Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Sipas arsyetimit të PZAP-së, vendimi i KQZ-së nuk ka qenë i bazuar në mënyrë të duhur në ligj dhe nuk është dëshmuar bindshëm që kandidatët në fjalë janë në kundërshtim me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë vendim në favor të subjektit politik Lista Serbe, duke aprovuar ankesën e këtij subjekti kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e listës së kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Me këtë vendim, PZAP-ja e ka anuluar vendimin e KQZ-së të datës 21 gusht, në të cilin KQZ-ja e kishte refuzuar certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe për shkak të vlerësimit se disa kandidatë nuk i përmbushnin kriteret ligjore për të qenë pjesë e garës zgjedhore.
Sipas arsyetimit të PZAP-së, vendimi i KQZ-së nuk ka qenë i bazuar në mënyrë të duhur ligjore dhe nuk është dëshmuar bindshëm që kandidatët në fjalë janë në kundërshtim me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili i përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur.
“Paneli vlerëson se në vendimin e ankimuar të KQZ-së nuk është dhënë asnjë arsye se përse është refuzuar rekomandimi i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ për certifikimin e listës së kandidatëve të subjektit politik Listës Serbe. Arsyetimi i vendimit të atakuar është i mangët, jo i plotë dhe nuk i ka elaboruar të gjitha çështjet dhe faktet vendimtare që kanë të bëjnë me këtë çështje administrative, sa i përket refuzimit të kërkesës për certifikimin e Listës së kandidatëve për asamble komunale dhe kandidatëve për kryetar të komunave të subjektit politik, Lista Serbe. Vendimi i kontestuar nuk përmban një vlerësim të fakteve në raport me dispozitat ligjore, andaj një vendim nuk mund të quhet se është i drejtë dhe i ligjshëm dhe se është marrë me respektimin e dispozitave ligjore të LZP-së dhe Rregullores 04/2024 për Certifikimin e Subjekteve Politike dhe Kandidatëve të tyre”, thuhet në vendim.
Kundër vendimit të PZAP-së kanë dalë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputeti Hekuran Murati i LVV-së e ka quajtur vendimin veprim skandaloz, e madje ka kritikuar edhe abstenimin e partive opozitare në KQZ.
“Fatkeqësisht, e shohim si një veprim skandaloz. Një tjetër që ka kontribuar këtu është abstenimi i vakët i partive opozitare në KQZ – do duhej të kishin vepruar kundër, sepse do duhej të ishin kundër një subjekti të tillë. Por e pamë që në KQZ për Listën Serbe abstenojnë, kurse këtu në Kuvend për përfaqësuesit e LVV, kur propozohen për kryetar, votojnë kundër. Pra, ky është dallimi”, tha Murati.
Ndërsa deputetja Albulena Haxhiu ka paralajmëruar se si parti do të shqyrtojnë mundësinë e dërgimit edhe në Gjykatën Supreme.
“Është vendim skandaloz, nuk arrita ta lexoj në plotni por siç e pashë PZAP ka urdhëruar KQZ që të bëjë certifikimin e Listën Serbe. Për mua është një vendim tejet i dëmshëm. Ngutia e PZAP pavarësisht që ka pasur kohë 72 orë, lë të nënkuptojë se ka pasur presione mbi këtë institucion. Duhet të shihet mundësia që ky vendim të dërgohet në Gjykatën Supreme”, tha Haxhiu.
E deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se KQZ-ja dhe Gjykata Kushtetuese po sjellin vendime politike.
“Tash LQZ-ja dhe Gjykata Kushtetuese janë bërë organe që po sjellin vendime fatkeqësisht përmes mekanizmave të tjerë politike që nuk do të duhej me qenë”, tha Haziri.
Vendimi i KQZ-së i 21 gushtit u kritikua nga vendet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian, të cilat i bënë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike të mos ndërmarrin ndonjë hap tjetër për ta penguar regjistrimin e Listës Serbe për zgjedhjet e tetorit.
Lista Serbe vendosi të garonte në zgjedhjet e sivjetshme lokale, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e kaluara lokale, duke bërë që kryetarët shqiptarë ta merrnin dhe mbanin pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga maji i vitit 2023.
Nëse certifikohet, Lista Serbe pritet t’i rimarrë të gjitha katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.