Masa e re e reciprocitetit e ndërmarrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës për letrënjoftimet dhe pasaportat serbe ka gjetur zbatim në pikën kufitare në Merdar. Për dallim nga veriu i Kosovës ku institucionet e vendit i mbyllën dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak pas barrikadave të vendosura nëpër rrugë nga serbët, në Merdar procedurat kufitare janë zhvilluar normalisht që nga minuta e parë e 1 gushtit.
Pavarësisht vendimit të ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtyrjen e afatit për zbatimin e masës së re të reciprocitetit për dokumentet e identifikimit të Serbisë, këtu në Merdar, Policia e Kosovës është duke lëshuar fletëdeklarimet për shtetasit serbë.
Ata që kanë kaluar pas mesnatës nëpër këtë pikë kufitare kanë qëndrime të ndryshme sa i përket vendimit për reciprocitet.
“E kam planifikuar moti ardhjen këtu edhe nuk na pengon kjo. E kam humbur një orë, sepse nuk e kam ditur që mund të kalojmë më shpejt me fëmijë, por nuk po shoh problem. Verifikimi i dokumenteve ka qenë i shpejtë. Krejt procedura ka qenë dy minuta”, tha Radishiq.
“Sapo erdha prej Serbisë nga Rudnica, atje ishte e bllokuar edhe nuk kam mundur të kalojë. Nuk kanë mundur të kalojnë as shqiptarët as serbët. Unë jetoj në Kosovë. Këto bllokada nuk janë të mira as për ne as për shqiptarë. Kam bërë rrugë të dyfishtë për të ardhur deri këtu. As familjet që jetojnë jashtë që po vijnë t’i vizitojnë familjet e tyre po kanë telashe... Mua po më duket bllokimi i kufirit marri”, tha një shtetas i Serbisë.
“Ata e dinë më së miri çka bëjnë”, tha një shtetas tjetër serb.
Procedura e lëshimit të një “Dokumenti për hyrje/dalje”, zgjat më pak se një minutë. Pasi u skanohen dokumentet, të dhënat e udhëtarëve integrohen me automatizëm në sistem dhe palës i printohet fletëdeklarimi, i cili i vuloset nga policët kufitarë. Vetëm në pikën kufitare në Merdar, në mesditën e 1 gushtit janë lëshuar rreth 300 fletëdeklarime për shtetasit serbë.
Meqë barrikadat në veri janë hequr, pritet të pezullohet të shtyhet vendimi për reciprocitet edhe në pikën kufitare në Merdar.