LAJMET E MBRËMJES

Kurti dy javë në dispozicion për ta siguruar shumicën

Presidentja Vjosa Osmani ka mandatuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re. Me këtë vendim, nis rrjedhja e afatit 15-ditor brenda të cilit Kurti duhet të sigurojë mbështetjen e së paku edhe të pesë deputetëve, për ta bërë shumicën e nevojshme në Kuvend

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka 15 ditë në dispozicion që të sigurojë votat e nevojshme për t’u bërë kryeministër edhe për mandatin e ardhshëm. Të shtunën, një ditë pas konstituimit të Kuvendit, ai është mandatuar nga presidentja Vjosa Osmani për ta formuar Qeverinë e re.

Në njoftimin e Presidencës është bërë e ditur se emri i Kurtit është propozuar zyrtarisht nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt të këtij viti. Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, z. Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në të është theksuar se Osmani ia ka shprehur Kurtit pritjen që Kosova të ketë sa më parë qeveri me mandat të plotë.

“Presidentja i ka uruar suksese z. Kurti, kryeministër në detyrë, me shpresën që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues”, thuhet në njoftim.

Për ta formuar Qeverinë, Kurtit i duhen së paku 61 vota në Kuvend.

Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje, që doli e para nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ka 48 deputetë. Përkrahje ka edhe prej shtatë deputetëve që u përkasin komuniteteve joserbe, si dhe të Nenad Rashiqit, i vetmi ligjvënës serb që nuk i përket Listës Serbe.

Kurti e Vetëvendosje, të sigurt nuk e kanë mbështetjen e deputetes boshnjake Duda Balje, atij egjiptian Veton Berisha e të goranit Adem Hoxha.

Bazuar në këtë, Vetëvendosjes i duhet edhe mbështetja e së paku 5 deputetëve.

Ndërkaq, në përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë, Vetëvendosje pati zhvilluar negociata me Nismën Socialdemokrate që ka tri ulëse në Kuvend, por të cilat nuk kanë rezultuar me marrëveshje.

Të shtunën, në këtë parti nuk treguan nëse kanë siguruar votat e mjaftueshme, apo janë në negociata për to.

E, një ditë më parë, deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, e cila është nënkryetare e Kuvendit, ka deklaruar se përjashtimisht me Partinë Demokratike (PDK) dhe Listën Serbe, me subjekte të tjera ka gatishmëri për bashkëpunim.

“Ne do të vazhdojmë komunikimet me deputetët e tjerë në mënyrë që të kuptojmë më shumë nëse kanë vullnet për të qenë pjesë e qeverisjes”, ka deklaruar Haxhiu, me t’u konstituar Kuvendi, një ditë më parë.

Por profesori i shkencave politike, Dorajet Imeri, nuk ka shprehur pritjen se shumica mund të bëhet lehtë.

“Muajt që kanë kaluar dëshmojnë se mundësia për të pasur një shumicë të re parlamentare në Kuvendin e Kosovës është vërtet e vogël, por gjithsesi mbetet të shihet se si LVV-ja ka planifikuar që të arrijë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë e re”, ka thënë ai.

Imeri ka përmendur dy mundësi se si mund të përmbyllet procesi i nisur për formimin e qeverisë së re.

“Ose do të ketë një qeveri të LVV-së që mund të jetë një qeveri e pakicës ose mundësia e dytë, që është edhe më reale, është shkuarja në zgjedhje të menjëhershme”, ka thënë ai.

Përfaqësues të dy partive më të mëdha që mandatin e shkuar kanë që në opozitë, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike, të premten, nuk shprehën gatishmëri për t’u bërë pjesë e një qeverie të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, por as për të marrë drejtimin e ekzekutivit të ri, nëse LVV-ja dështon të sigurojë votat e nevojshme.

Afrimi i kohës për zgjedhjen e presidentit, është një nga arsyet që sipas kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa më parë.

“Duke pasur parasysh afatet e tjera, skadimin e mandatit të presidentes dhe obligimin për ta zgjedhur presidentin deri më 4 mars, nuk ma merr mendja se ka hapësirë për ta zgjedhur një qeveri disamujore”, ka thënë ai.

Gatishmëri për zgjedhje kanë treguar edhe në LDK.

“Në qoftë se nuk do të formohet qeveria, natyrisht që votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të jenë për shpërndarje të Kuvendit, sepse nuk mund të mbajmë peng institucionet”, ka thënë deputetja Hykmete Bajrami.

Sipas profesorit Dorajet Imeri, deklarimet e këtilla dëshmojnë se as partitë si PDK-ja dhe LDK-ja nuk kanë votat e nevojshme për votimin e suksesshëm të një qeverie, pa LVV-në.

“Partitë politike, sidomos ato që deri dje kanë qenë opozitare kanë deklaruar se janë të gatshme për të votuar shpërndarjen e Kuvendit dhe kanë parë zgjedhjet si opsionin e vetëm. Kjo dëshmon se ato nuk e shohin veten si pjesë të një qeverie të ardhshme pa Lëvizjen Vetëvendosje sepse e kanë të pamundur, së paku për momentin, numerikisht që të arrihet një numër i nevojshëm ose shumica e nevojshme në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

Me përjashtimin e çfarëdo bashkëpunimi me PDK-në e Listën Serbe, Vetëvendosjes i mbeten tri parti nga të cilat mund të kërkojë mbështetje për formimin e Qeverisë së re: LDK-ja, AAK-ja e Nisma Socialdemokrate.

E derisa me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj, u patën zhvilluar diskutime në tentim për konstituimin e Kuvendit, ftesën e Vetëvendosjes për bisedime e kanë refuzuar përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike.

Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka propozuar që të formohet qeveri nacionale e tranzicionit, si zgjidhje për të dalë nga bllokada institucionale e krijuar si pasojë e mungesës së votave për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, në pjesën e parë të këtij viti. Ajo është refuzuar nga partitë tjera. Përfaqësues të LVV-së e kanë quajtur propozimin si skenar ogurzi që e kthen Kosovën në kohë të UNMIK-ut.

Sipas Kushtetutës, nëse Qeveria nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti brenda 10 ditësh mandaton kandidatin tjetër. E nëse Qeveria dështon të zgjidhet edhe herën e dytë, presidenti shpall zgjedhjet, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.