Me akuza të ndërsjella mes deputetëve të pushtetit dhe atyre të opozitës është përcjellë mbledhja e Komisionit parlamentar për Vlerat e Luftës, në të cilën është trajtuar çështja e ekspozitës me pasaktësi për masakrat. Ajo përfundoi pa ndonjë vendim.
Ekspozita me të dhëna të pasakta për masakrat e Serbisë në Kosovë ka përplasur deputetë të partisë në pushtet me ata të opozitës, në mbledhjen urgjente të Komisionit parlamentar për Vlerat e Luftës Çlirimtare.
Ekspozita është financuar edhe nga Kuvendi
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDeputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka kritikuar Qeverinë për mbështetje financiare të librit të Shkëlzen Gashit, të dhënat e të cilit janë prezantuar në ekspozitë.
“Çfarë fatkeqësisht kemi parë në këto vite e që kurrë s’kam besuar që do t’i përjetojmë, janë disa eksponentë edhe brenda shoqërisë civile, po të afërt me qeverinë e zotit Kurti, po fatkeqësisht edhe ministra, dhe siç e kemi parë edhe kryeparlamentarja, të cilët financojnë me paratë e taksapaguesve një ekspozitë e cila fund e krye është narracion jo i viktimave, jo i Kosovës, por është narracion kryekëput i Beogradit”, ka thënë Behrami.
Behramit i është kundërpërgjigjur deputeti i Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka, duke thënë se rishkrimin e historisë po e bën edhe Gjykata Speciale, e themeluar nën presionin e PDK-së.
“Është shumë shqetësuese që zoti Behrami po e lidh një ekspozitë të shoqërisë civile me tendencën e qeverisë siç thotë ai. Ne e dimë kush e ka themeluar Gjykatën Speciale, kush e ka votuar e si ka votuar. Ne kemi qenë ata që kemi dalë në rrugë e kemi protestuar e kemi qenë në kundërshtim të kësaj gjykate dhe padrejtësisë që i ka bërë Kosovës me këtë gjykatë, ose rishkrimit të historisë me këtë Gjykatë Speciale”, ka thënë Haskuka.
E, përgjegjësi për financimin e librit dhe ekspozitës kërkoi deputeti i LDK-së, Armend Zemaj që po ashtu kërkoi që në komision të thirret edhe ministrja e Drejtësisë, e cila mandatin e shkuar ka drejtuar Ministrinë e Jashtme, institucion që ka ndarë mjete për librin.
Tensione në mbledhje u krijuan pasi Zemaj u akuzua nga deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, se ai ka votuar ligj që amniston krimet e serbëve.
Kjo nuk ishte përplasja e vetme verbale në mbledhje. Zyba u përplas edhe me Behramin.
Komisioni vendosi që çështja të trajtohet sërish javën e ardhshme, ndërsa në mbledhje është ftuar edhe ministri Andin Hoti.