LAJMET E MBRËMJES

Ngrihet aktakuzë në mungesë ndaj dy ish-policëve serbë, nën dyshimin për krime lufte në Gjakovë

Dy ish-policë serbë do të gjykohen në mungesë për krime lufte të kryera në Gjakovë. Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tyre, nën dyshimin se ata kanë marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime e arrestime të popullsisë të nacionalitetit shqiptar.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj dy serbëve që dyshohet se kanë kryer krime lufte.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit gjatë periudhës së luftës 1998-1999 në Gjakovë kanë marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime e krime të tjera ndaj civilëve shqiptarë.

“Kanë shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime, arrestime, vjedhje dhe shkatërrime të pasurisë të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar. Më 25 dhe 26 mars 1999, në rrugën ‘Tahir Efendiu’, gjatë një aksioni të forcave policore serbe, ku morën pjesë edhe të pandehurit në cilësinë e zyrtarëve policorë, është vrarë një civil dhe janë keqtrajtuar gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria ka përshkruar edhe raste specifike të kryerjes së krimeve. Organi i akuzës ka bërë të ditur se dy të pandehurit në cilësinë e zyrtarëve policorë serbë bashkë me persona të tjerë kishin rrethuar shtëpinë e një shtetasi me inicialet N.K., e në të cilën ndodheshin edhe shtatë qytetarë të tjerë, që u janë nënshtruar torturave.

“Janë keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht, i kishin detyruar të ngarkonin në kamionetën e policisë të gjitha materialet e ndihmës që ndodheshin në objektin e shoqatës humanitare ‘Nënë Tereza’, dhe më pas janë futur me dhunë në një kamion dhe janë dërguar në Stacionin Policor të Gjakovës. Ndërsa në Stacionin Policor, të dëmtuarit janë ndarë nëpër qeli të ndryshme, ku kanë qëndruar për 24 orë pa ushqim, pa ujë dhe pa ndihmë mjekësore, duke u rrahur dhe maltretuar vazhdimisht nga ana e të pandehurve dhe pjesëtarëve të tjerë të policisë serbe, me shufra gome, shqelma dhe grushte”, thuhet në njoftim.

Sipas aktakuzës, një nga viktimat që ishte kapur nga këta serbë, e që ka inicialet M. M., në ditën kur është nxjerrë nga qelia, më 26 mars 1999, është gjetur i vrarë në afërsi të urës së Taliqit, në Gjakovë.

Gjatë vitit 2024, Prokuroria Speciale ka ngritur 14 aktakuza ndaj 25 serbëve të dyshuar për krime lufte. Nga to, gjashtë aktakuza janë ngritur në mungesë ndaj 11 serbëve, ndërsa shtatë të tjera janë ndaj 13 serbëve të arrestuar.