Federata e Xhudos e Kosovës është e para në listën e federatave të kategorizuara në Kosovë.
Në krye të listës së kategorizimit të sportistëve dhe trajnerëve kosovarë janë edhe xhudistët. Por kryemjeshtri Driton Kuka thotë se klubet e xhudos nuk përkrahen sa duhet.
Ai në rrjetet sociale ka përmendur arritjet që kanë xhudistët, ndërsa ka shtuar se në shumicën e komunave të Kosovës klubet e xhudos diskriminohen.
“Pesë rrathët i plotësoi xhudoja! Për besë krejt pesë copa! E klubet e xhudos në shumicën e komunave diskriminohen keq! Ngriheni zërin tash para zgjedhjeve komunale! Me pak përjashtime në disa qytete! Koha për të folur o miq, trajner e zyrtarë të klubeve. E në thirrjet për aplikime në nivel qendror, klubet e xhudos asnjë përfituese! Së paku kështu mora informacione nga shumë klube nga qytete të ndryshime që kishin aplikuar! Grante për komuna e të ndahet buxheti prej ekspertëve nëpër komuna, kështu i kemi pasur planet për rritjen e përkrahjes nëpër klube. Postimi s’ka të bëjë me klubin ku unë punoj, sa për korrektësi, por për ankesat nga klubet e tjera!”, ka shkruar të dielën në Facebook trajneri i klubit të xhudos “Ippon” nga Peja.
Kosova i ka pesë medalje olimpike, prej tyre tri të arta, ndërsa lista e medaljeve botërore e evropiane është shumë, shumë e gjatë.
Kryemjeshtri Kuka, që është trajneri dukshëm më i suksesshëm shqiptar dhe njëri prej trajnerëve më të mirë të xhudos në botë, ka ngritur zërin për padrejtësi në sport edhe në të kaluarën. Por, nuk ka heshtur duke kërkuar përgjegjësi nga federatat sportive të vendit. Ai ka kërkuar përgjegjësi më të madhe edhe nga shteti.
Ka kohë që xhudoja është shkëputur shumë nga pjesa tjetër e sporteve të vendit. Me programin
“Kosova shtet i xhudos” zhvillimi vlerësohet se është bërë edhe më i hovshëm. Por pak klube të xhudos, sipas trajnerit Kuka, kanë përkrahjen e merituar.