LAJMET E MBRËMJES

Paralajmërohen për paraburgim të akuzuarit që mungojnë në seancën për lotsjellësin në Kuvend

Për zhvillime dramatike që kanë ndodhur në Kuvend tetë vjet më parë, ka dështuar që të mbahet të premten seanca gjyqësore, në mungesë të ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai dhe deputetët Fitore Pacolli dhe Salih Zyba, si dhe ish-deputetja Drita Millaku, akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës brenda sallës kryesore të Kuvendit. Gjyqtari ka paralajmëruar që në rast se në seancën e radhës mungon ndonjëri nga të akuzuarit, atëherë ai do të arrestohet dhe do të paraburgoset

Ka dështuar sërish të premten që të mbahet seanca gjyqësore për rastin në të cilin ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deputetët Fitore Pacolli dhe Salih Zyba si dhe ish-deputetja Drita Millaku, akuzohen për “hedhje të gazit lotsjellës” në Kuvend.

Seanca nuk është mbajtur pasi që ka munguar ministri në detyrë Sveçla, për të cilin gjyqtari Sabit Sadikaj ka thënë se me anë të e-mailit e ka arsyetuar mospraninë në gjykatore.

“Pasi që i pandehuri Xhelal Sveçla e ka njoftuar gjykatën me shkrim duke arsyetuar mungesën në seancën e sotme, gjyqtari merr aktvendim që seanca e sotme të mos mbahet”, ka theksuar ai.

Gjatë seancës, Zyba dhe Pacolli janë pyetur për mungesën në seancën e kaluar.

Që të dy kanë thënë se kanë arsye për mungesë dhe se atë do ta përcjellin me shkrim në gjykatë.

Pas kësaj, gjyqtari ka vendosur që seanca e radhës të mbahet më 16 janar të 2026-tës teksa ka paralajmëruar se kushdo që atë ditë do të mungojë, do të paraburgoset.

“Secila palë që mungon, ndaj asaj pale të lëshohet urdhërarrest dhe kërkesë për caktim të masës së paraburgimit eventual”, ka thënë gjyqtari Sadikaj.

E pas dështimit të mbajtjes së seancës, avokati i Sveçlës e ka arsyetuar mungesën e klientit të tij, duke thënë se ndodhet në një udhëtim zyrtar ndërsa e ka relativizuar nevojën që procesi gjyqësor të zhvillohet shpejt.

“Nuk është afër parashkrimit. Disa herë kanë qenë të pandehurit prezent, në disa raste ka munguar edhe prokurori, por po shpresojmë që me një afat të arsyeshëm do të fillojmë”, ka theksuar avokati Laur Preni, i cili e përfaqëson Sveçlën.

Një muaj më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për sjelljen me detyrim në gjykatë të Sveçlës, Zybës dhe Pacollit.

Sipas aktakuzës së ngritur për rastin, më 21 mars të 2018-s, nga ora 12:10 e deri në 15:40, të tre të akuzuarit kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës brenda sallës së Kuvendit, ku ka qenë duke u mbajtur seancë plenare lidhur me votimin e demarkacionit me Malin e Zi. Në aktakuzë thuhet po ashtu se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët janë detyruar që ta lirojnë sallën e Kuvendit, me ç’rast është pamundësuar vazhdimin e seancës. Gazi lotsjellës është përdorur gjatë seancës së jashtëzakonshme.