Kuvendit i është proceduar nga Qeveria Projektligji i ri për çmimet tavan, më shumë se dy vjet pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Zyrtarë të ekzekutivit thanë se dokumenti synon të mbrojë konsumatorin dhe të parandalojë abuzimet me çmime në kohë krizash.
Qeveria ka miratuar Projektligjin e ri për çmimet tavan, i cili në mandatin e kaluar u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.
Kryeministri Albin Kurti tha se Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg mbron lirinë e tregut, por edhe konsumatorin nga fryrjet artificiale të çmimeve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ky ligj garanton furnizimin dhe çmimet e përballueshme për produktet bazë në kohë krize, pastaj parandalon spekulimet dhe fitimet e pajustifikuara në kurriz të qytetarëve dhe më tej siguron reagim të shpejtë institucional kur tregu destabilizohet. Për herë të parë krijojmë mekanizëm të pavarur, bordin i cili vendos mbi bazën e të dhënave dhe interesit publik e kurrsesi të interesave të ngushta”, ka thënë Kurti.
E, pasi Projektligji u miratua në Qeveri, ministrja e Ndërmarrësisë, Industrisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha në një konferencë për media se gjatë hartimit të dokumentit janë marrë në konsideratë rekomandimet që ka dhënë Kushtetuesja.
“Ky projektligj ka marrë për bazë këto rekomandime dhe tani përcakton dy lloje të masave të përkohshme, caktimin e masës së marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë, si dhe caktimin e çmimit maksimal të lejuar, gjithmonë në raport me listën e produkteve e cila miratohet nga një bord i veçantë”, ka bërë të ditur Kusari-Lila.
Ministrja Kusari-Lila tha se Projektligji parasheh themelimin e një bordi të pavarur për masat e përkohshme për rregullimin e çmimeve, i cili propozohet nga Qeveria, por miratohet nga Kuvendi, të cilit edhe i raporton.
Ajo theksoi dy nga masat e drejtpërdrejta që derivojnë nga Projektligji, si marzha e fitimit dhe çmimi tavan.
“Në këtë rast mund të përcaktojmë saktë që për një listë të produkteve të miratuara nga bordi për mbikëqyrjen e çmimeve do të ketë çmime mbi të cilat nuk guxon të tregtohet dhe në situata të tilla atëherë do të ketë një mbikëqyrje dhe sanksionim më të rreptë”, është shprehur Kusari-Lila.
Projektligji ishte miratuar edhe në vitin 2022, por u sfidua në Kushtetuese nga opozita.