LAJMET E MBRËMJES

Supremja i hap rrugë rivotimit në Junik

Në dy komuna të vogla mund të ketë rivotim, si pasojë e vendimeve të Gjykatës Supreme. Kjo gjykatë të mërkurën ka prishur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa, nëpërmjet të cilit u pati hedhur poshtë kërkesa e AAK-së për rivotim në Junik. Supremja e ka detyruar PZAP-në që ta trajtojë sërish ankesën e këtij subjekti politik dhe të marrë vendim meritor. Njëjtë, PZAP-ja është obliguar të hënën edhe për komunën e Kllokotit

Banorët e komunës së Junikut mund t’u drejtohen edhe një herë kutive të votimit.

Gjykata Supreme, njëjtë sikurse për komunën e Kllokotit, e ka prishur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP) dhe e ka obliguar këtë instancë që ta trajtojë sërish lëndën dhe t’i përmirësojë shkeljet ligjore.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është ankuar në PZAP për votim të personave që nuk janë nga Juniku dhe ka kërkuar përsëritjen e votimit. E pasi kjo shkallë e vendimmarrjes e ka hedhur poshtë ankesën e saj, AAK-ja është ankuar në Gjykatë Supreme. 

“Nga interpretimi i dispozitave të lartcekura, Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se PZAP-ja, gabimisht ka vendosur kur e ka hedhur poshtë ankesën e ankuesit për faktin se nga pretendimet që dalin nga ankesa, i njëjti është ankuar për procesin dhe parregullsitë gjatë ditës së votimit dhe jo kundër rezultateve preliminare të tabuluara nga KQZ-ja, ashtu siç ka pretenduar PZAP-ja në vendimin e atakuar. Si rrjedhojë, PZAP-ja, në rastin konkret gabimisht është mbështetur në dispozitën ligjore nga neni 105 të LZP-së, për faktin se kjo dispozitë flet për ankesat lidhur me administrimin e numërimit në QKN dhe QNR dhe jo për parregullsitë lidhur me ditën e votimit, prej hapjes së qendrave të votimit e deri në mbylljen e tyre”, thuhet në vendimin e Supremes për ankesën e AAK-së.

Një vendim të tillë, Supremja e ka nxjerrë të martën edhe për Kllokotin.

Kandidati shqiptar për kryetar të kësaj komune, Arbër Emini, është ankuar për parregullsi në ditën e votimit për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në ankesën e tij, thuhet se janë përdorur vërtetime mjekësore të rreme të lëshuara nga një mjeke e punësuar në sistemin paralel shëndetësor, e me të cilat është mundësuar votimi me asistencë.

Prokuroria në Gjilan ka nisur hetimet ndaj kësaj mjeke.

E si për rastin e Junikut, ashtu edhe për atë të Kllokotit, Supremja ka konstatuar se PZAP-ja ka gabuar kur e ka trajtuar ankesën si kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

“Përveç kësaj, edhe mbështetja e vendimit të PZAP-së në nenin 13 paragrafi 6 i Rregullores nr.01/2025 për Procedurat e Parashtrimit dhe Vendosjes së Ankesave të PZAP-së, parasheh rastin kur pala ankuese paraqet ankesë për rezultatet preliminare të tabuluara nga KQZ-ja, e siç u cek më lart ankesa nuk është ushtruar kundër rezultateve preliminare të tabuluara nga KQZ-ja, e as kundër KQZ-së, por e njëjta është ushtruar ndaj subjekteve politike Srpska Lista dhe subjekti politik Srpska Narodna Sloga (SNS), për parregullsi gjatë ditës së votimit, e që realisht ankesa është dashur të trajtohet në bazë të meritave dhe jo të hidhet poshtë si e palejuar”, thuhet në vendimin e Supremes për ankesën e Eminit. 

Për të dyja këto ankesa, Supremja e ka udhëzuar PZAP-në që të vendosë në mënyrë meritore mbi kërkesën e ankuesve, duke nxjerrë vendim të drejtë e të ligjshëm në përputhje me vërejtjet e saj.
Në Kllokot, në bazë të rezultateve të tanishme, në balotazh kanë shkuar kandidatët e Listës Serbe dhe të Narodna Sllogës. Kandidati shqiptar Emini ka dalë i treti.

E në Junik, në rundin e dytë, nëse nuk ndryshon asgjë, rivalë do të jenë kandidatët e Lidhjes Demokratike (LDK) dhe të AAK-së.