LAJMET E MBRËMJES

LVV-ja fton LDK-në për koalicion - Abdixhiku: Qëndrimin tonë tashmë e dini

Në letrën drejtuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti e ka përjashtuar koalicionin me PDK-në, e cila deri tash u është përgjigjur ftesave për takime. Në letrën e dërguar të hënën, Kurti ka shkruar se votuesit e LVV-së dhe LDK-së e preferojnë koalicionin mes këtyre dy partive. Abdixhiku ka thënë se LDK-ja do t’i përgjigjet ftesës me seriozitetin që meriton, teksa disa orë më vonë ka thënë: “Ju e dini qëndrimin e LDK-së”. E bashkëpartiaku i tij, Ekrem Hyseni, ka thënë se çdo marrëveshje duhet të përfshijë edhe postin e presidentit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, i ka bërë ofertë Lidhjes Demokratike të Kosovës për koalicion. 

Këtë e ka bërë përmes një letre që ia ka dërguar të hënën kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. 

Në këtë ftesë për takim Kurti ka thënë se është i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në. 

Aty ka theksuar se edhe po të mbaheshin së shpejti zgjedhjet, qytetarët më shumë do ta preferonin koalicionin VV-LDK. 

“Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK. Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë?”, thuhet në letrën e Kurtit.

Kurti në letër ka theksuar se VV-ja nuk është e interesuar për koalicion me PDK-në. 

Kurti iu referua edhe prishjes së koalicionit më 2020 me LDK-në, por ka thënë se faji nuk ishte i Abdixhikut. 

“Mospajtimet e diferencat që mund të ketë LDK me LVV sot nuk janë më të mëdha sesa që LDK i kishte para koalicioneve të mëhershme kur i bëri ato. Plus në vitin 2020 ne bashkë kemi qenë kolegë në Kurti 1, kur unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa te tjerë që nuk kanë më pozita të larta e as ndikim të madh në LDK si asokohe”, ka shkruar Kurti në letër.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pasi doli nga seanca e Kuvendit i luti bashkëpartiakët që ta ruajnë gjakftohtësinë. 
 

“Më lejoni të shkojë në zyrë të shoh letrën dhe do të kthejë përgjigje me kohë. I lus edhe njerëzit tanë që gjendjen e tanishme ta trajtojnë pa arrogancë. Do të kemi përgjigje zyrtare siç i takon një partie”, ka thënë Abdixhiku.

E pak më vonë Abdixhiku, në afërsi të selisë së LDK-së ka deklaruar se qëndrimet e LDK-së janë të njohura për opinionin. 

“Pritni keni durim, do të jem transparent si çdoherë tjetër. Qëndrimet e LDK-së tashmë i dini”, ka thënë Abdixhiku.

LDK-ja ka refuzuar ftesat për takime që i kanë shkuar nga LVV-ja si vitin e kaluar për datën e zgjedhjeve, ashtu edhe për dy takime pas zgjedhjeve të 9 shkurtit që lidheshin me konstituimin e Kuvendit. 

Deputetë të kësaj partie kanë deklaruar vazhdimisht se LVV-ja duhet ta gjejë një partnerë tjetër dhe se nuk do t’ia bëjnë votat Kurtit, as për kryeparlamentar e as për qeveri. 

Deputeti Arben Gashi ka sqaruar qëndrimin e tij, për të cilin edhe më herët ka thënë se është më ndryshe nga ai i kolegëve deputetë.

“Mënyra se si e ka shkarkuar ministrin e LDK-së, mënyra se si është sjellë në pushtet në katër vjetët e fundit janë problematike. Por unë mendoj se sërish ka mundësi, duhet të tejkalohen këto. Kushdo që të jetë kryeministër nesër, do të ulet me Vuçiqin. E nuk pranon të ulet me Albin Kurtin apo Lumir Abdixhikun apo Memli Krasniqin e Ramush Haradinajn. Është e papranueshme, e paarsyeshme. Duhet të ulen dhe të bisedojnë e të merren vesh, qoftë edhe për të shkuar në zgjedhje. Të gjitha partitë duhet ta mendojnë objektivisht dhe të jenë më konstruktivë”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë po ashtu se VV-ja duhet t’i kërkojë falje LDK-së, meqë Kurti i ka quajtur hajvana gjatë fushatës dhe për shkarkimin e Agim Veliut më 2020. 

“Problemi është se nuk e sheh askush të mundshëm bashkëpunimin me z.Kurti. ajo çka z.Kurti ka prezantuar në pesë vjetët e fundit është problematike”, ka shtuar Gashi.

E një tjetër deputet i LDK-së, Ekrem Hyseni, në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se çfarëdo marrëveshje bashkëpunimi duhet të përfshijë edhe postin e presidentit.

I pyetur për emrin e kryeparlamentarit, Hyseni ka shtuar se VV-ja ka pasur emra të tjerë që ka mundur t’i propozojë.

Albulena Haxhiu e propozuar nga Vetëvendosje, nuk ka marrë votat e nevojshme deri më tash.

“Mendoj se ka deputetë që kanë mundur të jenë të devotshëm për kryetar të Kuvendit. Po flas si aspekt politik. Koncepti për një koalicion gjithëpërfshirës duhet që në marrëveshje të jetë edhe zgjedhja e presidentit...Duhet të jetë edhe çështja e presidentit”, ka thënë Hyseni.

Sipas anëtarit të Kryesisë së LDK-së, letra e Kurtit përmban edhe elemente të panevojshme, siç ishte fjalia se ka pasur probleme me individë në LDK të cilët nuk janë më faktorë në këtë parti. 

“Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, po flas për këtë LDK që është sot dhe për këta deputetë që janë sot, nëse heziton ose jo LDK për koalicione e ka marrë përgjigjen edhe të letrës së kaluar. Është parë që ka qenë një konsistencë, edhe është mbajtur konform asaj që është premtuar... Ne jemi për me pasë institucione, por nuk jemi për me pasë koalicione për të cilat nuk ka bashkëpunim dhe është për mos të thënë e pamundshme me bashkëpunu”, ka thënë Hyseni.

E ministri në detyrë i Financave dhe deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, ka shpjeguar se në çfarë ka menduar Kurti, kur në natën e zgjedhjeve u ka thënë “hajvanë” opozitarëve.

“Nëse i referoheni citatit, aty thuhet që personat të cilët premtojnë buxhet më të lartë se GDP-ja, pra nuk kanë sens ekonomik”, ka thënë Murati. 

Murati ka deklaruar po ashtu se janë të hapur për bashkëpunim. 

“Nuk jemi të interesuar të vazhdojmë në këtë situatë. Po e ofrojmë edhe një mundësi tjetër për zhbllokim. Meqenëse ka subjekte, në këtë rast si LDK-ja, që ka thënë se duhet marrëveshje politike për të lëvizur përpara përveçse për koalicion konstituiv, duan një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ka rrjedhur si rezultat oferta apo letra në këtë rast e kryeministrit Kurti në mënyrë që të ftohen dhe të gjendet një rrugë përpara”, ka thënë Murati.  

Letra e Kurtit për LDK-në është komentuar edhe nga partitë e tjera opozitare.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se ajo është e vonuar. 

“Është dashur menjëherë pas zgjedhjeve, jo të priten 90 ditë. Është situatë e rëndë në Kosovë, po i harrojmë temat e tjera, rritja e çmimit të energjisë është bërë e rëndë për prodhuesit dhe ne jemi vend që importojmë shumë. Kanë me pasë zor me i mbajtë punëtorët, jemi duke humbur kohë, duhet të kujdeset dikush për ta”, ka thënë Haradinaj. 

E kryetari i NISMËS, Fatmir Limaj, ka thënë se përgjegjësinë për krijimin e institucioneve e kanë tri partitë e mëdha, të cilat duhet të dëshmojnë iniciativë për ta nxjerrë vendin nga kriza.

“Rrugët gjenden përmes marrëveshjeve politike, përmes kompromiseve, Kosova duhet ta shohë një shumicë parlamentare, nëse partia e parë nuk mund ta bëjë shumicën, atëherë le ta bëjnë të tjerët një shumicë, përgjegjësinë e kanë tri partitë e mëdha, që të marrin iniciativë për ta nxjerrë vendin nga kriza”, ka deklaruara Limaj.  

Ndërkohë partia më e madhe deri tash në opozitë, PDK-ja, nuk ka reaguar për letrën, por për të martën ka thirrur një konferencë. 

Herën e fundit Kurti me Abdixhikun janë takuar në gusht të 2022-tës, kur diskutuan lidhur me dialogun me Serbinë.

Atëkohë kryeministri Kurti mbajti takim me krerët e tri partive më të mëdha opozitare.