LAJMET E MBRËMJES

Rasti i masakrës së Mejës në gjykatë, por jo edhe të akuzuarit

Është lexuar aktakuza ndaj ish-shefit të Departamentit të Sigurisë në Komandën e Korpusit të Prishtinës Momir Stojanoviq dhe 52 të tjerëve, të cilët Prokuroria i mban përgjegjës për krime lufte në Mejë dhe fshatra të tjerë të Gjakovës. Gjykimi që nisi të hënën, mbahet në mungesë të të akuzuarve

Ka nisur gjykimi në mungesë ndaj Momir Stojanoviqit dhe 52 të akuzuarve të tjerë për krime të luftës kundër popullsisë civile shqiptare në fshatin Mejë dhe në zona përreth gjatë prillit të vitit 1999.
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të hënën u lexua aktakuza që i ngarkon 53 ish-pjesëtarë të strukturave ushtarake e policore serbe me përgjegjësi për vrasjen e 370 civilëve shqiptarë. 
Në mesin e të akuzuarve janë disa ish-eprorë të Ushtrisë Jugosllave, përfshirë Momir Stojanoviqin, atëherë shef i Departamentit të Sigurisë në Komandën e Korpusit të Prishtinës; pastaj Sreten Çamoviqin, ish-drejtues i UDB-së; Nikolla Miqunoviqin, komandant i Njësive Rezervë dhe Mbrojtjes Territoriale, si dhe komandantë të tjerë të njësive ushtarake.

Sipas aktakuzës së lexuar nga prokurori special Ilir Morina, operacioni dyditor i njohur si “Reka e Keqe” nisi si akt hakmarrjeje, pasi në atë zonë, pjesëtarë të UÇK-së i vranë pesë policë serbë.

“Me pretekstin e pastrimit të territorit nga forcat e UÇK-së ata krijuan planin e spastrimit etnik të popullsisë shqiptare të quajtur ‘Reka e Keqe’, në zonën e Caragajit ku planifikuan vrasjen e mbi 100 personave dhe djegien e të gjitha shtëpive në shenjë hakmarrje për vrasjen e 5 policëve nga UÇK-ja”, tha Morina. 

Sipas aktakuzës, fillimisht u granatuan fshatrat, e më pas në to u futën forcat serbe.

“Gjatë këtyre kontrolleve forcat serbe i ndajnë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe këta të fundit, nën kërcënimin e armëve i urdhërojnë që të largohen në drejtim të Shqipërisë, kurse burrat i ekzekutojnë në mënyrë barbare në vende të ndryshme. Me ç ‘rast në fshatin Mejë u vranë 283 civilë, në Korenicë 66 civilë”.

Sipas prokurorisë, si pasojë e këtij aksioni janë dëbuar 20.000 civilë për në Shqipëri përmes pikave kufitare Qafë Prush dhe Morinë.

Në këtë rast të akuzuar janë edhe katër shqiptarë. Mihill dhe Sokol Abazi, babë e bir, si dhe Smajl Beqiri e Muharrem Ibraj. 

Momir Stojanoviqi është i akuzuari kryesor. Në atë kohë, ai ishte shef i Sigurisë në Korpusin e Prishtinës dhe, sipas aktakuzës, kishte rol udhëheqës. 

Aktualisht e udhëheq subjektin politik Këshilli Kombëtar Serb për Kosovën. Në shkurt të këtij viti, Stojanoviqi e kritikoi publikisht presidentin e Serbisë për dërgim të “njerëzve të patrajnuar” në sulmin në Banjskë.

Të akuzuar janë edhe Dragan Zhivanoviq, ish-komandant i Brigadës 125 të Ushtrisë Jugosllave, i hetuar në Serbi për masakrën në Qyshk, por çështja është mbyllur, si dhe Franko Simatoviq, ish-shef i Njësive Speciale, i dënuar më parë për krime lufte në Bosnjë.

Për masakrën e Mejës, në të cilën u vranë 370 civilë shqiptarë, hetimi nisi më 2013, në kohën kur sektori i drejtësisë udhëhiqej nga EULEX-i. Ai u ndërpre disa herë. Edhe aktakuza e Prokurorisë Speciale u ndryshua, shkaku që Gjykata Themelore në Prishtinë e ktheu mbrapsht për plotësim.