LAJMET E MBRËMJES

ZKA-ja i adreson në prokurori 11 raste për parregullsi nëpër institucione

Rezultatet e auditimit për komuna kanë treguar se cilësia e raportimit financiar dhe e ekzekutimit të buxhetit është përkeqësuar. Ndërkaq, parregullsi janë gjetur edhe në institucione të nivelit qendror dhe në ndërmarrje publike. Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, ka bërë të ditur se, pas gjetjeve, 11 raste janë dërguar për hetim në Prokurori

Pas zbulimit të parregullsive gjatë auditimeve të performancës së disa institucioneve, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) i ka dërguar në Prokurori 11 raste për hetim.

Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, në një konferencë për media të premten i ka treguar institucionet për të cilat janë deponuar kallëzimet, pas identifikimit të elementeve të veprave penale.

“Janë tri raporte të auditimit të performancës. Është raporti që ka të bëjë me sektorin e ndërtimit në Komunën e Prishtinës, rehabilitimi i infrastrukturës hekurudhore, linja 10, si dhe raporti që ka të bëjë me kompaninë e menaxhimit të mbeturinave. Po ashtu, është edhe një rast për një ndërmarrje publike, e cila nuk ka qenë në fushëveprimin e auditimit, por ne kemi vlerësuar se është në interes të publikut që të trajtohet çështja më tutje”, ka thënë ajo.

Spanca ka theksuar se 139 auditimet e kryera kanë nxjerrë në pah parregullsi të ndryshme, përfshirë menaxhimin jo të mirë të kontratave, dhënien e kontratave operatorëve ekonomikë të papërgjegjshëm, mangësitë në fushën e prokurimit, tejkalimin e afateve ligjore me ushtrues detyre dhe të tjera.

Si problem, ajo ka paraqitur edhe pagesat e bëra për punonjës, në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë.

“Gjatë vitit 2024, në total për 101 zyrtarë janë paguar 691,050 euro. MMPHI-ja (Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës) 62 zyrtarë i ka paguar gjithsej 465,568 euro, MKK-ja (Ministria për Komunitete dhe Kthim) për 19 zyrtarë i ka paguar 112,558 euro dhe MPB-ja (Mistria e Punëve të Brendshme) për 20 zyrtarë i ka paguar 112,942 euro”, ka theksuar Spanca.

Në nivel lokal, ZKA-ja i ka audituar 38 komuna.

Spanca ka theksuar se rezultatet e auditimit për këto komuna kanë treguar se cilësia e raportimit financiar dhe e ekzekutimit të buxhetit është përkeqësuar.

“Në raport me vitin e kaluar, kjo cilësi është përkeqësuar më tej, sidomos te niveli lokal, ku në vitin 2023 janë dhënë 23 opinione të kualifikuara, përderisa në vitin 2024 janë dhënë 31 opinione të kualifikuara për komuna. Çka do të thotë që 31 komuna, në rast se aplikohet grandi i performancës komunale, do të jenë të diskualifikuara që të përfitojnë nga ky grant”, është shprehur ajo.

Nga 50 opinione të kualifikuara apo jo të mira, 15 janë dhënë për institucione të nivelit qendror, 31 të atij lokal dhe për 4 ndërmarrje publike.

Përkundër gjetjeve, pak raste janë trajtuar nga Prokuroria. Ndër vite, ZKA-ja i ka dorëzuar rreth 400 raste për hetim, por janë ngritur gjithsej 3 aktakuza.

Auditorja e përgjithshme u ka bërë thirrje institucioneve publike që rekomandimet e dhëna t’i pranojnë si kontribut serioz për përmirësimin e proceseve, aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave të tyre.

Deri në fund të muajit gusht pritet që të publikohen edhe nëntë raporte të performancës, përfshirë për licencimin e institucioneve parashkollore dhe për mbikëqyrjen e tyre, për efiçiencën e Energjisë - Burimet e Ripërtëritshme Energjetike në KOSST, atë për mbrojtjen, zhvillimin dhe ripërtëritjen e hapësirave pyjore, për efektivitetin e sistemit për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve si edhe për parkingun nëntokësor në Malishevë. Pritet gjithashtu edhe raporti i performancës për ndërtimin e objektit të Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), për platformën e shërbimeve online E-Kosova si dhe për tatimin në pronë.