Është arritur marrëveshja mes Komunës së Prishtinës dhe sindikatës greviste të “Pastrimit” për ndërprerjen e grevës. Komuna u zotua se do t’i plotësojë kërkesat e punëtorëve. E këshilli grevist tha se nëse nuk do të plotësohen kërkesat e tyre, do të vazhdojnë me greva e protesta.
Pas rreth një muaji grevë, punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi” kanë ndërprerë grevën
pasi është arritur marrëveshje mes Komunës së Prishtinës dhe sindikatës së grevistëve “Pastrimi”.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, në një konferencë për media ka thënë se kanë qenë në mbështetje të punëtorëve dhe se është propozuar subvencionimi i pagave të punëtorëve.
“Qëndrimi ynë ka qenë gjithmonë i qartë – ne i kemi mbështetur punëtorët dhe kemi insistuar që të gjendet një zgjidhje. Në disa seanca kemi propozuar subvencionimin e pagave që të mos cenohet paga e punëtorëve. Kemi pritur dhe takuar përfaqësuesit e tyre dhe i kemi marrë kërkesat e tyre seriozisht. Sot jemi pajtuar me punëtorët, por kjo nuk do të thotë se jemi pajtuar edhe me menaxhmentin e ndërmarrjes ‘Pastrimi’, i cili fatkeqësisht ka ndihmuar në përhapjen e dezinformatave. Është lënë kryeqyteti me mbeturina për shkak të kësaj situate”, tha Dushi.
E nënkryetari i Sindikatës së “Pastrimit”, Shpend Qosa, ka deklaruar se kërkesat e punëtorëve janë pranuar dhe mjetet e arkëtuara do të transferohen nga e mërkura, në mënyrë që të mundësohet rifillimi i punës.
“Kërkesat tona, të cilat kanë qenë të drejta dhe legjitime, janë pranuar. Kemi marrë zotim nga nënkryetari që këto pika do të trajtohen dhe zgjidhen. Presim që mjetet e inkasuara të fillojnë të transferohen në llogarinë tonë nga nesër, dhe ne të rifillojmë menjëherë punën. U kërkojmë ndjesë qytetarëve që nuk kemi mundur ta kryenim shërbimin dhe i ftojmë që pagesat për mbeturina t’i bëjnë te ndërmarrja ‘Pastrimi’. Në rast se këto zotime nuk realizohen, do të rikthehemi në protesta – dhe nuk e dimë si mund të përfundojnë ato”, tha Qosa.
Ai paralajmëroi se nëse marrëveshja nuk respektohet, do të ndërmarrin masa të tjera.
E kryeshefi i “Pastrimit”, Petrit Reçica, ka thënë se “është arritur një zotim”.
Reçica në një video në Facebook ka thënë se është arritur dakordim që të gjitha mjetet e arkëtuara nga Komuna e Prishtinës për periudhën janar – qershor të vitit 2025, për menaxhim të mbeturinave, të transferohen te “Pastrimi”.
Punëtorët e “Pastrimit” ishin në grevë gati tash e një muaj, me kërkesën kryesore për shlyerjen e një borxhi prej 2.7 milionë eurosh, për të cilin kompania thotë se i takon Komunës – pretendim që është mohuar nga zyrtarët komunalë.
Ndër kërkesat e tyre ishte edhe ndalimi i operatorëve privatë në grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet.
Fillimisht grevistët kishin bllokuar rrugën me disa kamionë përpara objektit të Komunës, por më pas kishin larguar automjetet dhe kishin vazhduar grevën në formë të qëndrimit në oborr.
Gjatë kësaj periudhe shumë lagje të Prishtinës kishin mbetur pa u pastruar, duke nxitur ankesa të shumta nga qytetarët. Komuna kishte premtuar disa herë zgjidhje për situatën, e cila duket se është arritur sot përmes marrëveshjes së fundit.
Faturimi, arkëtimi dhe kryerja e shërbimit të mbledhjes së mbeturinave, pas vendimit të Gjykatës Supreme, do të bëhet nga ana e “Pastrimit”, sipas rregullores në fuqi të kryeqytetit.