Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në 5-vjetorin e arrestimit të tyre, ka kërkuar nga Specialja në Hagë lirimin me kusht të udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ai ka publikuar edhe një letër, përmes së cilës këtë kërkesë e ka shtruar te Dhomat e Specializuara më 2022. Lirimin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit e kanë kërkuar edhe nga PDK-ja
Në pesëvjetorin e arrestimit të ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar lirimin e tyre duke ofruar garanci për Gjykatën Speciale në Hagë. Kurti të mërkurën ka publikuar edhe një letër, me të njëjtën kërkesë, drejtuar kryetares së Speciales, Ekaterina Trendafilova, më 2022.
“Sa i përket lirimit me kusht, kanë kaluar pothuajse dy vjet qëkur të akuzuarit mbahen në paraburgim. Kjo ka qenë e vështirë jo vetëm për ta, por edhe për familjet e tyre, veçanërisht për bashkëshortet dhe fëmijët e tyre, të cilët nuk e kanë mundësinë t'i shohin shpesh të dashurit e tyre. Dhe kur e kanë mundësinë, procesi i nxjerrjes së dokumenteve, aplikimit për viza, marrjes së vizave vetëm për një numër të caktuar ditësh dhe mundësisë për të fluturuar përmes Vjenës për të shkuar në Hagë çdo muaj, ishte dhe është ende i mundimshëm. Në mënyrë që ta bëjmë këtë proces më të lehtë për familjet dhe të akuzuarit, jam i gatshëm të jap garanci shtetërore për lirimin e të gjithë të akuzuarve me kusht”, thuhet në letrën që Albin Kurti në vitin 2022 ia ka drejtuar kryetares së Speciales.
Sipas Kurtit, tre vjet më vonë kërkesa për lirimin me kusht të të akuzuarve është edhe më e arsyeshme, pasi prokuroria ka përfunduar me paraqitjen e dëshmitarëve.
“Menjëherë pasi që kishte vënë lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimin e dërguan në Burgun e Hagës ku ende po e mbajnë. Përveç tij, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Pesë vjet pritje, pesë vjet pas hekurave, ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”. Por, Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim”, ka thënë Kurti.
Lirimin e të akuzuarve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit e ka kërkuar edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Bashkë me kërkesën ka shpërndarë edhe një fotografi me katër të akuzuarit: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.
Sipas Krasniqit, procesi i gjykimit në Hagë ka dalë prej binarëve.
“Urojmë që ky proces, i dalë prej binarëve të drejtësisë dhe arsyes, të përfundojë sa më shpejt me verdiktin që e presim të gjithë, lirinë e çlirimtarëve, që ata të kthehen te familjet dhe te populli i tyre. Kosova ju pret!”, ka thënë Krasniqi.
E Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të mërkurën ka mbajtur protestë pranë zyrave të EULEX-it në Prishtinë për të kundërshtuar gjykimin që po iu bëhet ish-udhëheqësve të luftës.
Hysni Gucati, kryetar i OVL të UÇK-së, ka thënë se kur flitet për krime në Kosovë, atëherë gishti duhet të drejtohet vetëm nga Serbia.
“Sot bëhen pesë vjet pafajësi, padrejtësi, larg familjes e bashkëluftëtarëve, pesë vjet qe shumë, të dashurit e tyre kanë ndërruar jetë e ata nuk ishin aty, as për të dhënë lamtumirën e fundit, për një luftë që sollën lirinë, paqen dhe shtetin tonë. Ne sot kemi dalë t’u tregojmë UNMIK-ut, EULEX-it dhe ndërkombëtarëve që keni mbajtur peng njerëzit, i keni kidnapuar ata njerëz qe sollën lirinë, pavarësinë dhe paqen e demokracinë. EULEX-i dhe njerëzit e tij tentojnë që luftën çlirimtare të Kosovës ta barazojnë me hordhitë serbe-çetnike paramilitare. Ne nuk jemi ata që kemi bërë krime”, ka deklaruar Gucati.
Gucati është një prej të dënuarve të Speciales. Ai bashkë me Nasim Haradinajn kanë vuajtur dënimin për pengim të administrimit të drejtësisë. Për këtë vepër janë gjykuar ose po gjykohen edhe disa të tjerë.
E, për krime lufte nga të gjitha shkallët e Speciales është dënuar Salih Mustafa me 15 vjet burgim. Pjetër Shala është dënuar me 13 vjet burgim nga Apeli i Speciales.
Aktakuza ngarkon Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin me përgjegjësi për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime. Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme të Kosovës, si dhe në veri të Shqipërisë.
Sipas aktakuzës, viktimat përfshinin persona të dyshuar se ishin kundër UÇK-së dhe më vonë Qeverisë së përkohshme të Kosovës – në mesin e tyre: anëtarë të komuniteteve serb, rom dhe ashkali, katolikë, civilë të dyshuar për bashkëpunim me autoritetet serbe, si dhe shqiptarë që mbështetën parti të tjera ose nuk iu bashkuan UÇK-së.
Dhomat e Specializuara theksojnë se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime.