LAJMET E MBRËMJES

Më pak vatra zjarri, pas rënies së temperaturave

Gjithsej 9 vatra zjarri, kryesisht fushore, janë raportuar të mërkurën deri në orën 14:00, ka thënë drejtori i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent, Genc Metaj. Sipas tij, situata me zjarret ka filluar të qetësohet ditëve të fundit

Pas disa javësh përballjeje me zjarre në zona të ndryshme të vendit, Kosova ka hyrë në një fazë më të qetë.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent, Genc Metaj, ka thënë se gjatë së mërkurës deri në orën 14:00 janë raportuar vetëm 9 zjarre, kryesisht fushore.

“Sot është më qetë gjendja. Janë disa zjarre fushore. Nuk ka ndonjë rrezik diçka. Mitrovica, Vushtrria, Skënderaj, pjesa e Gjilanit kanë qenë më të prekura. Kurse pjesa e Pejës dhe Prizrenit kanë qenë më pak të prekura. Ka përmirësim të situatës shumë. Sot deri në ora 14:00 kanë qenë vetëm 9 zjarre, kryesisht fushore”, ka thënë Metaj.

Sipas tij, situata me zjarret ka filluar të qetësohet ditëve të fundit. 

Gjatë korrikut dhe fillimit të gushtit, Kosova u përball me dhjetëra raste zjarresh në pyje, fusha dhe zona kodrinore. 

Temperaturat e larta, thatësia e madhe dhe erërat e forta ndihmuan përhapjen e shpejtë të flakëve. Në disa raste u kërkua edhe ndihma e KFOR-it për vënien nën kontroll të tyre. 

Pjesëtarë të zjarrfikësve bashkë me Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe Policinë janë angazhuar me ditë të tëra për lokalizimin e flakëve.

Dy fshatrave të Komunës së Mitrovicës u janë shkaktuar dëme të mëdha materiale nga flakët shkatërruese, me gjithë angazhimin e disa ekipeve për shuarjen e tyre.

Zjarri që ka përfshirë zona të gjera në Kçiq të Madh dhe Kçiq të Vogël ka përfshirë fusha, pyje dhe tri shtëpi të banuara. 

Disa nga banorët e zonës u patën detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Autoritetet kanë bërë apel për kujdes maksimal nga qytetarët, ndërsa hetimet për shkaqet e mundshme të zjarrvënieve të qëllimshme kanë vazhduar.

Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi, javën që shkoi ka njoftuar se kanë arrestuar 23 persona, ndërsa kanë trajtuar rreth 200 raste që lidhen me shkaktimin e zjarreve. 

Situata me zjarret është qetësuar edhe në Shqipëri, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes.