Kryetari i Partisë Socialdemokrate së bashku me disa aktivistë të saj kanë organizuar një aksion simbolik para Këshillit Prokurorial, pas zgjedhjes së kryesuesit. Përfaqësues të kësaj partie kanë thënë se me këto zhvillime, Lëvizja Vetëvendosje ka shtrirë ndikimin në KPK
Elda Islami
Partia Socialdemokrate (PSD) ka organizuar të martën një aksion simbolik para Prokurorisë së Shtetit në Prishtinë, nëpërmjet të cilit kanë kundërshtuar zgjedhjen e kryesuesit të ri të Këshillit Prokurorial (KPK).
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAktivistët e kësaj partie kanë shkruar në mur grafitin: “Prokuroria e shtetit e kapur nga VV-ja”.
Ky aksion është bërë pak ditë pasi Alban Gashi është zgjedhur si kryesues i ri i KPK-së.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për, siç tha ai, kapjen e KPK-së.
“Pse është i rëndësishëm ky vendim? Këshilli Prokurorial i ka dy elemente thelbësore të cilat janë të dëshiruara të kontrollohen nga Vetëvendosje: E para: organizon procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit. Siç edhe e dini, qe katër vjet Kosova është pa kryeprokuror, për herë të parë në historinë e këtij institucioni, për shkak se kryeministri Albin Kurti ka dalë në Kuvendin e Kosovës dhe ka deklaruar publikisht që nuk do të zgjidhet personi i cili është rekrutuar gjatë një procesi në Këshillin Prokurorial. Pra, nuk është refuzuar në mënyrë demokratike, procedurale, por është refuzuar politikisht, publikisht. E dyta: rekrutimi i kryeprokurorëve, i cili është po ashtu gjë shumë e rëndësishme”, ka thënë Molliqaj.
I propozuari i KPK-së për kryeprokuror është refuzuar të dekretohet nga presidentja Vjosa Osmani, e cila ka kontestuar integritetin e procesit që i ka paraprirë zgjedhjes. Po ashtu, ajo është bazuar edhe në thirrjen që i ka bërë shoqëria civile për të mos e bërë dekretimin.
Por, Molliqaj ka theksuar se zgjedhja e një presidenti të afërt me LVV-në mund të legjitimojë kontrollin në prokurori dhe të ndikojë gjithashtu në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
“Arsyeja kryesore pse Albin Kurti e do presidentin e vet është për të zgjedhur kryeprokurorin për shtatë vjet, sepse organi i akuzës është duke i munguar. Nuk po i kryen punë veç Policia, por po i duhet edhe Prokuroria. Dhe e fundit, duke e zgjedhur presidentin, do ta ketë mundësinë t’i dekretojë edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mënyrë rrumbullakohen dy institucione në kapjen e Vetëvendosjes”, ka thënë ai.
Dekretimi i gjyqtarëve është vetëm akt formal nga presidenti. Ata zgjidhen nga Kuvendi, nëpërmjet një procesi të fshehtë votimi.
Kreu i PSD-së bëri thirrje për reagim të shoqërisë dhe institucioneve për të mbrojtur pavarësinë e organeve të drejtësisë.
Por, në reagimet e bëra nga përfaqësues të shoqërisë civile ditën kur është zgjedhur kryesuesi i ri i KPK-së, është përshëndetur ky zhvillim dhe është kërkuar nga KPK-ja që pa vonesë ta shpallë edhe konkursin për Kryeprokurorin e Shtetit.