Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Rubio premton bashkëpunim më të fortë me Kosovën në të ardhmen. Macron përmend dialogun

Marco Rubio

Foto: Associated Press

Përvjetori i 18-të i Pavarësisë së Kosovës është shoqëruar me mesazhe nga zyrtarë të lartë ndërkombëtarë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, presidenti francez Emmanuel Macron kanë përcjellë mesazhe urimi dhe mbështetjeje për shtetin e Kosovës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

Rubio ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë krah Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen e tyre për sovranitetin e Kosovës dhe integritetin territorial, dhe ne mezi presim t’i zgjerojmë lidhjet ekonomike që do të rrisin prosperitetin në të dyja kombet tona. E vlerësojmë mbështetjen e Kosovës për përpjekjet e SHBA-së për të adresuar sfidat globale dhe mirëpresim lidershipin e saj si Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes”, thuhet në letrën e Rubios.

Urime presidentes Vjosa Osmani i ka përcjellë homologu i saj francez, Emmanuel Macron.

Presidenti i Francës ka thënë se ribashkimi i Evropës kalon përmes anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Në këtë frymë, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet një çështje e sigurisë evropiane dhe një dimension qendror i procesit të afrimit të tyre me Bashkimin Evropian. Franca do të vazhdojë të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi evropian. Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit kanë përcaktuar drejtimin”, thuhet në urimin e Macronit. 
Edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar për ditën e Pavarësisë së Kosovës në përvjetorin e saj të 18-të.

Begaj ka shprehur përulje dhe mirënjohje për ata që kanë sjellë lirinë në vend.

“Në këtë 18-vjetor, Kosova është më e fortë, me institucione demokratike të konsoliduara dhe me më shumë njohje ndërkombëtare. Përulje dhe mirënjohje për ata që sollën lirinë”, tha Begaj.

Presidentja Osmani ka pranuar mesazhe urimi një ditë më herët edhe nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, L.T. Charles III, Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier dhe presidenti i Italisë, Sergio Mattarella.