LAJMET E MBRËMJES

Serbia i arreston edhe dy shqiptarë për krime lufte

Policia e Serbisë i ka arrestuar dy shqiptarë të Kosovës që jetojnë në Gjermani, në pikën kufitare Horgosh. Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se ata janë arrestuar nën dyshimet për krime lufte dhe u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Por, në Degën e OVL-UÇK-së në Rahovec deklaruan se ata nuk kanë qenë pjesë e UÇK-së

Pavarësisht paralajmërimeve nga institucionet, rruga për në Serbi po përdoret nga qytetarët që udhëtojnë drejt Kosovës nga shtetet e Evropës Qendrore e Perëndimore.

Dy shtetas të Kosovës, që siç mëson KOHA jetojnë në Gjermani, i ka arrestuar policia e Serbisë nën dyshimet për krime lufte në Rahovec. 

Njoftimin për arrestimin e Xhemë dhe Bashkim Eminit e bëri ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, në konferencën e thirrur për protestat në Serbi.

“Keni dëgjuar dhe kemi njoftuar pak më parë që janë arrestuar dy persona, në Horgosh duke hyrë në Serbi, për shkak të ekzistimit të dyshimit që janë nga Kosova, për shkak se ekziston dyshimi se kanë kryer veprën penale ‘krime lufte kundër popullatës civile’. Dyshimi është që më 9 gusht 1999, në Rahovec, në bashkëkryerje me pjesëtarë të së ashtuquajturës UÇK, përmes përdorimit të forcës fizike, armëve të zjarrit dhe kërcënimit serioz, kanë rrëmbyer civilin e nacionalitetit serb dhe çuan në drejtim të panjohur e që atëherë çdo gjurmë e tij është humbur”, ka thënë Daçiq. 

Kryetari i degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rahovec, Qemajl Krasniqi, ka thënë se dy të arrestuarit nuk kanë qenë pjesë e UÇK-së. 

“Në cilësinë e kryetarit të degës së OVL-UÇK-së në Rahovec, them me përgjegjësi se këta nuk janë në listën tonë të veteranëve”, ka thënë ai.

KOHA ka kontaktuar edhe me njërin nga familjarët e të arrestuarve, por ai nuk ka dashur të flasë, meqë është shprehur se është në gjendje të keqe emocionale pas ngjarjes. 

Redaksia e ka kontaktuar edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, por as ky institucion nuk ka kthyer përgjigje lidhur me rastin. 

Serbia vazhdimisht ka arrestuar shtetas të Kosovës gjatë kalimit të tyre nëpër Serbi.

Më 22 korrik ata e kanë arrestuar Lulzim Halilin, nën dyshimet se ka qenë pjesëtar i UÇK-së, por që nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së ishte hedhur poshtë  pretendimi i Serbisë.

Më herët, gjatë këtij muaji, është ndaluar edhe Behar Preniqi në pikën kufitare Batrovci, në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë.

Në muajin e shkuar kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një konferencë për media ka bërë thirrje që mërgimtarët të shmangin kalimin nëpër Serbi, pasi që ka indikacione për provokime dhe për ndalime arbitrare nga autoritetet serbe.

Viteve të fundit në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, për të cilët Beogradi zyrtar ka pretenduar se kanë kryer krime të luftës.