Ka dështuar të mbahet edhe të martën seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për votimin që Plani Zhvillimor Komunal të dalë në diskutim publik. Në mungesë të kuorumit seanca as nuk nisi. Në sallë të pranishëm ishin 23 asamblistë, teksa krahas atyre të LVV-së e PDK-së, munguan edhe këshilltarë nga LDK-ja, AAK-ja e NISMA
Në mungesë kuorumi ka dështuar edhe të martën seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës e thirrur nga kryetari Përparim Rama, për votimin që plani i ri zhvillimor të dalë në diskutim publik.
Në sallë u paraqitën 23 asamblistë, teksa krahas atyre të LVV-së e të PDK-së, munguan edhe Fitnete Bejta e LDK-së, Xhavit Ahmeti i AAK-së e Endrit Zabërgja i Nismës.
Bejta u paraqit pas përfundimit të mbledhjes e kryetari Rama e kualifikoi mospraninë e asamblistëve të partive opozitare në Prishtinë si sabotim.
“Ne kemi ftuar seancën e jashtëzakonshme për të vendosur në diskutim publik planin për Prishtinën, por nuk i patëm asamblistët e mjaftueshëm. Ne do të tentojmë ta qesim edhe herët e tjera në diskutim. Për fat të keq nuk po votohet që të vendoset në publik, por po vazhdon të sabotohet”, ka thënë Rama.
E shefi i grupit të asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, ka thënë pas seancës se subjekti i tij nuk do të japë votë për planin, pasi konsideron se ai përmban shkelje të mëdha ligjore.
“Nuk ka ndryshuar asgjë nga plani i mbledhjes së kaluar. Ne po flasim për të njëjtën PZHK dhe të njëjtën qasje të Përparim Ramës. Unë jam shumë i lumtur që asamblistët e qytetit po vazhdojnë t’i rezistojnë kësaj këmbënguljeje dashakeqe të LDK-së dhe kryetarit Rama. Kjo PZHK nuk i shërben kryeqytetit dhe ka shkelje ligjore”, ka thënë Sveçla.
Plani Zhvillimor është tentuar të votohet që nga viti 2021. Në dhjetor të 2024-s nuk qe votuar po ashtu në mungesë kuorumi.
Seanca me po këtë pikë të rendit të ditës dështoi edhe të enjten e shkuar, shkaku i pjesëmarrjes së vetëm 21 asamblistëve në mbledhje.