Zyra e prokurorit të specializuar i ka kërkuar 180 vjet burgim për ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi . Në paraqitjen e fjalës përfundimtare prokurorët thanë se anëtarët e shtabit vendosnin t’i lironin kur të donin të ndaluarit
45 vjet burgim për secilin të akuzuar ka kërkuar Zyra e Prokurorit të Specializuar në fillim të shpalosjes së fjalës përfundimtare në rastin gjyqësor kundër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Kryeprokurorja Kimberly West tek ka kërkuar dënimin për ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Vesli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefin e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimin, i vuri në pah para gjykatës dëshmitë e familjarëve të të zhdukurve.
West tha se janë bërë përpjekje për të ndikuar, zbutur ose për të ndryshuar dëshmi të caktuara, në veçanti për përfitime të të akuzuarit Thaçi.
“Ata rrezikuan për të ardhur këtu për të përshkruar trishtimin e tyre, ndjenjat e mërzisë dhe të tragjedisë së humbjes së anëtarëve të familjeve të tyre. Dëshmitari 04811 shpjegoi, po citoj, 25 vjet dhe asnjë përgjigje dhe ne nuk dimë se çfarë ka ndodhur dhe kjo është ajo që të vret më shumë”, tha West.
Tek foli për Thaçin, Prokuroria e vuri theksin te dëshmia e ish-zyrtarit të “Human Rights Watch”, Fredrick Abrahams, kur ai foli për lirimin e dy punonjësve të “Tanjugut”.
Thaçi, sipas dëshmitarit, i ka thënë se ata s’mund t’i lironte pa lejen e gjykatës ushtarake të udhëhequr nga Sokol Dobruna.
“Human Rights Watch nuk mund të ndërhynte me procesin gjyqësor, kjo është ajo që tha Thaçi dhe nuk ishte e mundur që autoritetet civile gjyqësore të mund të ndikoheshin prej tyre… Gjykata ka vendosur për dënime me vdekje dhe këto kanë qenë vendime që ose janë mbështetur në marrëdhënie personale dhe aktgjykimet në vetvete janë nënshkruar nga persona që nuk ishin pjesë e gjykatës, përfshirë këtu persona që ishin pjesë e Shtabit të Përgjithshëm”, tha prokurorja Clare Lawson.
Si argument për përgjegjësinë e Krasniqit, ZPS-ja shfaqi në ekran një urdhëresë për paraqitje në Shtabin e Përgjithshëm – që u drejtohet Blerim Kuçit e edhe ish-komandantit të Zonës së Pashtrikut që u vra pas luftës – Ekrem Rexha.
Aty Krasniqi është i nënshkruar si zëvendëskomandant.
E po në Kleçkë, sipas ZPS-së, mori pjesë edhe personalisht në keqtrajtim Rexhep Selimi.
“Si Blerim Kuçi edhe vëllezërit Saveliq u ndaluan në një vend në mes të Kleçkës dhe Divjakës ku e kishte selinë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Nga fundi i 98-s, deri më 22 qershor 1999 ku vend shërbeu si objekt i ndalimit i caktuar nga Shtabi i Përgjithshëm dhe menaxhohej nga Policia Ushtarake. Të ndaluarit ku bënin pjesë serbë e shqiptarë janë mbajtur për periudha të ndryshme nga disa ditë deri në disa javë. Sikurse përshkruhet në paragrafët 967 të dosjes tonë të ndaluarit janë rrahur brutalisht duke përfshirë këtu edhe nga Rexhep Selimi, ndërkohë që 11 të ndaluar janë vrarë”, tha Lawson.
Prokurorja Clare Lawson tha se dëshmitari Douglas Young, por edhe dëshmitë e tjera e kanë bërë të qartë se përveç Selimit, edhe Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli ishin në dijeni për ngjarjet në Kleçkë.
“Sikurse thuhet në dëshminë e tij dhe sikurse pasqyrohet prej tij ai mori informacion se po mbahej nga UÇK-ja. Pasi iu treguan dokumentet e Xhafiqit dhe pasi u informua se një person që u prezantua si 10-shi, nofkë e Rexhep Selimit, Xhafiqi u identifikua që ishte nën kontrollin e një formacioni të lartë. Në fakt Young ishte një prej dy dëshmitarëve që ka dhënë dëshmi përpara kësaj gjykate lidhur me njohurinë e Selimit për rrëmbimin e tij. Sikurse jepet në hollësi në pjesë të tjera të dosjes sonë, përveç Selimit, Krasniqit, Veselit dhe Dobrunës, kishte edhe persona të tjerë që kishin njohuri të drejtpërdrejtë dhe ishin të përfshirë në vendin e ndalimit në Kleçkë”, tha ajo.
E prokurori Nathan Quick tha se Shtabi i Përgjithshëm merrte vendime kolektive dhe shumica e vendimeve të tij u zbatuan dhe se kishte autoritet mbi komandantët e zonave.
Gjatë fjalës përfundimtare prokurorët u bazuan në komunikata të ndryshme të UÇK-së, sidomos ato që u drejtoheshin bashkëpunëtorëve të Serbisë, institucionalistëve dhe pacifistëve.
Kryeprokurorja West theksoi gjatë deklaratës së saj përmbyllëse se të akuzuarit kanë kryer krime për të pasur kontroll në të gjithë Kosovën.