Korporata Energjetike e ka pezulluar të premten tenderin më të madh për rehabilitimin dhe për modernizimin e njësisë A3 të termocentralit “Kosova A”. E ka bërë këtë, pasi që kompania “Tra Projects” është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit për kritere diskriminuese. Pas vendimit kanë polemizuar në rrjete sociale deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, dhe Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati
Është pezulluar tenderi në vlerë mbi 137 milionë euro për rehabilitimin dhe për modernizimin e njësisë A3 të termocentralit “Kosova A”, një ditë para mbylljes së afatit për dorëzimin e ofertave.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) e ka marrë vendimin të premten, pasi që kompania “Tra Projects” është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për kritere diskriminuese.
“Janë aplikuar kritere kufizuese. Në mënyrë të paarsyeshme e kanë penguar pjesëmarrjen tonë, duke e cenuar të drejtën për konkurrim të lirë dhe të drejtë”, thuhet në ankesën e operatorit.
Në këtë kompani janë ankuar edhe për refuzim të kërkesës për shtyrje të afatit, duke vlerësuar se janë vendosur në pozitë më të favorshme operatorët e huaj dhe më të mëdhenj, në dëm të kompanive vendore.
“Ne e kemi dëshmuar përgatitjen dhe përvojën profesionale për ta realizuar kontratën, mirëpo afati i pamjaftueshëm na e ka pamundësuar që ta paraqesim dokumentacionin e plotë në përputhje me kërkesat e dosjes së tenderit”, thuhet në ankesë.
E, në platformën e-prokurimi, KEK-u ka njoftuar për pezullim të aktivitetit më të madh të prokurimit.
“Të gjithë tenderët e dërguar para pezullimit të aktivitetit janë fshirë nga sistemi. Tenderuesit të cilët kanë ngarkuar dokumente ose dërguar tenderët në mënyrë elektronike, duhet që përsëri t’i dërgojnë tenderët duke e krijuar një tender të ri nga fillimi”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Ky vendim është pasuar me përplasje të re në distancë midis deputetes së Lidhjes Demokratike (LDK), Hykmete Bajrami, dhe Ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
Sipas deputetes Bajrami, pezullimi i tenderit dhe fshirja e ofertave ngjallin dyshime për keqpërdorim.
“Ky pezullim nuk duket si veprim përgjegjës, por si një hap për ta mbuluar një skemë të mundshme korruptuese me vlerë 137 milionë euro. Pezullimi i sotëm duket si manovra e radhës për ta rikthyer nesër tenderin me të njëjtat probleme dhe përfitues të dyshimtë”, ka shkruar Bajrami në një postim në “Facebook”.
E ministri Murati e ka akuzuar opozitën e mandatit të kaluar dhe deputeten Bajrami për pengim të punës në regjenerimin e kapaciteteve në KEK.
“Në vend se puna të ecte dhe blloku A3 të rehabilitohej sa më shpejt, do të kemi vonesa të reja, sepse opozitës i pengon çfarëdo rritje e kapaciteteve publike. Ngjashëm e patën sulmuar edhe kontratën me ‘General Electric’ për ndërrim të turbinave të TC ‘Kosova B1’ dhe ‘B2’, projekt që e rrit jetëgjatësinë e dy blloqeve dhe e shton kapacitetin gjenerues…”, ka shkruar Murati.
Për këtë është kundërpërgjigjur deputetja Bajrami, duke thënë se në vend që të shpifë, Murati duhet që të shpjegojë përse tenderi është bërë pa studim fizibiliteti dhe se si negociohen kushtet për pasuri shtetërore me 6 kompani.
“Ky tender është hapur më 22 janar, është shtyrë disa herë dhe tash është pezulluar. Jo, fajet i keni ju dhe njerëzit që i keni çuar në KEK, që s’po punojnë për qytetarë, po për mafinë energjetike. Njëri prej tyre, z. Nagip Krasniqi, po jep llogari në gjykata, ku dje nisi procesi gjyqësor ndaj tij për tregti me energji elektrike”, ka shkruar Bajrami.
E pas këtyre përplasjeve dhe polemikave të shumta kanë reaguar në KEK.
Sipas kësaj ndërmarrjeje, çdo ankesë e dorëzuar në OSHP e pezullon automatikisht procedurën deri në marrjen e një vendimi zyrtar.
“KEK-u është i bindur se ankesa në fjalë është e pabazuar dhe ka kërkuar nga OSHP-ja që ta trajtojë rastin me prioritet të lartë, duke e pasur parasysh rëndësinë strategjike të këtij projekti për sektorin energjetik dhe sigurinë energjetike të vendit. Kjo bindje është mbështetur edhe nga raporti zyrtar i përpiluar nga Eksperti Shqyrtues i OSHP-së (nr. lëndës 2025/0579), i cili e rekomandon Panelin Shqyrtues që ankesa e operatorit ekonomik ankues të refuzohet si e palejuar”, thuhet në reagimin e KEK-ut.
Në KEK kanë thënë, po ashtu, se janë të përkushtuar që procesi të zhvillohet në mënyrë transparente dhe të drejtë, me konkurrencë të hapur dhe në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurimin Publik.
Nga 21 shkurti, kompanitë kanë pasur mundësi që të ofertojnë për tenderin për modernizimin dhe rehabilitimin e njësisë A3 të “Kosovës A”.