LAJMET E MBRËMJES

Kërkohet drejtësi, përkujdesje dhe rehabilitim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Drejtësi, njohje dhe mbështetje për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë është kërkuar të enjten, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt. Nëpërmjet fushatës “Trauma nuk ka afat”, përfaqësues të organizatave që i përfaqësojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale në luftë, ata të shoqërisë civile dhe të institucioneve shtetërore kanë theksuar se pasojat e këtij krimi janë afatgjata

Dhuna seksuale e përjetuar gjatë luftës në Kosovë mbetet ende një barrë e rëndë për mijëra gra dhe burra, është theksuar të enjten në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt.

Në kuadër të fushatës “Trauma nuk ka afat”, në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) kanë kërkuar drejtësi, njohje të statusit dhe mbështetje për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. 

Feride Rushiti, drejtoreshë e QKRMT-së, ka thënë se pasojat afatgjate të dhunës seksuale në luftë shërohen me drejtësi, përkujdesje dhe rehabilitim. Ajo e ka kualifikuar si të papranueshme vendosjen e afatit për parashtrimin e kërkesës për njohjen e statusit të viktimës së dhunës aktuale e i cili aktualisht është deri më 15 maj të vitit 2027.

“Përcaktimi i kufizimit kohor për njohjen e statusit të tyre, por edhe programet rehabilituese dhe qasja në drejtësi është një lloj pabesie që në vetvete e mohon vetë krijimin dhe pasojat e këtij akti makabër. Ne si shoqëri dhe institucione nuk mund të vendosim afate për njohje ligjore të viktimave. Ato duhen të dëgjohen, të ndihen dhe të përkrahen... Këtu jemi mbledhur për të treguar se trauma nuk ka skadim, ashtu siç nuk ka afat edhe kërkesa për drejtësi”, ka theksuar ajo.

Jonathan Hargreaves, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë, ka theksuar se dhuna seksuale është ende duke u përdorur si armë dhe si strategji e qëllimshme e luftës.

“Sot është një mundësi që ta pranojmë dhe ta luftojmë këtë, por gjithashtu një ditë që ta festojmë qëndrueshmërinë dhe t’i bëjmë thirrje drejtësisë. Është një ditë që ta theksojmë besimin tonë se të mbijetuarit kurrë më nuk duhet të heshtin ose të injorohen, por të njihen, të përkrahen dhe të fuqizohen. Ju e njihni dhimbjen, por e njihni edhe forcën”, ka thënë Hargreaves.

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt janë bërë homazhe të mërkurën edhe në parkun “Heroinat” në Prishtinë.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë me këtë rast se Qeveria i ka adresuar krimet e luftës.

“Siç jeni në dijeni, Qeveria e ka themeluar Institutin për Krimet e Luftës, ku do të dokumentohen,  identifikohen dhe të hulumtohen të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë... Kemi mundësuar rritjen e kapaciteteve në Prokurori Speciale për adresimin e krimeve të luftës dhe kemi mundësuar gjykimin në mungesë duke pasur parasysh që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës”, ka theksuar Haxhiu.

Në kuadër të shënimit të kësaj dite, “Medica Gjakova” ka organizuar një aktivitet simbolik me 20 silueta që i përfaqësojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. 

Çdo siluetë ka përmbajtur nga një mesazh të vërtetë prej të mbijetuarve, të shkruar në tri gjuhët zyrtare të Kosovës.

E në Strasburg artistja nga Kosova, Alketa Xhafa-Mripa, ka realizuar një instalacion me titull "Mendoj për Ty”. Për këtë instalacion kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shkruar në rrjete sociale se si një artiste nga Kosova me famë ndërkombëtare, Xhafa-Mripa vazhdon të flasë për ato dhe ata që nuk do të harrohen kurrë. 

“E rrënjosur në vuajtjet e të mbijetuarve të Kosovës – 20.000 gra, fëmijë dhe burra të dhunuar gjatë luftës - puna e Alketës i tejkalon kufijtë. Ajo kujton, por edhe kërkon. Zgjon ndërgjegjen, bën thirrje për llogaridhënie dhe këmbëngul që drejtësia duhet të mbizotërojë. Përmes artit të saj Kosova qëndron krenare - jo vetëm si një vend që ka duruar, por edhe që udhëheq. Nuk mund të ketë shërim pa drejtësi. Nuk ka paqe pa i dhënë fund pandëshkueshmërisë”, ka shkruar ai në Facebook.

Bazuar në të dhëna të organizatave të shoqërisë civile, gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë janë evidentuar rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale. Mbi 1 mijë e 700 personave tashmë i është njohur statusi i të mbijetuarve.