LAJMET E MBRËMJES

LDK-ja e rikthen ulësen që “ia rrëmbeu” PDK-ja

Lëvizja Vetëvendosje i është afruar arritjes së 51 për qind të votave të fituara nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Derisa ka mbetur më pak se 1 për qind e votave të panumëruara, renditja e subjekteve politike ka mbetur e njëjtë. Para shpalljes së rezultateve përfundimtare, KQZ-ja duhet të presë ankesat eventuale për administrimin e procesit

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) i kanë mbetur edhe 20 vendvotime pa numëruar për të shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.

Me përmbylljen e numërimit të votave me kusht e të atyre me nevoja të veçanta, renditja e subjekteve politike ka mbetur e njëjtë, por dallimi në vota ka ndryshuar.

Nga rezultatet e përmbledhura të 99.29 për qind të vendvotimeve të proceduara, Vetëvendosje prin me 50.90 për qind të votave, e pasuar nga PDK-ja me 20.28 për qind, LDK-ja me 13.27 për qind e AAK-ja me 5.51 për qind.

Ndërkaq në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, të mërkurën ka vazhduar numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi përmes postës, derisa pritet edhe ardhja e pakove përfundimtare.

Kjo ka bërë që LDK-ja sërish ta kthejë ulësen e 15 në Kuvend te cilën një ditë më parë ia rrëmbeu PDK-ja. 

“Ende nuk janë sjellë në Kosovë edhe 3,185 pako me fletëvotime, që janë tërhequr më 2 dhe 5 janar nga kutitë postare në Paris (1,962), Berlin (633), Hagë (61), Podgoricë (125) dhe Otavë (404)”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. 

Elezi ka bërë të ditur se pas numërimit të këtyre fletëvotimeve e pas shqyrtimit të ankesave eventuale mund të bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare.

“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, ka thënë ai.

Sipas rezultateve aktuale, LVV-ja pritet të ketë  57 deputetë në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 15 e AAK-ja gjashtë.