Kuriozitet

Mushkonjat shfaqen për herë të parë në Islandë

Mushkonja mashkull, fotografuar nga Björn Hjaltason

Mushkonja mashkull, fotografuar nga Björn Hjaltason

Tri mushkonja të llojit Culiseta annulata janë gjetur në Islandë javën e kaluar, një ngjarje e pazakontë, pasi vendi deri tani nuk është konsideruar si habitat i mushkonjave.

Zbulimin e bëri Björn Hjaltason nga Kiðafell në Kjós, i cili më 16 tetor vuri re një insekt të çuditshëm në kopshtin e tij dhe menjëherë e postoi foton në faqen në Facebook “Skordýr á Íslandi” (Insektet në Islandë).

“E kuptova menjëherë që ishte diçka që nuk e kisha parë kurrë më parë”, ka thënë ai për median islandeze mbl.is.

Ai arriti ta kapte insektin, i cili doli të ishte një femër mushkonjë Culiseta annulata.

Të nesërmen ndodhi e njëjta gjë, por këtë herë ishte një mashkull, që u dallua lehtësisht nga antena me qime dhe goja më e madhe. Edhe më 18 tetor, për të tretën ditë rresht, Hjaltasoni pati “mysafir” në kopshtin e tij dhe arriti ta kapte edhe këtë, një tjetër femër mushkonjë.

“Po, ishte mjaft emocionuese. Gjithmonë është kënaqësi të zbulosh diçka të re”, ka thënë ai, pasi i dërgoi tre insektet për identifikim te Matthías Alfreðsson, entomolog në Institutin Islandez të Historisë Natyrore, i cili konfirmoi se bëhej fjalë për mushkonja të llojit Culiseta annulata.

Në postimin e tij në Facebook, Hjaltason ka shkruar me humor se “fortesa e fundit ka rënë”, duke iu referuar faktit që Islanda deri tani nuk ka pasur mushkonja vendase. Megjithatë, ai pranon se kjo mund të ketë qenë një ekzagjerim.

“Mbetet për t’u parë nëse do të arrijnë të përshtaten dhe të mbijetojnë dimrin”, ka thënë ai.

Sa i përket origjinës së tyre, Hjaltason ka mëdyshje.

“Dyshimi bie gjithmonë te Grundartangi, është vetëm rreth gjashtë kilometra larg, dhe shpesh gjëra të ndryshme mbërrijnë me anije ose kontejnerë, kështu që mund të kenë ardhur në atë mënyrë”, ka thënë ai.

Hjaltason ka shtuar se nëse tre mushkonja kanë arritur deri në kopshtin e tij, “atëherë ndoshta ka pasur edhe më shumë. Ky lloj mund të jetë plotësisht i aftë të mbijetojë në kushtet islandeze”.