LAJMET E MBRËMJES

Prokuroria: Komandantët e zonave ankoheshin te Thaçi, Selimi e Veseli

Matthew Halling

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përmbyllur fjalën e saj në Speciale. Prokuroria ka theksuar se komandantët, siç janë Sami Lushtaku dhe Sylejman Selimi u drejtoheshin me ankesa Hashim Thaçit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit. Pas përmbylljes së fjalës së Prokurorisë, ka folur mbrojtësi i viktimave, i cili tha se viktimat vuajtën pasoja të mëdha nga krimet për të cilat akuzohen të pandehurit.

Komandantët e Zonave i raportonin Shtabit të Përgjithshëm dhe ua paraqitnin atyre edhe vërejtjet kur merrnin vendime pa i konsultuar fare, ka thënë prokurori Matthew Halling në fjalën përfundimtare të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Në deklarimin përfundimtar në gjykimin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së, Halling tha se komandantet e zonës së Drenicës, Sami Lushtaku dhe Sylejman Selimi, u drejtoheshin Rexhep Selimit, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit gjatë luftës kur shprehnin ankesa dhe kjo e dëshmon se ata ishin prijës.

“Po të shohim në këto shënime, shihet se komandantët e Zonave ankohen se si Sokol Bashota (që nuk është në nivel të detyrës) dhe Jakup Krasniqi (i respektuar, por jo personi i duhur për postin që ka si zëvendëskomandant) dhe është shqetësuese për ta se si Shtabi i Përgjithshëm ka shpërfillur kërkesat e tyre lidhur me ta. Duhet të ishin konsultuar, kjo është ankesa e tyre. Dhe kush është fajtori për shpërfilljen e kërkesave të tyre dhe mos-konsultimin e tyre? Sami Lushtaku e bën të qartë: Rexhep Selimi, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë përgjegjës për këtë situatë”, tha Halling.  

Halling tha se ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm, Sokol Bashota, ka dhënë deklaratë që mund të mos e besojë as mbrojtja, kur tha se Thaçi u bë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm në ’98-n.

Ai theksoi se provat e dosjes së Prokurorisë e edhe deklarimi i Thaçit në prokurori tregojnë se ai mori pjesë në takimin themelues të UÇK-së, ku ishin edhe Adem Jashari, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi.

Në seancë është deklaruar edhe mbrojtësi i viktimave, i cili ka treguar se në proces morën pjesë 84 të afërm të viktimave të vrasjes.

“Kemi trajtuar natyrën arbitrare të ndalimeve dhe vrasjet nuk ishin më pak arbitrare në vetvete dhe më pak shfajësuese. Kemi 84 viktima që ishin të afërm të viktimave të vrasjeve të cilët ishin pjesëmarrës në këtë çështje gjyqësore. Brenda këtij grupi 20 viktima janë familjarë të personave që janë zhdukur dhe për këtë ka ngritur akuza prokuroria. 66 të tjerë i kanë pasur të dashurit të burgosur dhe s’janë parë më kurrë ose përfundimisht janë zhdukur dhe për ta nuk janë ngritur akuza për zhdukje me forcë. Çfarë i lidh të gjitha këto viktima, pavarësisht nëse janë serb apo shqiptarë të Kosovës apo nëse janë viktima të zhdukjes me forcë apo nëse janë pjesë viktima të vrasjes apo ndalimit: Ajo që i lidh është që kanë vuajtur një formë të caktuar. Nuk e dinë se çfarë u ka ndodhur personave të tyre të dashur, pse ndodhi”, tha mbrojtësi i viktimave Simon Laws.

Krahas traumave, Laws ka vënë në pah edhe viktimat të cilëve u ka ndryshuar jeta përfundimisht si shkak i ndalimit.

“Për të burgosurit që mbijetuan, familjet duhet të jetonin me pasoja të ndryshme. Në rastin e dëshmitarit 04733 për shembull nënkuptonte që familja priti një person të lënduar, një person që nuk do të punonte më kurrë, që nuk do të ishte kurrë i qetë nga pikëpamje mendore pas përvojës së tmerrshme të ndalimit”, tha Laws.

Pas dy ditësh paraqitje të fjalës përfundimtare të Prokurorisë dhe Mbrojtësit të Viktimave, të mërkurën nis paraqitjen e dëshmisë mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi.