Sipas Prokurorisë Speciale, Gjukanoviq me vetëdije të plotë ka kryer veprime të përsëritura duke dërguar informacione të dokumentuara që lidhen me rendin kushtetues te zyrtarët e lartë të BIA-s. E mbrojtja e Gjukanoviqit ka kërkuar që masa e paraburgimit të zëvendësohet me arrest shtëpiak
Punonjësja e misionit të OSBE-së në Kosovë, e akuzuar si spiune e Serbisë, Jelena Gjukanoviq, është deklaruar e pafajshme në seancën fillestare të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“E pafajshme”, ka thënë ajo.
Prokuroria Speciale e akuzon atë se ka kryer veprën penale deri në momentin e arrestimit të saj, në shkurt të këtij viti.
Sipas aktakuzës, Gjukanoviq si zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë me vetëdije të plotë ka kryer veprime të përsëritura duke përcjellë informacione të dokumentuara për agjentin rezident të BIA-së, Aleksandër Vllajiq, të cilat informacione pastaj janë transmetuar te zyrtarët e lartë të BIA-s.
“Gjatë ushtrimit të detyrës së saj zyrtare në kuadër të aktivitetit të misionit të OSBE-së, ndihmë kjo e realizuar përmes komunikimeve të shumta, me tani të dënuarin agjentin rezident të BIA-së, Aleksandër Vllajiq, të cilit i ka dërguar informacione të dokumentuara që lidhen me rendin kushtetues, sigurinë institucionale dhe veprimtarinë e brendshme të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë prokurori special, Bekim Kodraliu.
Përveç komunikimeve me të dënuarin për spiunazh, Aleksandër Vllajiq, në aktakuzë thuhet se Gjukanoviq ka komunikuar edhe me zyrtarë të tjerë të BIA-s serbe.
Ajo akuzohet se ka ndihmuar edhe në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të Kosovës.
“Informacione pastaj janë transmetuar te zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht Radko Gajtanoviq, përgjegjës i BIA-s për rajonin e Novi- Pazarit në Serbi dhe zyrtarin tjetër Lubisha Bukviq. Me këtë të fundit e pandehura në disa raste është takuar në zyrat e BIA-s në Beograd. Ka ndihmuar një krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Kosovës, përmes këtyre veprimeve të qëllimshme”, ka thënë prokurori Kodraliu.
Predrag Milkoviq, avokat i Gjukanoviqit, ka propozuar që masa e paraburgimit të së akuzuarës, t’i zëvendësohet me arrest shtëpiak, gjë që është kundërshtuar nga prokurori special, Bekim Kodraliu, me arsyetimin se ende ekzistojnë kushtet për vazhdimin e paraburgimit.
E gjyqtari Rrahman Beqiri ka thënë se për këtë propozim do të vendosë pasi të përfundojë seanca.
Mbrojtja e Gjukanoviqit ka kërkuar po ashtu 30 ditë afat për mbledhjen e provave shtesë, por trupi gjykues, i udhëhequr nga Beqiri, ka vendosur se 15 ditë janë të mjaftueshme.
Gjukanoviq është arrestuar më 28 shkurt të këtij viti, nën akuzën se ka shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme tek Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Serbisë.