LAJMET E MBRËMJES

Pas Thaçit, Hill shfajëson Selimin dhe Krasniqin

Ambasadori Christopher Hill në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Hagë ka folur për Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Nga të dy të akuzuarit, ashtu edhe nga Thaçi, ai e ka hequr përgjegjësinë lidhur me akuzat, duke thënë se Selimin e shihte si njeri që përfaqësonte grupin e Drenicës, ndërsa për Krasniqin tha se nuk e shihte si figurë kryesore të UÇK-së. Për Veselin, tha se nuk iu kujtohej kur e kishte dëgjuar atë emër.

Ish-përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara për Kosovë gjatë luftës, Christopher Hill, në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale Gjatë dëshmisë së tij përveç Hashim Thaçit i ka shfajësuar edhe të akuzuarit Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Diplomati i pensionuar amerikan tha se kur foli me Rexhep Selimin në Likoc në korrik të 1998-ës, ai përfaqësonte perspektivën e grupit të Drenicës.

“Ne kuptuam se Selimi do të ishte në pozicion që të na jepte përgjigje. Por, në fakt ishte nga Grupi i Drenicës. Në situatën kur nuk morëm përgjigje, atëherë ne menduam se ai thjesht po përfaqësonte disa opinione të grupit të Drenicë”, tha Hill.

E duke u bazuar nga përvoja e tij në negocimin e shkëmbimin e pjesëtarëve të ndaluar të UÇK-së me ata të Armatës Jugosllave në janar të ‘99-s, ambasadori Hill tha se nuk e pa me peshë të theksuar as zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi.

“Është e vërtetë pra, siç shkruhet në këtë përmbledhje, që ju nuk e dinit saktësisht se UÇK e miratoi lirimin e ushtarëve jugosllavë?” – pyeti avokati i Veselit, Aidan Ellis.

“Saktë. Dhe kjo ka qenë një problematikë e vazhdueshme me UÇK-në sepse ne nuk e dinim se kush ishte përgjegjës”, tha Hill.

“Dhe ajo që mendonit ju, pra që Krasniqi kishte marrë disa udhëzime ishte pikërisht sepse ju nuk mendonit se z. Krasniqi ishte një nga figurat kryesore apo jo?” – pyeti Ellis. 
“Po, këto janë mendime të pabazuara, por në mungesë të informacioneve të tjera, atëherë po”, tha Hill.

Hill tregoi se nuk ka informacione për raportimin e brendshëm të UÇK-së.

Ndërkaq, kur u pyet për Kadri Veselin, tha se “Nuk e di në qoftë se këtë emër e kam dëgjuar atëherë apo më vonë”

Po ashtu, Hill ka mohuar t’i ketë thënë mbrojtjes së Hashim Thaçit se refuzon që të japë dëshmi për Prokurorinë.

E tek iu përgjigj avokatit Mishetich, dëshmitari tha se vendosi të bëhej dëshmitar, pasi nga e gjithë përvoja e tij si diplomat nuk ka arsye të besojë se Thaçi ishte përfshirë apo kishte urdhëruar kryerjen e krimeve të luftës.

Ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi që mbajtën pozita të larta në Kosovë, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.