LAJMET E MBRËMJES

Ish-asamblisti Mujeci i dënuar për trafikim droge apelon aktgjykimin

Ish-këshilltari i Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës nga radhët e VV-së, Besnik Mujeci, është dënuar nga shkalla e parë në Shqipëri për shitje droge. Mujeci është në paraburgim në Shqipëri dhe në pritje të gjykimit në shkallën e dytë pas ankesës së mbrojtës

Ish-asamblisti i Vetëvendosjes që u zu në flagrancë me drogë më 14 gusht 2023 nga Policia e Shqipërisë, në Tiranë, është dënuar në shkallë të parë dhe është në pritje të datës së gjykimit në shkallë të dytë. 

Kundër vendimit gjyqësor për ta dënuar atë me 4 vjet e 8 muaj burgim ka parashtruar ankesë avokati i tij, Marsel Çaushaj, dhe avokatët e të bashkakuzuarve të tjerë. 

E gjyqtarja në Gjykatën e Apelit në Tiranë, Edlira Petri, ka thënë për KOHËN se institucioni ka pranuar ankesa nga mbrojtësit e të akuzuarve më 18 shkurt 2025 dhe se gjykimi do të nisë së shpejti, meqë dy nga të pandehurit janë nën masën e paraburgimit. 

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar më 26 dhjetor 2024 ish-anëtarin e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, Besnik Mujeci, me katër vjet e tetë muaj burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shtetasin e Kosovës M.R gjykata e ka dënuar po ashtu me katër vjet e tetë muaj burgim, kurse shtetasit e Shqipërisë K.P., A.M. dhe D.A. me nga tre vjet burgim me kusht që të mos kryejnë veprën penale dhe të jenë në kontakt me shërbimin sprovues. 

Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Arben Dosti pati vlerësuar se nuk ka kushte për ta lënë Mujecin në liri.

“Në lidhje me të pandehurit M. R. dhe B. M. gjykata vlerëson se ata nuk i plotësojnë kushtet për pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënien në provë. Kjo për shkak të rolit të tyre si bashkëpunëtor në shitjen e lëndës narkotike. Kështu kanë qenë të pandehurit M. R.dhe B.M. ata që kanë siguruar lëndën narkotike të llojit”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë. 
Në operacionin policor, ku ishin arrestuar Mujeci dhe të tjerët, policia kishte sekuestruar 11 mijë e 300 tableta që dyshoheshin si ekstazi me logo të markës së shtrenjtë “Lois Vuitton”, që vlerësoheshin se kapnin vlerën mbi 400.000 euro. 

Policia në Shqipëri në operacionin “Punisher 2” përdori simulimin, duke e dërguar një zyrtar të saj për të blerë narkotikë te tani e akuzuara A.M. Blerjen e parë zyrtari policor e bëri disa ditë para arrestimeve. 

“Për të kaluar në identifikimin e figurës konkrete të veprës penale, për të cilën të pandehurit M. R., B. M., D.A., K. P. dhe A. M. janë akuzuar, hetuar dhe gjykuar, gjykata çmon të theksojë se, më datë 10.7.2023, rreth orës 22:10, personi i autorizuar me emrin e koduar ‘x’, kreu blerjen e simuluar të një doze me lëndë narkotike të llojit ‘x’ te shtetasja A. M.. Gjithashtu, më datë 14.8.2023, rreth orës 16:00-18:23, pranë bar-kafe “x”, në rrugën “x”, Tiranë, bazuar në autorizimin për blerje të simuluar, punonjësi i policisë me emrin e koduar “x”, kreu blerjen e simuluar të dy pakove me tableta, në formë ‘x’ ngjyrë të ‘x’., me mbishkrim ‘x’, të cilat rezultuan të jenë lëndë narkotike ‘x’, nga të pandehurit A. M., K. P., D.A., të cilët ishin të ulur të tre në tavolinë, si dhe të pandehurit M.R. dhe B.M., të cilët kanë furnizuar të pandehurën A.M. me këtë sasi lënde narkotike dhe kanë qëndruar në trotuar”, thuhet tutje në aktgjykim.

Policia e Shqipërisë pas arrestimit të të pandehurve pati deklaruar se destinacioni i drogës së konfiskuar ishte bregdeti shqiptar. Mujeci është përjashtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe i është marrë mandati i fituar nga votuesit e Prishtinës në Kuvendin Komunal. 

Spektri politik në Kosovë pati reaguar pas arrestimit të Mujecit, ku sekretari organizativ i LVV-së, Alim Rama, pati thënë se dukuri të tilla duhet të ndëshkohen dhe veprimet e Mujecit i pati quajtur të papranueshme.