimat e luftës në Kosovë. Është e domosdoshme të ndërpritet paraqitja arbitrare dhe joprofesionale e krimeve dhe fatit të viktimave”, thuhet në reagimin e Fondit.

Autori i ekspozitës është kundërpërgjigjur pastaj.

“Sqarojmë se askund nuk kemi thënë që Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë se në momentin e vrasjes, 48 persona të vrarë në Burgun e Dubravës kanë qenë të armatosur e duke luftuar. As ne nuk po themi që këta persona janë vrarë duke luftuar. Por, kemi thënë se në listën e Fondit për të Drejtën Humanitare këta persona FIGUROJNË si të armatosur-ushtarë”, ka thënë Gashi.

Përpos reagimeve, është aktivizuar edhe prokuroria, e cila ka bastisur banesën e Gashit.

Ka pasur edhe një protestë dhe debat në Kuvend, ndërkaq një Projektrezolutë për të vërtetën historike të luftës është paraparë të vihet në rend dite në seancën parlamentare të së premtes.