LAJMET E MBRËMJES

Osmani: Mohimi i masakrës, krim i dyfishtë i Serbisë

Serbia po bën krim të dyfishtë me mohimin e masakrës së Reçakut, që vetëdijesoi e mobilizoi opinionin publik ndërkombëtar dhe kancelaritë diplomatike perëndimore, thanë udhëheqës të institucioneve dhe të partive politike, në homazhet që bënë të enjten në 27-vjetorin e kësaj masakre. Për këtë krim të kryer nga forcat serbe, në Shtime u mbajt edhe një akademi përkujtimore, ku pjesëmarrës ishte edhe William Walker, ish-shef i misionit verifikues të OSBE-së

Liderë shtetërorë dhe përfaqësues të partive politike kanë bërë homazhe në Reçak, me rastin e 27-vjetorit të masakrës, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Presidentja Vjosa Osmani tha se Serbia po bën krim tjetër me mohimin e këtij krimi, e kryeministri në detyrë Albin Kurti u shpreh se Reçaku pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë Kosovës.  

“Edhe pas 27 vitesh, Serbia vazhdon me po të njëjtat politika dhe me po të njëjtën mendësi, sepse mohimi i krimit siç po bëjnë ata me mohimin e krimit të Reçakut është krim i dyfishtë”, tha Osmani.

“Pas masakrës së Reçakut u ndërgjegjësuan, u vetëdijesuan dhe mobililzuan edhe opinioni publik ndërkombëtar edhe kancelaritë diplomatike perëndimore”, u shpreh Kurti.

Homazhe në Reçak bënë edhe delegacione të partive opozitare. Në emër të tyre, folën kryetarët.

“Është një ngjarje e cila është një prej ngjarjeve që ka kontribuuar në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe e falënderojmë dhe ambasadorin William Walker i cili e ka dhënë kontributin e vetë”, tha Bedri Hamza, kryetar i PDK-së.

“Në këtë ditë kujtojmë dhe shënojmë jo vetëm këto viktima por edhe sakrificën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe për çlirim, për të drejtën për të jetuar të lirë, me dinjitet në Republikën tonë, shtetin tonë”, deklaroi Lumir Abdixhiku i LDK-së.

“E vërteta është se nuk është vendosur drejtësia për masakrat në Kosovë, jo vetëm për Reçakun por edhe për Mejën dhe shumë të tjera. Po ashtu është e vërtetë që padrejtësisht vazhdojnë të gjykohen udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e nuk gjykohen ata që i kanë kryer krimet anë e mbanë Kosovës”, tha Ramush Haradinaj i AAK-së.

E në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, të enjten u mbajt akademi në kujtim të kësaj ngjarjeje. Aty, fjalim mbajti ish-shefi misionit verifikues të OSBE-së, William Walker që në atë kohë pati rol kyç që masakra e Reçakut të mos fshihet nga sytë e botës.

Po ashtu tha se për të ishte e paimagjinueshme në atë kohë që Kosova do të bëhej një shtet demokratik, siç është tash.

“Nëse do më thoshit para 27 vjetëve që unë do të qëndroja para një kryeministri dhe presidenteje të zgjedhur në mënyrë demokratike të Republikës së pavarur të Kosovës, do t’u thosha jeni të çmendur”, deklaroi Walker.

Walker e pati vizituar fshatin Reçak pas masakrës dhe ngjarjen e pati përshkruar si “krim kundër njerëzimit”. Në Kompleksin Memorial në Reçak është ngritur edhe një statujë në nderim të tij.