Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Miratohet vendimi për përdorimin zyrtar të gjuhës rome në Prizren

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, të hënën, njëzëri kanë miratuar vendimin për njohjen e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar në këtë komunë. Pas prezantimit të kërkesës nga kryetari Shaqir Totaj, kuvendarët e subjekteve dhe të komuniteteve të ndryshme kanë vlerësuar se komuniteti rom meriton që ta gëzojë këtë të drejtë, pasi prania e gjuhës së tyre në këtë qytet daton prej shekujsh.

Kryetari Totaj duke folur para kuvendarëve ka theksuar se legjislacioni parasheh njohjen e kësaj gjuhe si gjuhë në përdorim zyrtar, pasi flitet prej kohësh në Prizren.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Gjuha rome nuk është kërkesa që të jetë gjuhë zyrtare, por është kërkesa që të jetë gjuhë në përdorim zyrtar. Përqindjen e numrit të banorëve i cili duhet të jetë nuk e plotëson, por e plotëson kriterin tjetër apo është një gjuhë që veç është në përdorim, është një gjuhë që flitet, është një gjuhë që mund të themi pak a shumë është edhe e popullarizuar në qytetin e Prizrenit", ka thënë Totaj.

Kuvendarët e partive të komunitetit shumicë kanë shprehur përkrahjen për këtë nismë, duke theksuar se komuniteti rom përmes gjuhës duhet ta ruajë identitetin e vet.

“Ne, si Lëvizje Vetëvendosje, normal që jemi për këtë iniciativë për shkak që çdo komunitet që është pjesë e Prizrenit mendojmë se duhet t’i ketë të drejtat e tyre dhe duhet t’i përkrahim pa kusht", ka deklaruar kuvendarja e LVV-së, Dafina Alishani.

Adrit Krasniqi i PDK-së ka pohuar se aktivistët romë dhe të komuniteteve të tjera janë siguruar qysh më parë se do të kenë përkrahjen e këtij subjekti politik.

“Ne edhe atëherë e kemi konfirmuar përkrahjen tonë, edhe sot e konfirmojmë përkrahjen për gjuhën në përdorim zyrtar të komunitetin rom”, ka thënë Krasniqi.

Mbështetje e ngjashme në favor të kësaj nisme ka ardhur edhe nga kuvendarët e komunitetit turk dhe atij boshnjak.

“Të gjithë njëzëri duhet të votojmë njohjen e kësaj gjuhe në përdorim zyrtar, dhe besoj se ky vendim do të paraqesë një shembull të mirë për Prizrenin, për Kosovën dhe për Evropën", ka thënë Levent Bush, zëvendëskryesues i KK-së së Prizrenit.

Merxhan Osmani nga NDS-ja ka kërkuar mbështetje nga të gjithë kolegët kuvendarë për këtë çështje.

"Mendoj se Komuna e Prizrenit, një qytet që njihet si shumetnik e shumëkulturor, do të ishte mirë që sot ta miratojmë këtë vendim dhe shpresoj se kolegët kuvendarë do të kenë mirëkuptim", ka deklaruar ai.

Kërkesa për njohjen e gjuhës rome në përdorim zyrtar në Prizren ka qenë e kamotshme, por në muajt e fundit është riaktualizuar sërish nga aktivistët e komunitetit rom, të mbështetur edhe nga kolegët prej komuniteteve të tjera. Sipas statutit të Komunës së Prizrenit, në territorin e saj gjuhë zyrtare aktualisht janë: gjuha shqipe, gjuha serbe, gjuha boshnjake dhe gjuha turke.