LAJMET E MBRËMJES

Supremja: “Prishtina Parking” jashtëligjshëm bllokoi automjete e ndëshkoi pronarë

Gjykata Supreme i ka shfuqizuar nëntë dispozita të Rregullores mbi të cilën funksionon ndërmarrja publike “Prishtina Parking”, duke konstatuar se ajo ka ushtruar kompetenca në kundërshtim me ligjin dhe me Kushtetutën. Të jashtëligjshme janë cilësuar edhe bllokimi i automjeteve dhe ndëshkimi i pronarëve

Ndërmarrja “Prishtina Parking” është zhveshur nga disa kompetenca, të cilat i ka ushtruar. 

Pas padisë së deponuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Gjykata Supreme ka marrë vendim që t’i shfuqizojë nëntë dispozita të Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës, në bazë të së cilës funksionon ndërmarrja.

Liridon Salihu, përfaqësues i GLPS-së, i ka numëruar disa nga kompetencat të cilat që nga e hëna nuk mund t’i ushtrojë më “Prishtina Parking”.

“Ndërmarrja publike lokale ‘Prishtina Parking’ nuk e ka asnjë kompetencë që të vendosë bllokada në vetura, duhet të marrë përgjegjësi për të gjitha dëmet eventual që shkaktohen nga punonjësit e saj, në veturat që janë parkuar në vendparkingje publike, nuk ka të drejtë të ndërmarrë asnjë veprim për parkimet ilegale të veturave”, ka thënë Salihu.

Në aktgjykimin e Supremes, nene diskriminuese konsiderohen edhe dispozitat që formën e pagesës e lejojnë vetëm nëpërmjet telefonit. Gjykata e ka obliguar Komunën e Prishtinës që ta mundësojë pagesën me para të gatshme apo me automat parkingu. 

Pjesa e dispozitës që e lejon parkimin e vizitorëve në zonat rezidenciale vetëm nga ora 16:00 deri në 18:00, sipas Supremes e cenon lirinë për të pasur kontakte familjare, të organizimit të jetës private dhe natyrën normale të vizitave shoqërore ose familjare.

Gjykata gjithashtu e ka obliguar Komunën që të normojë marrjen e përgjegjësisë nga ndërmarrja për dëmtimet që mund të shkaktohen në automjete. 

Sipas Supremes, vendosja e bllokadave në rast të moskryerjes së pagesës brenda 10 minutave nga momenti i parkimit është masë tejet e ashpër.

“Në këtë rast, (ndërmarrja publike N.P.L. “Prishtina Parking” SH. A., si palë e tretë në këtë procedurë gjyqësore, duke pretenduar të bllokojë automjetet, të lëshojë bileta për parkim në zona të palicencuara (“vendparkime ilegale”), si dhe të marrë masa ndëshkimore si bartja/zhvendosja e mjeteve, ushtron kompetenca që sipas ligjeve në fuqi u përkasin vetëm organeve të rendit publik dhe autoriteteve të trafikut, siç janë Policia e Kosovës dhe inspektoratet kompetente të Komunës, dhe jo një ndërmarrjeje publike komerciale”, thuhet në aktgjykim.

Sipas të dhënave të ofruara nga GLPS-ja, nga operatorët e “Prishtina Parkingut” mesatarisht 190 automjeteve në ditë u janë vendosur bllokada.