LAJMET E MBRËMJES

Muhamet Musliu dënohet me kusht për promovim të ISIS-it

Themelorja në Prishtinë e ka dënuar me një vit me kusht Muhamet Musliun, i cili shpërndau urrejtje me baza fetare në Facebook. Ai e pranoi fajësinë në aktakuzën ku thuhet se ai publikoi video të cilat i ngjanin propagandën e ISIS-it që përmes frikës synim kishte ta përçojë ekstremizmin fetar

Një vit burgim me kusht i është shqiptuar të martën Muhamet Musliut për nxitje të përçarjes mes grupeve fetare që jetojnë në Kosovë.

Gjykata Themelore në Prishtinë e aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë të lidhur mes tij dhe Prokurorisë Speciale. 

Periudha verifikuese, kur dënimi me kusht do t’i zëvendësohet me burg nëse e përsërit veprën penale, është tre vjet. 

Përkrahje për marrëveshjen për pranimin e fajësisë para shpalljes së aktgjykimit shprehi edhe vetë i akuzuari.

Musliu e ka pranuar se që nga fillimi i vitit ka shpërndarë materiale në Facebook sikur ato të ISIS-it.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ai kishte shpërndarë materiale në rrjetet sociale ku bënte thirrje për masakra ndaj hebrenjve dhe të krishterëve.

“Përmes rrjetit social ‘Facebook’, në profilin e tij ka shpërndarë postime me përmbajtje nxitëse duke publikuar fotografi dhe materiale propagandistike që përmbajnë skena të dhunshme, si prerje koke atyre që nuk respektojnë fenë islame, ka bërë thirrje për masakra ndaj hebrenjve dhe të krishterëve, si dhe për të përhapur frikë në tokat joislame, sipas metodave të propagandës së ISIS-it, ashtu që duke publikuar foto dhe video të personave të ndryshëm të radikalizuar ka shpërfaqur në publik thirrje të ekstremizmit fetar duke i përkrahur veprimet të cilat janë bërë nga Organizata Terroriste Islamike, nga të cilat postime potencialisht mund të jetë prishur rendi publik”, thuhet në aktakuzë. 

Gjykata vendosi që t’ia ndërpriste paraburgimin që e mbajti nga data 22 maj 2025.