LAJMET E MBRËMJES

Kapen municion e uniformat, që dyshohet se i përkasin autorit të shpërthimit që vrau Afrim Bunjakun

Municione, uniforma e mjete të tjera ushtarake janë kapur nga Policia në veriun e banuar kryesisht me serbë. Sipas ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, këto mjete ishin në pronësi të Nemanja Radivojeviq, i cili është i dyshuari kryesor për shpërthimin e bombës në Banjskë, që ia mori jetën rreshterit Afrim Bunjaku

Policia ka gjetur të enjten në Mitrovicë të Veriut uniforma ushtarake, antiplumb, karikatorë të armës së gjatë “AK-47” me municion, si dhe mjete të tjera ushtarake. Ato dyshohet se i përkasin autorit të shpërthimit që vrau rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia nuk ka dhënë detaje për këtë, por ka theksuar se dyshohet se i përkasin një peroni që është në kërkim për sulmin terrorist të organizuar në Banjskë të Zveçanit, të organizuar në 2023-tën.

“Nuk ka persona të arrestuar dhe dyshohet se këto armë i përkasin një personi të dyshimtë, i cili tashmë është në kërkim për rastin ‘Banjska’”, thuhet në njoftim.

Mjetet ushtarake janë gjetur në një rimorkio të enjten në mëngjes.

“Më datën 18.09.2025, rreth orës 09:45, njësia e hetimeve e Stacionit Policor Zveçan kanë hasur në një rimorkio, ku pas kontrollit kishin hasur në dy thasë me uniforma, antiplumb, 5 karikatorë të AK-47 me municion dhe pajisje të tjera ushtarake”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Mjetet e dyshimta, të cilat janë konfiskuar janë: 1 Uniformë ushtarake kamufluese, 5 karikatorë me 132 fishekë të armës AK-47, 5 fatrolla për mbajtje te karikatorëve në gjoks, 4 palë pantallona ushtrake, 4 jakne ushtarake, 3 fotrolla të radiolidhjeve, 1 antiplumb, 2 rripa brezi ushtarak, 1 jelek taktik, 1 çantë taktike, 1 helmetë e gjelbër, 1 kapelë dhe 1 dritë rrotative”, saktësohet në njoftim.

Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore. Aty është bërë e ditur se të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se uniformat e mjetet ushtarake, që u konfiskuan të enjten në veri, ishin pronë e Nemanja Radivojeviq, i njohur si “Gandi”. 

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se Radivojeviq është i dyshuari kryesor për shpërthimin e bombës, që ia mori jetën rreshterit të policisë Afrim Bunjaku, më 24 shtator 2023, në Banjskë.

Sveçla ka theksuar se për aq kohë sa Serbia refuzon t’i dorëzojë këta persona, “ata mbeten një rrezik i drejtpërdrejtë për Republikën tonë”.

“Pajisjet e gjetura sot janë dëshmi të qarta se ky grup kriminal, i dirigjuar nga Serbia, ka bërë përgatitje të gjata dhe nuk ka hequr dorë kurrë nga përpjekjet për të cenuar rendin juridik e kushtetues të Republikës së Kosovës. Por shteti ynë, institucionet tona të sigurisë, janë më të shtrira e më të forta se kurrë në këtë pjesë të vendit dhe nuk do të tolerojnë as edhe një grimcë të këtyre elementeve kriminale e terroriste të cenojnë Kosovën”, ka shkruar Sveçla.

Gjatë sulmit në Banjskë janë vrarë tre pjesëmarrës në të, ndërsa tre të tjerë janë kapur nga Policia. Por, dhjetëra pjesëmarrës janë larguar në Serbi, përfshirë Milan Radoiçiqin, i cili ka marrë përsipër sulmin. Vitin e shkuar, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, për role të ndryshme që kanë pasur brenda grupit, duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste, e deri te financimi dhe shpëlarja e parave.