Mesazhet e Ipeshkvisë së Kosovës për festën e Krishtlindjes janë dominuar nga thirrja për paqe dhe për harmoni. Ipeshkvi Dodë Gjergji ka bërë thirrje edhe për stabilitet politik. E për këtë festë, besimtarët katolikë janë uruar edhe nga liderë shtetërorë e politikë
Mesazhe për paqe dhe për harmoni ka adresuar ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjegji, me rastin e shënimit të festës së Krishtlindjes katolike.
Në meshën solemne të mbajtur në katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, ipeshkvi Gjergji ka përcjellë edhe porosi për stabilitet më të madh politik në Kosovë dhe për ruajtjen e vlerave të shoqërisë.
“E ndiej të nevojshme t’ju ftoj që, në zgjedhjet e pas Krishtlindjes, të jemi të përgjegjshëm për të marrë vendim sipas ndërgjegjes dhe për të restauruar gjendjen në vitin që po e lëmë pas, duke e kryer obligimin qytetar. Pasi kështu do të kontribuojmë të gjithë që vendi ynë të ketë një stabilitet të qëndrueshëm politik, të përshpejtojë hapat drejt familjes evropiane dhe ta ruajë vlerat bazike të shoqërisë sonë”, është shprehur Gjergji gjatë meshës së Krishtlindjes.
E famullitari i Katedrales, dom Agim Qerkini, u ka bërë thirrje besimtarëve katolikë që të luten për paqe, që ta mbrojnë jetën dhe t’i shërbejnë asaj në kuptimin e plotë të fjalës.
“Festa e Krishtlindjes është festë e jetës dhe na fton Zoti që ta mbrojmë jetën, ta ruajmë, ta shërbejmë me kontekstin e plotë të fjalës, që të mund të realizohemi si bijtë e Zotit dhe sa shumë plagë ka sot mbarë njerëzimi i mbërthyer nga bota materiale, nga hedonizmi, jeta për të jetuar sipas ëndjes së vet dhe çka ndodh çojnë dorë shumë lehtë edhe në jetët e palindura”, ka thënë Qerkini në meshën e paradites të së enjtes.
Për Krishtlindje, besimtarët katolikë janë uruar nga udhëheqës institucionalë.
Presidentja Vjosa Osmani, e cila ka marrë pjesë edhe në meshën e natës së Krishtlindjes të mërkurën mbrëma, ka uruar paqe, dashuri dhe shëndet në çdo familje.
“Në këtë festë drite e shprese, uroj nga zemra të gjithë besimtarët e krishterë që Krishtlindja t’u sjellë paqe në shpirt, dashuri në familje dhe shëndet në çdo shtëpi. Le të na bashkojë tradita jonë e respektit, solidaritetit dhe e mikpritjes, duke na dhënë forcë të ecim përpara së bashku, me besim, shpresë dhe mirëkuptim”, ka shkruar Osmani në Facebook të enjten.
E kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka quajtur Krishtlindjen katolike si festë për reflektim dhe shpresë.
“Krishtlindja është kremtim dhe reflektim, urim dhe mirënjohje, besim dhe shpresë. Të dashur besimtarë të krishterë, urime këtë datë të shënuar dhe paçi një ditë të gëzuar e të begatë me më të dashurit tuaj. Uroj që mirësia e Zotit t’ju përcjellë gjithmonë dhe dashuria për tjetrin t’ju shtohet përherë”, ka shkruar ai.
Mesazhe urimi për besimtarët e krishterë kanë bërë edhe liderë të partive politike.
Kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë thirrje që Krishtlindja të shërbejë si kujtim për vlerat e të qenit pranë njëri-tjetrit, të faljes, të ndarjes dhe të sakrificës për të mirën e përbashkët.
“Krishtlindja e sivjetme le të jetë një thirrje e re për më shumë mirësi, më shumë respekt dhe më shumë solidaritet mes nesh. Uroj nga zemra që kjo festë t’ju gjejë pranë familjeve tuaja, me shëndet, paqe dhe plot shpresë për të ardhmen. Që dhurata më e madhe të jetë buzëqeshja e atyre që doni dhe koha e çmuar e kaluar bashkë”, ka shkruar ai në Facebook.
E kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Bedri Hamza, ka uruar për bashkim në frymën e mirësisë.
“Edhe sonte bashkohemi në frymën e mirësisë, respektit dhe bashkëjetesës që na karakterizon si shoqëri.
Bashkohemi në vlerat më të mira njerëzore: dashurinë, solidaritetin dhe kujdesin për njëri-tjetrin”, ka shkruar ai.
Besimtarë katolikë e shënojnë festën e Krishtlindjes çdo 25 dhjetor, për shkak të kalendarit gregorian. Kjo festë e kremton lindjen e Jezus Krishtit në Betlehem.