Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Protesta e fermerëve “ndalon” qumështin pluhur dhe vajin e palmës

Armend Muja

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka njoftuar të dielën se autoritetet në Kosovë kanë identifikuar raste kur produkte të qumështit të shitura në treg nuk e pasqyrojnë saktë përbërjen e tyre, mes dyshimeve për përdorim të qumështit pluhur dhe vajit të palmës si zëvendësues të qumështit të freskët dhe yndyrave shtazore. Muja ka thënë se ka marrë vendim për pezullimin e përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në Kosovë, pas protestës së një ditë më parë të prodhuesve të qumështit

Ministria e Bujqësisë ka marrë vendim për pezullimin e përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në Kosovë.

Ministri në detyrë Armend Muja në një konferencë për media, të dielën, pas protestës së fermerëve, ka prezantuar disa masa duke thënë se të dhënat e institucioneve tregojnë rritje të importit të qumështit pluhur duke e lidhur këtë me rënien e fuqisë blerëse ndaj fermerëve vendorë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Muja ka përmendur edhe disa presione të jashtme që, sipas tij, po shkaktojnë shqetësime te fermerët.

“Pra, nga të dhënat që kemi marrë nga dogana dhe të cilat i kemi konfirmuar edhe përmes Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, na rezulton që janë dy presione që po shkaktojnë telashe tek fermerët. Një presion i rëndë me të cilin po ballafaqohen fermerët dhe sektori i qumështit, dhe ai po vjen kryesisht nga dy faktorë: Tendenca për ta zëvendësuar qumështin e freskët me qumësht pluhur. Tendenca për t’i zëvendësuar yndyrat shtazore që vijnë nga qumështi i freskët me yndyra bimore (vaj palme)”, ka thënë ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja. 

Sipas tij, të dhënat e Doganës dhe verifikimet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) tregojnë rritje të importeve të qumështit pluhur dhe fraksioneve të vajit të palmës që përdoren në industrinë e përpunimit të qumështit.

Muja ka thënë se gjatë javës së parë të kontrolleve janë marrë 118 mostra në kufi dhe 52 mostra në tregun vendor, ndërsa analizat laboratorike kanë identifikuar raste të mospërputhjes.

“Kërkojmë krijimin e një sistemi të ndarë të prodhimit për produktet që përdorin qumësht pluhur dhe vaj palme. Këto dy sisteme nuk mund të përzihen sepse kanë procese dhe rregulla të ndryshme higjienike. Të gjithë operatorët do të duhet të riaplikojnë për autorizime dhe licenca të veçanta nëse dëshirojnë të përdorin vaj palme dhe qumësht pluhur në produktet e tyre, duke u bazuar në rregullativat e Bashkimit Evropian. Me këto vendime, pezullohet përdorimi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur deri në rregullimin ligjor dhe ndërtimin e sistemit nga AUV-i”, ka thënë Muja.

Fermerët kanë protestuar të shtunën duke thënë se çmimi i qumështit është ulur nga 48 centë në 27 deri në 30 centë për litër, gjë që sipas tyre, po e bën të pamundur mbijetesën e prodhimit vendor.

“Të dhënat tregojnë për një rritje të ndjeshme të importeve në tregun vendor. Vetëm gjatë vitit 2025, importet e produkteve të qumështit kanë arritur në 89.8 milionë euro, ndërsa çdo vit importohen rreth 28 milionë litra qumësht i freskët. Po ashtu, mbi 1 milion kilogramë qumësht pluhur përdoret nga industria, si alternativë më e lirë duke kufizuar edhe më tej plasimin e prodhimit vendor”, thuhet në një reagim të Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, e bërë më 7 prill të këtij viti.

Për këtë situatë, janë bërë reagime edhe nga opozita ditëve të fundit.

E masat e fundit të ndërmarra nga Ministria e Bujqësisë, sipas Mujës, synojnë rritjen e kontrollit në industrinë e qumështit, mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbështetjen e fermerëve vendorë.