LAJMET E MBRËMJES

Mbrojtja: Trupi gjykues duhet ta shpallë të pafajshëm Krasniqin

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi

Mbrojtja ka trajtuar pretendimet e ZPS-së për autoritetin e Krasniqit pas emërimit të tij si zëvendëskomandant i UÇK-së në nëntor të vitit 1998. Avokatja e Krasniqit tha se nuk ekziston një viktimë e vetme nga qindra dëshmitarë të Prokurorisë që pretendojnë ose akuzojnë Krasniqin që i ka rrahur abuzuar ose ka qenë i pranishëm kur ata janë keqtrajtuar. Prokuroria sipas saj mbështetet kryesisht në spekulime dhe pretendime të pambështetura

Në nisje të deklaratave përmbyllëse pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, tha se klienti i saj duhet të shpallet i pafajshëm dhe të kthehet pranë familjes së tij.

Ajo theksoi në fjalën e saj se Krasniqi gjendet në paraburgim në Hagë që 1.926 ditë.

"Parashtrojmë që është vetëm një opsion që të merrni vendim pafajësie ndaj të gjitha akuzave të ngritura ndaj Jakup Krasniqit. Në fund të parashtrimit do t’iu bëjmë thirrje të nderuar gjykatës që ta shpallni të pafajshëm Krasniqin dhe ta lejoni këtë zotëri 75-vjeçar që të kthehet në familjen e tij dhe të kalojë vitet që i ka caktuar Zoti me familjen e tij", tha ajo.

Avokatja Venkateswari Alagendra tha se ZPS-ja mbështetet në spekulime dhe pretendime të pambështetura në akuzat ndaj Krasniqit. Sipas saj nuk ka asnjë dëshmitar që thotë se Krasniqi e ka keqtrajtuar.

“Të nderuar gjykatës, ju kërkoj që kur të shqyrtoni provat e paraqitura nga Prokuroria të mos harroni këto fakte. Në të gjitha provat nuk ka qoftë edhe një dëshmitar të vetëm që pretendon se Krasniqi e ka rrahur, e ka keqtrajtuar apo torturuar. Nuk ekziston një viktimë e vetme nga qindra dëshmitarë të Prokurorisë që pretendojnë ose akuzojnë Krasniqin që i ka rrahur abuzuar ose ka qenë i pranishëm kur ata janë keqtrajtuar. Kjo prokurori mbështetet kryesisht në spekulime dhe pretendime të pambështetura”, tha ajo.

Mbrojtja e Krasniqit e akuzoi Prokurorinë se ka përzgjedhur dokumente dhe pjesë të dëshmive të dëshmitarëve sipas interesave të saj, duke shtuar se ka injoruar pjesët e dëshmive që nuk i përshtaten ZPS-së.

Në këtë drejtim, ajo tha se ZPS nuk u ka dhënë peshën e duhur provave shfajësuese duke përmendur shembullin e një urdhri të lëshuar nga shefi i shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi më 28 nëntor 1998, dhe ka përzgjedhur vetëm pjesë të dëshmisë së tij dhënë Prokurorisë më 2019.

Zyrapi kishte thënë, sipas mbrojtjes, se urdhrin e mori pasi u konsultua me komandantin e përgjithshëm Azem Syla dhe sipas avokates, Prokuroria tha se ai kishte raportuar për këtë edhe te Krasniqi.

“Ajo çfarë nuk merr parasysh Prokuroria është dëshmia e Zyrapit që komandanti i përgjithshëm Azem Syla e jo Jakup Krasniqi ishte ai me të cilin ai kishte diskutuar ankesat përpara se të nxirrte urdhrin e 28 nëntorit 1998”, tha Alagendra.

Mbrojtja tha se Zyrapi kishte konfirmuar qartësisht se ai ishte konsultuar vetëm me Sylën e jo Krasniqin.

Mbrojtja: ZPS-ja nuk ka vërtetuar lidhjen e Krasniqit me krimet e pretenduara

Avokatja e Krasniqit, Alagendra, tha se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë lidhjen e pretenduar të klientit të saj me krimet.

“Prokuroria ka dështuar të vërtetojë lidhjen mes Krasniqit dhe krimeve të pretenduara dhe në veçanti që komunikatat, rregulloret e hartuara nga Jakup Krasniqi kanë ndihmuar, inkurajuar ose kanë pasur ndonjë lidhje me krimet e ngritura në aktakuzë. Në fund, Prokuroria tërhoqi pretendimin e saj se Krasniqi ka vizituar ku kanë qenë persona të ndaluar në Malishevë. Ky ishte i vetmi pretendim i ZPS-së që Krasniqi ka parë me sytë e tij një viktimë që ka qenë në ndalim. Një prokuror i përgjegjshëm nuk do të kishte ngritur kurrë një akuzë të tillë”, tha ajo.

Ajo pretendoi po ashtu se Prokuroria nuk ka bërë punën siç duhet, pasi nuk ka ftuar dëshmitarë kyç që do të ofronin informacione për kontekstin e luftës dhe të ofronin informacione për hierarikën e UÇK-së.

Ajo e cilësoi si “të shtrembëruar dhe të paplotë” dokumentacionin e ofruar nga ZPS-ja, dhe tha se trupi gjykues do të përballet me hetime selektive të kryera nga organi ndjekës.

Avokatja e Krasniqit tha se ZPS-ja ka mbyllur sytë para “çdo prove që nuk i është përshtatur” narrativit të saj.

Në këtë drejtim, ajo tha se Prokuroria nuk ka përfillur dëshmitë e dëshmitarëve të saj lidhur me emërimin e Jakup Krasniqit si zëvendëskomandant i UÇK-së.

“Trupi gjykues ka marrë dëshmi të shumta se emërimi i Krasniqit si zëvendëskomandant nuk njihej në të gjitha nivelet e UÇK. Ai nuk njihej si zëvendëskomandant për mbështetje për ndërkombëtarët që kishte komunikim”, tha avokatja Alagendra.

“Dëshmitarët e ZPS kanë konfirmuar se Krasniqi e ka mbajtur këtë post për një periudhë të shkurtër kohore, përafërsisht 3 muaj dhe ka dhënë dorëheqje më 27 shkurt 1999. Të njëjtët dëshmitarë të Prokurorisë thanë se emërimi i Krasniqit nuk u pranua asnjëherë, më saktë u kundërshtua nga komandantët e zonave. Prokuroria në dosje nuk i ka kundërshtuar këto fakte”, shtoi ajo.

Mbrojtja e Krasniqit tha se ZPS-ja nuk ka verifikuar autorësinë, autenticitetin apo besueshmërinë e materialeve që u sekuestruan në nëntor të vitit 2020 në shtëpinë e klientit të tij.

Avokatja Alagendra, tha se dihet që Krasniqi ka botuar libra dhe Prokuroria “nuk merr parasysh provat se Krasniqi po mblidhte materiale në lidhje me UÇK-në pas luftës për të shkruar librin e tij dy dekada më parë”.

Sipas saj, Krasniqi e dinte që ZPS po hetonte në Kosovë shumë më herët sesa kur u ngrit aktakuza ndaj tij, dhe fakti që nuk i ka shkatërruar këto materiale që mund ta inkriminojë, duhet shihet si pozitiv dhe pretendoi se është fakt që ai është i pafajshëm.

“Nëse Krasniqi do të kishte menduar se materialet hulumtuese dhe dokumentet e tjera në shtëpinë e tij do të ishin pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, ku dhe ai bënte pjesë, apo që ishin inkriminues për të, pse t'i mbante ato. Fakti që i mbajti dhe nuk i shkatërroi duhet parë në favor të tij sepse ai është i bindur që është i pafajshëm”, tha ajo.

Avokatja tha se Prokuroria ka shtrembëruar fjalën hyrëse të Krasniqit, duke thënë se ai ka pranuar se dokumentet ishin të tij.

“Ai asnjëherë nuk ka thënë se materialet e gjetura në shtëpinë e tij kanë qenë të shkruara prej tij. Ai në fakt ka pranuar se ka bërë disa shënime për të shkruar një libër, por kjo nuk do të thotë se domosdoshmërish materialet ishin për konfliktin. I përket Prokurorisë të vërtetojë se këto dokumente lidhen me akuzat përfshirë autorësinë e Krasniqit dhe të vërtetojnë autenticitetin dhe besueshmërinë e dokumenteve, diçka që nuk e kanë bërë deri më tani”, tha ajo.

Alagendra tha më tej se materialet që Prokuroria ka marrë nga Serbia janë përdorur pa iu nënshtruar një kontrolli.

“Prokuroria është bazuar shumë mbi dokumentet që ka marrë nga shteti serb pa një kontrollim të tyre. Pa këtë kontroll, trupi gjykues nuk mund të vlerësojnë ligjshmërinë apo edhe autenticitetin dhe besueshmërinë dhe vetëm ky gabim duhet të ngrejë shqetësime për këto dokumente”, tha ajo.

Sipas mbrojtjes së Krasniqit, dokumentet u grumbulluan në kohën kur Beogradi ishte dënuar nga ndërkombëtarët për “për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe për dhunë në Bosnjë dhe Kroaci”, duke shtuar se Kosova ishte në qendër të politikës serbe në atë kohë.

“Kjo rrit rrezikun që materialet të jenë të politizuara dhe falsifikuara”, tha Alagendra.

Mbrojtja: Dokumentet serbe ishin të fabrikuara

Avokatja Alagendra tha se materialet e marra nga Serbia kundërshtoheshin nga verifikimet në terren.

“Gjykatësit duhet t’i trajtojë si materiale me interes, jo si provë nëse nuk janë të provuara”, tha ajo.

“Materiale të tilla janë fabrikime të skenave të krimeve nga autoritetet serbe. Fred Abrahams e bëri të qartë dallimin mes medias së pavarur dhe medias shtetërore duke iu referuar masakrës në Obri dhe HRË tha se ka shkelje serioze të rregullave të luftës”, shtoi ajo.

Alagendra tha po ashtu se disa dëshmitarë kanë treguar për pasaktësinë e dokumenteve zyrtare serbe. disa tha ajo, kishin dëshmuar se nuk kishin thënë ashtu siç paraqitej në dokumente, disa thoshin se janë shtuar pjesë në dëshminë e tyre. Ajo po ashtu i bëri thirrje trupit gjykues të ketë parasysh se Serbia ka përdorur “torturë” gjatë marrjes në pyetje të shqiptarëve.

Mbrojtja po trajton pretendimet e ZPS-së për autoritetin e Krasniqit pas emërimit të tij si zëvendëskomandant i UÇK-së në nëntor të vitit 1998.

Avokatja e Krasniqit tha se ZPS e pranon se para kësaj periudhe, si zëdhënës ai nuk kishte kontroll logjistik në terren që mund të çonin në veprime konkrete.

“Zëdhënësi nuk është komandant që ka kontroll ushtarak. Përgjegjësia penale mund t’i atribuohet zëdhënësit vetëm në rastet kur deklaratat specifike e lidhin me krime specifike. ZPS as nuk i është afruar vërtetimit të kësaj për këtë rast”, tha Alagendra.

Ajo argumentoi se ZPS thotë se Krasniqi ka marrë pjesë në mbledhje të Shtabit të Përgjithshëm ku janë bërë emërime, por shtoi se nuk përcaktohet roli i Krasniqit në këto emërime.

“Ai nuk ka pasur kompetenca për të emëruar askënd”, tha ajo.

Mbrojtja ka argumentuar se pretendimi i ZPS se si zëvendëskomandant për ndihmë, Jakup Krasniqi, nuk kishte kompetencat e komandantit të përgjithshëm, Azem Syla, kur ai nuk gjendej në Kosovë.

Avokatët thanë se ky pretendim mbështetet vetëm në dëshminë e shefit të shtabit, Bislim Zyrapit.

“Dëshmitarët e tjerë e kanë konsideruar Zyrapin përgjegjës dhe jo Krasniqin si përgjegjës në UÇK kur Syla nuk ishte në Kosovë”, tha mbrojtja.

Mbrojtja po ashtu tha se vetë Syla kishte thënë se vetëm Sokol Bashota ishte zëvendës i tij.

Ekipi mbrojtës i Krasniqit ka hedhur poshtë pretendimin e ZPS-së se ai kishte mbikëqyrur departamentin juridik të UÇK-së.

“Ky pretendim mbështetet dëshmitë spekulative që i kanë bërë për interesa të veta Bislim Zyrapit”, tha avokatja Alagendra.

Ajo tha se nuk ka prova se udhëheqësi i gjykatës së UÇK-së, Sokol Dobruna, ka marrë udhëzime nga Krasniqi as që i ka raportuar atij.

Alagrendra tha se vetë Dobruna e kishte konfirmuar se i ka dorëzuar raporte vetëm Azem Sylës kur ka qenë në Kosovë.

“ZPS anashkalon dëshmitë fajësuese”, tha Alagrendra.

Ekipi mbrojtës i Krasniqit insistoi se nuk pranon që dokumentet e paraqitura nga ZPS-ja për periudhën kur ai ishte zëvendëskomandant i ndihmës, të jenë nënshkruar nga ai.

“Barra për autorësinë bie mbi ZPS-në”, thanë mbrojtësit e Krasniqit.

Një avokat i Krasniqit tha se dëshmitarët kanë thënë se roli si zëvendëskomandant ishte dytësor për Krasniqin, pasi ai ishte zëdhënës dhe përfaqësues politik i Shtabit.

Sipas tyre, edhe Zyrapi e ka pranuar se në periudhën nëntor 1998 dhe shkurt 1999 se këto dy rolet e fundit ishin fokusi kryesor i Krasniqit.

“Roli i zëvendëskomandantit ishte rol dytësor”, tha mbrojtja.

Deri më tani fjalët përmbyllëse i kanë shpalosur Prokuroria, ekipi mbrojtës i viktimave, dhe mbrojtja e Thaçit, Veselit e Selimit. Ndonëse Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar, avokatët e Thaçit dhe Veselit i kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe kanë deklaruar se klientët e tyre janë plotësisht të pafajshëm. Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.