Me nderime shtetërore është zhvilluar ceremonia mortore për ish-kryeparlamentarin Nexhat Daci. Në akademinë përkujtimore që u mbajt para varrimit, Daci u kujtua si burrështetas që la gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e institucioneve shtetërore.
Me nderime shtetërore i është dhënë lamtumira e fundit kryeparlamentarit të parë të pasluftës Nexhat Daci, i cili vdiq të enjten në moshën 81-vjeçare.
Homazhet e edhe Akademia Përkujtimore u mbajtën në Kuvendin e Kosovës, institucion të cilin e drejtoi për më shumë se 5 vjet dhe ku për pesë vjet të tjera ishte ligjvënës.
Daci, i cili ka qenë edhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, u kujtua nga përfaqësuesit shtetërorë si burrështetas që la gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e institucioneve.
DEK1: VJOSA OSMANI –PRESIDENTE
“Ai i shërbeu Kosovës si kryetar Kuvendi, ushtrues detyre i presidentit, deputet, akademik dhe drejtues i institucioneve shkencore, duke lënë gjurmë të pa shlyeshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në zhvillimin e mendimit shkencor në vendin tonë”, tha presidentja Vjosa Osmani.
E, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Daci luajti rolin e një figure balancuese në skenën politike.
“Si politikan, Nexhat Daci ka ditur ta luajë rolin e një figure balancuese mes poleve dhe në skenën politike të Kosovës para dhe pak vite pas pavarësisë, duke qenë e kundërta e polarizimit në skenën politike. Si shkencëtar i kimisë, doktor Nexhat Daci ka qenë origjinal dhe punëtor në studimet e tij, duke lënë pas një mori punimesh dhe veprash shkencore nga karriera e tij e gjatë si profesor në Universitetin e Prishtinës”.
Kryeparlamentari, Dimal Basha, e quajti Dacin personalitet të rrallë.
“Një personalitet i rrallë, që i bashkonte dijen me shtetin, mendimin akademik me përgjegjësinë publike dhe urtësinë personale me interesin e përgjithshëm të republikës sonë. Ai ishte shembull i intelektualit që e kuptoi arsimin dhe shkencën jo vetëm si profesion, por si mision kombëtar dhe mjet të thelbësor të emancipimit tonë shoqëror.”
Në emër të familjes, e bija e ish-kryeparlamentarit Daci, Majlinda Daci, ka shprehur mirënjohje për respektin dhe nderimet kushtuar të atit. Ajo ndau me të pranishmit kujtime personale për jetën, sfidat dhe vlerat që e kanë formësuar Dacin si njeri dhe si figurë publike.
“Sot kujtojmë një njeri që jetën e tij e jetoi me dinjitet, sakrificë dhe shërbim të pandërprerë ndaj dijes, vendit dhe njerëzve. Babi qysh herët, që nga mosha 4-vjeçare, jeta ia vuri mbi supe barrën e rëndë të rritjes pa prindër; ishte një fillim i vështirë, por për babin kjo mungesë u shndërrua në forcë, kjo dhimbje në karakter dhe kjo vështirësi në vullnet të palëkundur për të ecur përpara”.
Trupi i ish-kryeparlamentarit Daci u përcoll nga ushtarë të FSK-së në varrezat e lagjes “Arbëria” në Prishtinë. Atij iu dha lamtumira e fundit në ceremoninë ku morën pjesë, familjarë, miq, përfaqësues institucionesh e shumë qytetarë.