Kosova vazhdon të përballet me sfida në fushën e të drejtave të njeriut thuhet në raportin e fundit të “Amnesty International”. Kjo organizatë ndër ngecjet kryesore ka evidentuar dhunën me bazë gjinore e sulmet ndaj gazetarëve.
Dhuna me bazë gjinore, thirrjet raciste, sulmet ndaj gazetarëve dhe mungesa e ligjit për bashkësi civile vlerësohen si ngecje për Kosovën në raportin mbi gjendjen e të drejtave të njeriut, të përpiluar nga organizata “Amnesty International”.
Në raportin e këtij viti, “Amnesty” theksoi se dhuna me bazë gjinore është në nivel të lartë, veçmas dhuna në familje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Një raport i Komisionit Evropian në nëntor vuri në dukje nivele të larta të vazhdueshme të dhunës me bazë gjinore, veçanërisht dhunës në familje. Aty pranohet se janë bërë përpjekje për të rritur vetëdijen për këtë çështje dhe për të adresuar ngecjet sa i përket mbrojtjes institucionale dhe ligjore për gratë. Megjithatë, raporti gjeti se këto përpjekje nuk ishin të mjaftueshme për të luftuar në mënyrë efektive dhunën me bazë gjinore”, thuhet në raport.
Në seksionin për të drejtat e grave përmendet vendimi i Gjykatës Supreme që lë në fuqi udhëzimin e vitit 2014 për ndalimin e veshjeve fetare në shkolla, i cili, sipas raportit, kufizon qasjen në arsim për vajzat me shami.
“Amnesty International” thekson se nuk është bërë përparim në miratimin e ligjit për bashkësi civile mes personave të gjinisë së njëjtë, i cili ka mbetur i bllokuar gjatë krizës politike.
Aty theksohet se nuk u shënua përparim as në hapjen e një strehimoreje të specializuar, pavarësisht zotimeve të autoriteteve.
“Komuna e Prishtinës caktoi dy banesa të vogla si strehimore të përkohshme për individët që përjetojnë dhunë për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor. Nuk u bë përparim në hapjen e një strehimoreje të specializuar, pavarësisht zotimeve të autoriteteve. Legjislacioni që mundëson njohjen ligjore të gjinisë dhe njohjen e bashkësive të së njëjtës gjini mbeti i bllokuar gjatë krizës politike pas zgjedhjeve të shkurtit dhe nuk kishte avancuar deri në fund të vitit”, thuhet në raport.
Ndërkaq, zhvillim pozitiv është vlerësuar shfuqizimi i një ligji për rregullatorin e mediave.
Raporti vë në pah edhe krizën politike pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, kur Kuvendi nuk u konstituua dhe vendi shkoi sërish në zgjedhje më 28 dhjetor.
Në raportin vjetor, kjo organizatë thekson se bota është në prag të një epoke të re të rrezikshme, e nxitur nga sulmet e shteteve të fuqishme dhe lëvizjeve kundër të drejtave të njeriut, ndaj multilateralizmit, ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut.