LAJMET E MBRËMJES

Osmani: Që kryetari i Kuvendit të zgjidhet me votim të fshehtë, duhet konsensus

Një javë nga shpallja e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, presidentja Vjosa Osmani, ka ndarë interpretimin e saj për të. Sipas Osmanit, votimi i fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit lejohet porse për të nevojitet konsensus. Presidentja ka thënë se moskonstituimi i Kuvendit brenda 30 ditësh ka pasoja juridike. E për këto pasoja ajo ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Kushtetueses. Derisa Osmani do të presë edhe disa ditë që veprimet e nevojshme për konstituimin e Kuvendit t’i marrin deputetët, Lidhja Demokratike i është drejtuar të premten Gjykatës Kushtetuese

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk e ka përjashtuar mundësinë që kryetari i Kuvendit të zgjidhet me votim të fshehtë, porse ka theksuar që për të duhet të ketë pajtim mes deputetëve.

Sipas presidentes Osmani, për një hap të tillë duhet që të votohet paraprakisht nga ligjvënësit.

“Në qoftë se lexohet në tërësi aktgjykimi (i Gjykatës Kushtetuese), votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi. Megjithatë, për të kërkohet konsensusi i deputetëve. Kjo nënkupton që duhet të ketë votë, duhet të ketë vendim të seancës para se të shkohet te një mënyrë e tillë”, ka thënë ajo të premten tek ka komentuar mbi aktgjykimin që Gjykata Kushtetuese e ka nxjerrë më 26 qershor.

Osmani, e cila me profesion është juriste, ka theksuar se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Kushtetuesja duhet të ketë pasoja.

“Kur diçka është e detyrueshme në aspektin kushtetues, kjo do të thotë se moskryerja e këtij detyrimi të ecë pa pasoja. Pra, do të ketë pasoja juridike. Nuk është se ne mund të presim që gjykata të thotë: mirë pas 30 ditësh vazhdoni njësoj takohuni çdo dy ditë dhe mos bëni asgjë”, është shprehur ajo.

Osmani ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Kushtetueses për t’i definuar pasojat.

E tek e ka interpretuar vendimin e Kushtetueses, Osmani ka thënë se është bërë e qartë që, përveç të drejtës për të propozuar kandidatin për kryeparlamentar, partia e parë për kah numri i votave ka detyrim që ta krijojë shumicën për ta kaluar propozimin për votim të fshehtë. E partitë e tjera, sipas saj, kanë detyrimin që të krijojnë shumicën për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

Presidentja ka theksuar se Kushtetuesja ka konstatuar se, deri më tash, deputetët nuk kanë arritur që të kryejnë funksionin e tyre dhe ka fajësuar legjislaturën e re për shkeljen më të rëndë që dikush ia ka bërë deri tash Kushtetutës.

“Në qoftë se ne nuk po mund ta ushtrojmë sovranitetin nga kapitulli 1 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sepse populli nuk po mundet ta ushtrojë sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, kjo është një prej shkeljeve më të rënda që nga dita kur Kushtetuta e Republikës së Kosovës është miratuar”, ka thënë ajo.

Osmani: Bllokada për llojin e votimit, shumë joracionale

Një javë nga shpallja, aktgjykimi i Kushtetueses është interpretuar në mënyra të ndryshme nga përfaqësues të partive politike.

Në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) kanë insistuar se verdikti i jep të drejtë në përcaktimin për ta zhvilluar votimin e fshehtë për kryetarin e Kuvendit. E tabori tjetër politik – opozita e mandatit të kaluar – ka vlerësuar se aktgjykimi ka konfirmuar që votimi i fshehtë përbën shkelje.

Konstituimi i legjislaturës së re ka ngecur si pasojë e mospajtimit të partive opozitare me kandidaten e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe më pas edhe për atë që votimi për këtë post të bëhet me votë të fshehtë.

Për të ndihmuar në kapërcimin e ngërçit të krijuar, presidentja Osmani ka mbajtur takime të ndara me liderë të partive politike të cilat janë të përfaqësuara në Kuvend. Takimet i ka vazhduar edhe të premten, duke i pritur në zyrë kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane (PLE), Veton Berisha dhe atë të Partisë së Ashkalinjve për Integrim, Etem Arifi.

Ajo ka thënë se qëndrimet e partive të mëdha nuk kanë ndryshuar, por është shprehur optimiste se situata mund të ndryshojë ditëve në vijim.

“Partitë kryesore i kanë ende qëndrimet diametralisht të kundërta, por kjo nuk do të thotë që brenda këtij afati nuk do të ketë afrim... Mendoj që bllokada tani, tek lloji i votimit, është vërtetë shumë, shumë joracionale”, është shprehur ajo.

Pas PDK-së, edhe LDK-ja i adresohet Gjykatës Kushtetuese

Përveç paralajmërimit të bërë nga presidentja, Gjykatës Kushtetuese të premten i është drejtuar Lidhja Demokratike (LDK), vetëm një ditë pasi që edhe Partia Demokratike (PDK) ka adresuar kërkesë për të vlerësuar kushtetueshmërinë e veprimeve që janë ndërmarrë në seancën konstituive të Kuvendit, pas aktgjykimit të javës së shkuar.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Shëmb Manaj, ka shprehur pritjen që Gjykata Kushtetuese të vendosë se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka shkelur Kushtetutën me insistimin për formimin e Komisionit për Votim të Fshehtë për kryeparlamentarin.

Ai ka treguar se nuk i është kërkuar vendosja e masës së sigurisë dhe ka shprehur pritjen që vendimi të merret shpejt.

“Mendojmë që Gjykata Kushtetuese tash e ka shumë më lehtë sepse për çështjen e seancave paraprake ka vendosur dhe mendojmë që janë tema përafërsisht të njëjta”, ka deklaruar ai.

E deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se deri në një vendim të Gjykatës gjatë vazhdimit të seancës konstituive do të vazhdojë forma e protestës në rast se kryesuesi Dehari vepron ngjashëm si deri më tash.

“Ne në secilën seancë po kërkojmë që kryesuesi të kthehet në rendin e ditës dhe të na mundësohet e drejta e votimit. Në qoftë se nuk na mundësohet kjo, ne prapë do të veprojmë ashtu siç vepruam dje në shenjë protestë, pasi kryesuesi ta mbyllë seancën ne do të vazhdojmë me fjalime”, është shprehur ajo.

Përveç PDK-së dhe LDK-së, si dhe presidentes Osmani, edhe Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në lidhje me çështje që ndërlidhen me seancën konstituive, e cila ka nisur prej më shumë se dy muajsh.

Të shtunën do të zhvillohet tentimi i 42-të i deputetëve për konstituimin e legjislaturës së nëntë, e cila ka mbetur peng i zgjedhjes së kryeparlamentarit.