Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Rama kushtëzon tërheqjen nga nisma për taksë për jorezidentët

Perparim Rama

Pas kritikave të shumta për propozimin për tarifimin e hyrjes në Prishtinë, kryetari, Përparim Rama, ka thënë se me të synohet sigurimi i mjeteve financiare për projekte të mëdha infrastrukturore, veçanërisht për ndërtimin e unazës së qytetit. Reagime ka pasur edhe nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat këtë nismë e kanë cilësuar diskriminuese

Procedurat që ka nisur Komuna e Prishtinës për ta jetësuar nismën e vendosjes së një tarife për automjetet që hyjnë në kryeqytet, sipas kryetarit Përparim Rama, lidhen me nevojën për sigurimin e mjeteve financiare për projekte të mëdha infrastrukturore, në veçanti për ndërtimin e unazës së qytetit.
Në një status në Facebook, Rama ka theksuar se ideja për tarifimin e automjeteve që nuk janë të regjistruara në kryeqytet është vetëm një propozim për diskutim publik dhe jo një vendim i marrë.

“Arsyeja pse po e shqyrtojmë këtë mundësi është e thjeshtë: Prishtina ka nevojë urgjente për investime të mëdha infrastrukturore, veçanërisht për ndërtimin e unazës së kryeqytetit, një projekt që do të zvogëlonte kolonat, do të lehtësonte qarkullimin, do të reduktonte ndotjen dhe do të përmirësonte cilësinë e jetës për të gjithë. Po e ritheksoj se kjo nuk është një tarifë e planifikuar apo e vendosur. Po diskutohet si alternativë në rast se fondet e BERZH-it vazhdojnë të mbeten të bllokuara nga kjo qeveri”, ka thënë Rama, pas kundërshtimeve që ka nxitur paralajmërimi për taksën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për pretendimet e kryetarit Rama se fondet e BERZH-it për projektin e unazës së Prishtinës po mbahen të bllokuara, KOHA ka kërkuar sqarime nga Ministria e Financave, por deri në publikimin e kronikës nuk ka pranuar përgjigje.

E, sipas Ramës, paketa financiare për realizimin e këtij projekti arrinte vlerën e rreth 206 milionë eurove, ku deri në 40 për qind e shumës ishin grant, mjete që nuk do të duhej të ktheheshin nga qytetarët.

“Ekziston një zgjidhje shumë e thjeshtë: zhbllokimi i fondeve të BERZH-it dhe lejimi i realizimit të projektit të unazës së qytetit. Nëse këto fonde zhbllokohen nga Qeveria, nuk do të ketë tarifa për askënd”, ka thënë ai.

Sipas Ramës , tarifa do të mund të ishte 1 deri në 2 euro për automjetet që hyjnë në qendër të Prishtinës, ndërsa deri në 10 euro për kamionët e mëdhenj që qarkullojnë në qendër.

Megjithatë, Rama deklaroi se vendimi i fundit do t’u takojë qytetarëve.

Por në draftrregulloren e publikuar nga Komuna e Prishtinës për konsultim publik thuhet se “çdo automjet i regjistruar jashtë territorit të kryeqytetit, që hyn në zonën e përcaktuar nga Kryeqyteti, i nënshtrohet pagesës së taksës në shumën prej 10 eurosh për hyrje”, pa u përmendur ndonjë kategori e veçantë e automjeteve, siç janë kamionët.

Ndaj deklaratës së Ramës, ka reaguar shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes në kryeqytet, Gëzim Sveçla. 

Ai ka thënë se qëndrimi i Ramës është zmbrapsje. Sipas tij, Rama nuk po e thotë as të vërtetën për çështjen e vlerës që parashihet si taksë.

E Sipas Besnik Muçajt nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, propozimi për vendosjen e taksës është diskriminues, pasi kryeqyteti tashmë përfiton mjete shtesë nga niveli qendror pikërisht për shkak të rolit që ka në ofrimin e shërbimeve edhe për qytetarët e komunave të tjera. 

Draftrregullorja parasheh gjithashtu vendosjen e tarifave të reja për 43 kategori të veprimtarive ekonomike, me vlerë nga 300 deri në 3 mijë euro.