Qytetarë dhe drejtues të kompanive të autobusëve nga Podujeva protestuan para objektit të Komunës së Prishtinës kundër vendimit që ndalon kthimin e autobusëve pranë “Xhamisë së Llapit”. Në Shoqatën e Transportit të Autobusëve të kësaj linje thanë se pa realizimin e kërkesave nuk do të rikthehen në punë. Në Komunën e Prishtinës këmbëngulën se kthimi i autobusëve te “Xhamia e Llapit” nuk do të lejohet
Pesë muaj pasi arritën marrëveshje me Komunën e Prishtinës, transportuesit nga Podujeva u janë kthyer protestave para objektit të Komunës.
Shoqata e Transportit të Autobusëve Podujevë-Prishtinë ka kundërshtuar të martën me protestë qëndrimin e Komunës që autobusëve të mos u lejohet kthimi te “Xhamia e Llapit”, por që të shkojnë në Stacion.
Një ditë më parë, Policia në bashkëpunim me Komunën ua ndaloi autobusëve kthimin te “Xhamia e Llapit”.
Në Komunë kanë thënë se kjo është shkelje e marrëveshjes së arritur në mars.
Beqir Mustafa, kryetari i Shoqatës së Transportit të Autobusëve, është ankuar se janë dënuar me gjoba nga inspektorët dhe u janë marrë tabelat.
Ai ka thënë se autoritetet nuk e kanë përmbushur asnjë nga kërkesat e tyre.
“Ne kemi dalë që t’i përmbahemi rendit të udhëtimit që e kemi të vërtetuar nga Ministria. Na kanë ndalë inspektorët, na kanë dënuar nga 500 euro, na kanë marrë tabelat. Ne i kemi autobusët aty ku na kanë ndërprerë. Nuk punojmë deri në realizim të pikave tona që i kemi kërkuar prej tyre. Me na respektuar rendin e udhëtimit që e kemi nga Ministria, atëherë do të punojmë”, ka thënë Mustafa.
Përkrah transportuesve dolën edhe qytetarë, të cilët vendimin e Komunës e quajtën të padrejtë.
Antigona Jakupi ka thënë se ndalesa e autobusëve ua vështirëson lëvizjen banorëve të Podujevës dhe se kjo situatë rrezikon jetën e qytetarëve, sidomos të nxënësve dhe mësimdhënësve afër shkollës “Modeli”.
“Qytetarët llapjanë kanë biznese në Podujevë, udhëtojnë çdo ditë, e frekuentojnë atë rrugë. Është shumë rrezik. Nuk e di a keni qenë, a e keni parasysh çfarë rruge është ku presim te shkolla ‘Modeli’. Nuk e lënë të parkohet autobusi. Duhet me dalë në semafor, rrezikohet jeta e qytetarit, është shkollë publike aty, rrezikohet jeta e nxënësve, e mësimdhënësve. Komuna duhet të bëjë një zgjidhje për neve”, ka thënë Jakupi.
Protestuesja tjetër Nazmije Hajrullahu e cilësoi vendimin si të padrejtë, duke thënë se udhëtimi prej Podujevës në Prishtinë është bërë tepër i gjatë dhe i lodhshëm.
“Kjo është poshtërsi e madhe. Na bëjnë të padrejtë. Nuk lejon as me biletë. Thonë të sillemi ne prej Podujevës një orë e gjysmë edhe 40 minuta deri në stacion, edhe me ardhë, edhe aty bëjmë një orë. Derisa të shkon në punë 5 orë bëjmë. Kjo është tmerr”, ka thënë Hajrullahu. “Për neve shumë keq na kanë bërë. Nuk po e kuptoj. Kjo ka ekzistuar prej që është Podujeva e Prishtina, kjo s’ka qenë e ndaluar kurrë. Shumë keq”.
E, drejtori i Mobilitetit në Komunën e Prishtinës, Donat Lushaku, ka thënë se nuk do të lejohet kthimi i autobusëve të Podujevës në ndalesën te “Xhamia e Llapit”, pavarësisht protestës dhe kërkesës së qytetarëve.
“Siç e keni parë, Shoqata e Autobusëve të Podujevës ka vijuar me grevë, por tashmë pas njoftimit të policisë dhe vendimit me shkrim, greva e formës së kaluar nuk do të bëhet në kuptim të bllokimit të trafikut apo shiritit të caktuara në zona të caktuara të qytetit. Komuna do të vazhdojë bashkë me inspektorët e saj dhe policinë të marrë masa ligjore ndaj të njëjtëve dhe kësisoj qarkullimi brenda qytetit nuk do të lejohet assesi. Kthimi nga stacioni i ashtuquajtur ‘Xhamia e Llapit’ jo se jo”, ka thënë Lushkau.
Ai bëri të ditur se Komuna është e hapur për dialog vetëm për dy çështje të ngritura nga shoqata.
“Jemi pra duke tentuar që kërkesat e tjera t’i plotësojmë. Këtë e them në kuptimin se do të ketë mundësi dialogu për dy pika, që është pjesa e taksive ilegalë, që është edhe preokupim i yni dhe kërkesë e Shoqatës së Autobusëve të Podujevës, dhe pika tjetër që disa linja që i ka të kontraktuara Komuna të mos kalojnë në territorin e Podujevës”, tha Lushaku.
Në mars, transportuesit nga Podujeva qëndruan për disa ditë në grevë deri në arritjen e marrëveshjes me Komunën. Sipas marrëveshjes, autobusët nga Podujeva duhet të udhëtojnë deri te “Xhamia e Llapit” dhe të kalojnë nga rruga “Zagrebi” për në Stacion të Autobusëve.
Të dielën, në një njoftim, Komuna e Prishtinës i quajti shqetësuese dhe shkelje të marrëveshjes së ndërsjellë raportimet se disa operatorë nga Podujeva po synojnë të anashkalojnë Stacionin e Autobusëve dhe të ndalojnë te “Xhamia e Llapit”.
“Theksojmë se veprime të tilla nuk do të lejohen. Komuna do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore dhe administrative të nevojshme për të siguruar që të gjithë autobusët ndërurbanë, pa përjashtim, të ndalojnë në Stacionin zyrtar të Autobusëve në Prishtinë për marrjen dhe lëshimin e udhëtarëve. Ndalimet e paautorizuara brenda qendrës së qytetit paraqesin rrezik për sigurinë në trafik, rendin publik dhe planifikimin urban të transportit. Po ashtu, rikujtojmë se qendra e Prishtinës nuk mund të akomodojë transport ndërurban, për shkak të dinamikave të zhvillimit të qytetit, rritjes së fluksit të mjeteve dhe nevojës për menaxhim të qëndrueshëm të hapësirës publike”, thuhet në njoftim.
Në mars, përfaqësues të Shoqatës së Autobusëve Podujevë-Prishtinë qëndruan shtatë ditë në grevë, duke vendosur autobusët para objektit të Komunës së Prishtinës.