Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kërkohet burgim i përjetshëm për të akuzuarit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Nis fjala përfundimtare për vrasjen e trefishtë në Gllogjan më 2021

Foto: KOHA

Prokurorja Sahide Gashi ka kërkuar burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit që vranë tre persona më 2021 në Gllogjan, përfshirë dy të mitur. Kërkesë të njëjtë kanë bërë edhe familjarët e viktimave. E një nga ta, ka paralajmëruar edhe hakmarrje, sipas kanunit

Dënim me burgim të përjetshëm për Kastriot, Kreshnik e Halil Mehmetajn ka kërkuar të enjten Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë fjalës përfundimtare në procesin gjyqësor për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, që ka ndodhur rreth 5 vjet më parë.

Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Prokuroria argumenton se për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme rënduese, dënimi me burgim të përjetshëm është i domosdoshëm. Kjo nuk është vetëm kërkesë e Prokurorisë; kjo është kërkesa e vetme për të rivendosur besimin te ligji dhe për t’u dhënë sadopak paqe shpirtrave të viktimave. Kryerja e vrasjës së trefishtë në mënyrë të planifikuar, ku dy nga viktimat ishin të mitur”, ka thënë prokurorja Gashi.

Ajo i ka propozuar Gjykatës, t’i konfiskojë edhe disa armë.

Më 26 nëntor 2021, rreth orës 19:00 në fshatin Gllogjan të Deçanit, është kryer sulm i armatosur në një autobus, në të cilin është vrarë ngasësi Gani Gjokaj, si dhe dy nxënës që ishin pasagjerë. 
Sipas prokurores, cak i vrasjes ishte Gjokaj, për motive hakmarrjeje.

“Familja e Halil Mehmetajt përjetoi një tragjedi të rëndë, një vetëvrasje e vajzës së tyre Heroinës, kjo ishte një dhimbje që asnjë prind nuk duhet ta përjetoi. Por të nderuar trup gjykues, në vend që kjo familje të kërkonte paqe, ata kërkuan një fajtor. Ata deshtën ta bëjnë një gjyq privat, viktima e këtij gjyqi ishte Gani Gjokaj, shofer i autobusit”, ka thënë ajo.

Ajo theksoi se edhe deklaratat e nxënësve që u mbijetuan plumbave, tregojnë për, siç tha, një nga masakrat më rrëqethëse të historisë së pasluftës.

Propozimin e Prokurorisë për burgim të përjetshëm për të pandehurit, e mbështetën edhe familjarët e fëmijëve viktima. E njëri nga ta tha se pavarësisht epilogut të gjykatës, do të veprojë edhe sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit.

“Pak jam më i qetë se unë po e di kush ma ka vra djalin, e kam ditë në fillim. Ia kom lon drejtësisë, deri te kryn drejtësia unë ko me njek, veç drejtësinë ko me ndjek. Edhe kur të kryhet drejtësia, atëherë kemi punë me Kanunin e Lekë të Dukagjinit”, ka thënë Beqë Hamzaj, familjari i njërit prej viktimave i cili ishte fëmijë.

“Edhe unë jam për burg të përjetshëm për ta, se na kanë vra fëmijët në Gllogjan”, ka thënë Florim Mustafaj, familjar i viktimës tjetër fëmijë.

Po ashtu edhe përfaqësuesi ligjor i viktimave, Dëmë Hasanaj kërkoi dënim kapital.

“Në imagjinatën e tyre të padjallëzuar për ta ndërtuar jetën përpara. Por kryesit e krimit nuk kursyen asgjë dhe përgjithmonë ua mbyllën sytë, kurse i lan me vaj në buzë familjarët e të cilët tani duan drejtësi”, ka thënë ai.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit kryen sulmin për motive hakmarrjeje, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin. 

Në aktakuzë thuhet se cak i vrasjes ishte qenë shoferi i autobusit, tani i ndjeri Gani Gjokaj dhe se vrasja ka ndodhur për hakmarrje, pasi familja Mehmetaj e ka ka fajësuar atë si shkaktar të vetëvrasjes së vajzës së tyre Heroina Mehmetaj.

Në aktakuzë thuhet se, i pandehuri Halil Mehmetaj, ishte betuar në hakmarrje ndaj tani të ndjerit Gjokaj, si dhe me rastin e ceremonisë së varrimit të të ndjerës, vajzës së tij, në arkivolin e saj ka vendosur orën e tij të dorës.

Po ashtu në aktakuzë përshkruhet se si të akuzuarit në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin kanë studiuar terrenin me kujdes, duke u siguruar se nuk ka mbulueshmëri të kamerave dhe shtëpi në afërsi, duke i zënë priten autobusit që vinte nga Gjakova në drejtimin e Gllogjanit dhe pastaj njëri nga ta kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke i lënë të vdekur tre persona.

Sipas organit të akuzës, i pandehuri Kastriot Mehmetaj pasi ka marrë pushkën automatike AK-47, është nisur në këmbë deri tek vendi i ngjarjes dhe me të vërejtur dritat e autobusit, ka dalë në mes të rrugës i kthyer më shpinë nga automjeti dhe me qëllim që ta detyrojë të ulë shpejtësinë apo ndalojë, ka bërë sikur është i dehur. Dhe kur shoferi fillimisht e ka sinjalizuar me drita të gjata e pastaj edhe ka ulur shpejtësinë, sipas aktakuzës, i pandehuri Kastriot Mehmetaj në distancë prej rreth 6 metrash ka marrë në shënjestër shoferin e autobusit, tani të ndjerin Gani GJokaj dhe e ka goditur për vdekje, e po ashtu godet edhe dy nxënës L.H. 17-vjeçar dhe G.M. 17-vjeçare, si dhe i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore F.T.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Kastriot Mehmetaj ka ikur në drejtim të fshatit Shaptej, ku në mes të rrugës ishte duke e pritur me veturë i pandehuri Kreshnik Mehmetaj dhe pasi ka mbërritur në shtëpi ka shkatërruar armën.

E i pandehuri Halil Mehmetaj, nga data 14 qershor 2020, gjerë më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan, në rrugën “Ismajl Haradinaj”, ka shtyrë të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, në vrasjen e tani të ndjerit Gani Gjokaj, të cilin para tyre e ka fajësuar si shkaktar të vetëvrasjes së vajzës së tij Heroina Mehmetaj.

Në fillim të procesit gjyqësor, ata janë deklaruar të pafajshëm.