Pas zgjedhjes së kryetarit, Kuvendi ka zgjedhur edhe tre nënkryetarët nga radhët e komunitetit shqiptar dhe një nënkryetar nga pakicat joserbe. Ndërkaq, nënkryetari nga komuniteti serb nuk arriti të zgjidhej pasi propozimi i Listës Serbe nuk i mori votat e mjaftueshme për tri herë dhe kjo parti refuzoi të propozonte kandidat tjetër.
Pas zgjedhjes së kryeparlamentarit vazhdimi i seancës konstituive për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit nisi me më shumë se një orë e gjysmë vonesë.
Kryetari i sapo zgjedhur, Dimal Basha, kumtoi se tri grupet më të mëdha parlamentare me konsensus vendosën që zgjedhjen e tre nënkryetarëve shqiptarë ta bëjnë në pako.
Paraprakisht i dhanë propozimet.
“Propozimi i LVV-së për nënkryetare është Albulena Haxhiu”, propozoi deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.
“PDK propozon Vlora Çitakun”, propozoi deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
“LDK propozon Kujtim Shalën”, propozoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Kandidatët u hodhën në votim dhe morën 101 vota për dhe 9 abstenime nga deputetët e Listës Serbe.
Pas tyre, radha erdhi te zgjedhja e dy nënkryetarëve të tjerë, njëri nga pakicat serbe dhe tjetri nga komuniteti serb.
Por, para se përfaqësuesi i grupit multietnik të japë propozimet me rotacion, pati kërkesë që votimi i dy nënkryetarëve të mbetur të mos bëhet në pako.
“Kërkojmë që votimi për zgjedhjen e nënkryetarit nga grupi multietnik të ndahet nga votimi i nënkryetarit të Listës Serbe”, tha deputeti nga Grupi Mulitetnik, Elbert Krasniqi.
Kërkesa e Krasniqit u aprovua nga kryetari, i cili hodhi në votim deputeten boshnjake Emilia Rexhepi.
Ajo u zgjodh nënkryetare me 73 vota për, 23 abstenime dhe 1 votë kundër.
Lista Serbe nuk mori pjesë fare në votim. Pas zgjedhjes së Rexhepit, propozimi i kaloi komunitetit serb.
Deputeti Igor Simiq propozoi Slavko Simiqin për nënkryetar dhe tha se propozimi u bë me konsensus brenda serbëve.
Por kundërshtoi deputeti tjetër serb, Nenad Rashiq, i cili e propozoi veten për nënkryetar.
Në votim u hodh propozimi për Simiqin dhe pro zgjedhjes së tij votuan vetëm 10 deputetë, 9 të Listës Serbe dhe deputeti Goran Adem Hoxha që i është bashkuar grupit të AAK-së.
Kundër votuan deputetët e Vetëvendosjes dhe pakicave joserbe, ata të PDK-së, abstenuan ndërkaq deputetët e LDK-së nuk morën pjesë fare në votim.
Simiqi u votua edhe dy herë të tjera por sërish si mori votat e mjaftueshme.
Basha kërkoi që në frymën e aktgjykimit të Kushtetueses për votim deri në tri herë të një kandidati, LS-ja të propozojë një emër tjetër.
Por LS nuk e ndërroi propozimin. Asaj iu dha mundësia edhe tri herë të tjera që të propozojë emrin e kandidatit por refuzoi ta ndërrojë Simiqin.
Bazuar në Rregulloren e Punës së Kuvendit, kryetari Basha zgjodhi një formë tjetër për t’i nxjerrë propozimet në votim.
“Shorti”, tha Basha.
Lista Serbe e refuzoi praninë gjatë hedhjes së shortit por mori pjesë deputeti tjetër serb, Rashiqi.
Nga shorti dolën tre kandidatë të LS-së të cilët nuk morën asnjë votë për dhe refuzuan edhe të kandidohen, pasi Lista Serbe refuzoi pjesëmarrjen në votim.
Njësoj në votim nuk mori pjesë as LDK-ja. Ndërkaq VV-ja kundërshtoi me votë e PDK-ja abstenoi.
Shorti nxori në votim edhe deputetin Rashiq por as për të nuk pati vota të mjaftueshme. Përkrahje i dha Vetëvendosje dhe komuniteti joserb, ndërkaq PDK-ja abstenoi e LDK-ja u përmbajt nga votimi.
Pasi Rashiqi nuk i mori votat e mjaftueshme, kryetari e ndërpreu seancën, e cila nuk arriti të përmbyllej as të martën me konstituim dhe vazhdimi u caktua për të enjten.