LAJMET E MBRËMJES

Të enjten protestojnë bizneset, për dy orë do të bllokohen tri hyrjet kryesore të Prishtinës

Hyrjet nga Veterniku, Fushë-Kosova dhe Podujeva në drejtim të Prishtinës do të jenë të bllokuara të enjten për dy orë në një protestë të organizuar nga Oda Ekonomike. Veprimi do të ndërmerret në shenjë pakënaqësie me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për kalimin e bizneseve me mbi 50 punëtorë dhe mbi 100 milionë euro qarkullim në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike. Përfaqësues të bizneseve kërkojnë që të shtyhet zbatimi i këtij vendimi, i cili pritet të hyjë në fuqi nga 1 qershori

Tri hyrjet kryesore për në Prishtinë – ajo nga Veterniku, nga Fushë-Kosova dhe nga Podujeva – do të jenë të bllokuara të enjten për dy orë me automjete të bizneseve të ndryshme në kuadër të protestës kundër liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

Veprimi sindikal është organizuar nga Oda Ekonomike (OEK) në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili pritet që të hyjë në fuqi duke nisur nga 1 qershori.

Bazuar në këtë vendim, bizneset të cilat kanë mbi 50 punëtorë dhe mbi 100 milionë euro qarkullim detyrohen që të zgjedhin se prej ku do të furnizohen me rrymë me çmime të parregulluara nga ZRRE-ja.

Në OEK kanë thënë se bllokada nga bizneset, të cilat do të preken nga vendimi, do të nisë të enjten nga ora 10:00 dhe do të zgjasë deri në mesditë.

“Ftojmë të gjitha bizneset e prekura nga ky vendim të marrin pjesë në protestë, duke angazhuar sa më shumë mjete motorike, me qëllim të bllokimit të hyrjeve kryesore të Prishtinës, deri në realizimin e kërkesave tona. Qëllimi i protestës: Kërkohet shtyrja e vendimit të fundit të ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike dhe hapja e një dialogu të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e bizneseve për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, duke kaluar këtë periudhë tranzicioni me sa më pak ndikim negativ në sektorin privat”, kanë thënë në Odën Ekonomike.

Pezullimin e këtij vendimi të ZRRE-së e kanë kërkuar të mërkurën edhe në Partinë Demokratike (PDK).
Abelard Tahiri, deputet i PDK-së, ka thënë se subjekti i tij është në pritje të dokumentit zyrtar nga ZRRE-ja dhe se po e shqyrton mundësinë për ta kërkuar masën e pezullimit në gjykatë.

“Pezullimi i menjëhershëm i këtij vendimi për të dalë bizneset në treg të lirë deri në një periudhë të përshtatshme, kur vërtet në Kosovë do të krijohen kushtet që të kemi treg të lirë. Sepse tashmë nuk ka treg të lirë, sepse është vetëm një ofertues i cili mund t’i furnizojë prodhuesit tanë vendorë me energji elektrike. 1 qershori është një ditë, në rast se ky vendim nuk do të pezullohet është një ditë e zezë për ekonominë e vendit tonë, sepse nga ai moment prodhuesit tanë vendorë do të shikojnë mundësitë e zhvendosjes së fabrikave të tyre jashtë Kosovës”, ka thënë Tahiri në një konferencë shtypi, teksa ka alarmuar se nga ky vendim është duke u kërcënuar humbja e vendeve të punës të dhjetëra mijëra punëtorëve.

Ai ka theksuar po ashtu se Prokuroria Speciale do të duhej ta themelonte një task-forcë, e cila do të merrej “me keqpërdorimet që janë duke u bërë në fushën e energjisë”. 

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon auditim të jashtëzakonshëm nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe auditorë të pavarur për ankandet, përfituesit dhe shumat e shpenzuara, pezullim të menjëhershëm të vendimit për daljen e bizneseve në tregun e lirë; si dhe hetim të thelluar nga Prokuroria Speciale për të gjithë zyrtarët dhe aktorët e përfshirë në këtë skandal”, ka thënë Tahiri.

Zyrtari i PDK-së ka thënë se është rritur prej dy eurosh në 798 euro vetëm transmisioni i megavatit. Sipas tij, kjo është konfirmuar nga publikimi i raporteve zyrtare mbi shitblerjen gjatë vitit të kaluar dhe se kjo i ka shkaktuar buxhetit dëm mbi një milion euro në vetëm gjashtë orë.

“Ky është një shembull i qartë i një keqpërdorimi të paprecedentë. Miliona euro kanë përfunduar në xhepat e kompanive të lidhura me këtë qeveri”, ka thënë ai. “Përballë këtyre fakteve, institucionet gjegjëse... kanë heshtur në mënyrë të pajustifikueshme. Në fund pasojat po i paguajnë qytetarët e Republikës së Kosovës”.