Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Rasti “Banjska”, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre kërkuan lirim nga akuza

Rasti Banjska

I akuzuari Blagoje Spasojeviq ka shprehur keqardhje dhe e ka pranuar se ka shtënë me armë zjarri gjatë sulmit terrorist në Banjskë. Megjithatë, të tre të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre kërkuan lirim nga akuza për sulm terrorist, tek pretendonin se nuk ishte sulm terrorist, por kryengritje e armatosur. E shpallja e aktgjykimit për rastin “Banjska” do të bëhet më 24 prill.

Mbrojtësit e të tre të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq e Dushan Maksimoviq në paraqitjen e fjalës përfundimtare i kërkuan Gjykatës Themelore në Prishtinë lirimin nga akuzat. 

I akuzuari për sulmin terrorist në Banjskë, Blagoje Spasojeviq, e ka pranuar se ka shtënë me armë zjarri më 24 shtator në këtë fshat të Zveçanit. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai tha se ndihet fajtor që ishte atë ditë në Banjskë, por tha se nuk është terrorist.

“E kam shqyrtuar disa herë që ta pranoj fajësinë dhe po të ishte reale kjo aktakuzë edhe do ta bëja atë. Jam fajtor që atë ditë isha në fshatin Banjskë dhe ky ishte gabimi më i madh në jetën time. Jam fajtor për këtë, por i nderuar trup gjykues, veten nuk mund ta quaj terrorist, meqë askënd s'e kam vrarë, askënd s'e kam lënduar dhe asnjë plumb nuk e kam gjuajtur ndaj policisë e as ndokujt tjetër. Nga pushka ime, që më është gjetur mua, ka mundur të vërtetohet se janë shkrepur dy plumba - të dy në reflektorin që ka qenë në manastir”, ka thënë Spasojeviq.

E Lubomir Pantoviqi, avokat i Spasojeviqit, insistoi që i mbrojturi i tij do të duhej të akuzohej për veprën penale: kryengritje e armatosur e jo për kryerje të veprës terroriste – dhe sipas tij, gjykata duhet ta lirojë atë e jo t’i ndreqë ato që i quajti gabime të Prokurorisë. 

“Pa konkretizim të veprimeve dhe pa përshkrim të saktë nuk është e mundur të flitet për përgjegjësi penale... Përgjegjësia penale para së gjithash është individuale, jo për atë që e kanë bërë njerëz të tjerë... Nuk ishte komandat, nuk ishte udhëheqës, nuk ishte anëtar i spikatur i grupit”, ka arsyetuar Pantoviqi.

Vladimir Toliqi dhe avokati i tij, Millosh Deleviq, thanë se provat nuk e vërtetojnë se ai shtiu me armë. 

“I lutem Zotit çdo ditë që t'i japë forcë e qëndrueshmëri familjes sime në këto ditë të rënda. Ju them që duhet të jeni krenarë me mua, të flini të qetë pasi unë fle i qetë, sepse këto duar nuk janë të përgjakura, askënd s'e kanë lënduar, në askënd nuk kanë shtënë, e Zot mos e bëj, nuk e kanë vrarë askënd”, është shprehur Toliqi. 

E avokati i tij tha se Toliqi ishte i parëndësishëm në grup. 

“Ta keni parasysh se nuk ka qenë i dënuar, nuk është vërtetuar se ka gjuajtur me armë zjarri, se është njeri familjar dhe e kemi një shprehje në serbisht se ai ishte ‘vrima e fundit e kavallit’”, ka thënë avokati Millosh Deleviq.  

E avokatja e Dushan Maksimoviqit, Jovana Filipoviq, dhe vetë i pandehuri theksuan se provat e prokurorisë nuk e vërtetojnë fajësinë, tek shprehën shpresë për aktgjykim lirues. 

Filipoviq u fokusua te mesazhet dhe krahasimi i uniformës që kishte veshur i akuzuari me atë të tre sulmuesve të vrarë në Banjskë. 

“Uniforma nuk është e njëjtë, as e ngjashme. Shtyllat janë shtylla. Nuk janë barrikada… Fotografia e Milan Radoiçiqit është fotografi që telefoni e ka ruajtur automatikisht. Të gjitha ato që i ka thënë Dushani atë ditë kanë qenë ndarje e informatave që i janë plasuar në media…Nuk shihet asnjë polic në videoincizime dhe ai nuk i është dërguar ndonjë grupi, por të dashurës së tij”, ka deklaruar avokatja e të akuzuarit Maksimoviq, Jovana Filipoviq. 

Dushan Maksimoviq tha se është falënderues ndaj mbrojtjes që ia ka bërë avokatja e tij dhe se sinqerisht beson që herën e ardhshme do ta falënderojë trupin gjykues me rastin e lirimit të tij nga akuzat. 

Të akuzuarit Spasojeviq e Toliq u deklaruan se nuk duan të marrin pjesë në shpalljen e aktgjykimit, kurse Maksimoviq tha se dëshiron të jetë i pranishëm në sallë kur të shpallet aktgjykimi të premten. 
Më 24 shtator 2023 një grup i armatosur serbësh me armatim të rëndë, fillimisht bllokoi urën në fshatin Banjskë të Zveçanit, e më pas sulmoi policët që shkuan në vendngjarje për ta hequr kamionin nga rruga. 

Gjatë sulmit të serbëve të armatosur u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë policë. 
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, synimi i sulmuesve ishte që ta ndanin veriun nga Kosova. Prokuroria ka kërkuar që tre të akuzuarit që po gjykohen të dënohen me burgim të përjetshëm.